Presidenti: “Qeveria t'i dorëzojë sa më parë Prokurorisë pajisjen e përgjimit. Versioni i trajnimit nga Interforza, Mashtrim”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka kërkuar sot zyrtarisht vijimin e hetimeve për pajisjen përgjuese që pretendohet se ndodhet në kushte antiligjore në posedim dhe përdorim të Policisë së Shtetit. Një ditë pasi ministri i Brendshëm mohoi ekzistencën e pajisjes, Nishani ka dalë me një deklaratë zyratare ku i bën thirrje prokurorisë të vijojë zbatimin e detyrës. “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i kërkon Qeverisë shqiptare që të mos pengojë më tutje ushtrimin e funksionit kushtetues dhe detyrën ligjore të Prokurorisë së Shtetit për hetimin e ekzistencës dhe përdorimit të një pajisjeje interceptuese nga ana e Ministrisë së Brendshme.
Qeveria t’i dorëzojë sa më parë autoriteteve të hetimit pajisjen e kërkuar nga organi i Prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm për procesin e hetimit.
Qeveria të ndalojë përpjekjet për mashtrimin e opinionit publik në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit me shtetin italian.
Marrëveshja e bashkëpunimit midis shtetit shqiptar dhe atij italian në luftën kundër krimit të organizuar nuk ka asnjë lidhje me veprimet antiligjore dhe të dënueshme të përdorimit të mjeteve ilegale dhe të paligjshme nga Policia shqiptare.
Presidenti i Republikës dënon dhe distancohet nga tentativa e papërgjegjshme e Qeverisë për të ngatërruar bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë në luftën kundër krimit të organizuar, me veprime ilegale dhe të paligjshme të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri.
Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të shmangur çdo pengesë që krijohet në hetimin dhe zbulimin e së vërtetës”, thuhet në deklaratë. Një akuzë e hapur për qeverinë shqiptare, çka sinjalizon një krizë të vërtetë, pse jo kushtetuese.
Add new comment