Efekti i taksave, çmimi i naftës fillon ngritjen
Çmimi i naftës ka shënuar një rritje të fortë së fundmi, me rreth 5 lekë për litër në pjesën më të madhe të pikave të tregtimit, por pritet që shpejt të reflektojë i gjithë zinxhiri i pakicës. Kjo është rritja e parë, pas muajve të tërë që karburantet kishin njohur vetëm ulje. Në pikat e tregtimit të Kastrati, një litër naftë tregtohet me 157 lekë për litër, nga 152 lekë që shitej më parë. Edhe Europetrol Durrës Albania (Eida) e ka shtrenjtuar naftën në 156 lekë për litër. Gega Oil, një tjetër operator i madh e tregton karburantin me 154 lekë për litër, nga 149 lekë që e kishte më parë. Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohuan për Monitor.al se arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të naftës lidhet me shtimin e taksave mbi kompanitë e tregtimit të karburanteve. Efektin kryesor e ka dhënë taksa e rilicencimit të pikave të tregtimit me pakicë, që me një vendim qeverie në dhjetor të vitit 2015 u shumëfishua, duke arritur në 5 milionë lekë për pikat e Tiranës dhe 2 milionë lekë për ato të rretheve. Kjo taksë ndonëse u vu me vendim qeverie mblidhet nga Bashkitë e rretheve përkatëse dhe ka filluar aktualisht të paguhet (përveç taksës ka dhë shpenzime shtesë si TVSH, apo dokumentet që duhen bërë nga fillimi për çdi pikë). Operatorët kishin llogaritur më parë se efekti i saj do të ishte 5 lekë për litër. Një tjetër taksë e shtuar për pikat e Tiranës është ajo e arsimit, që për kompanitë VIP është 37 mijë lekë në vit. Por, duke pasur parasysh që kjo taksë po faturohet për çdo NIPT sekondar,kompanitë e karburanteve po e paguajnë shumëfish atë (vetëm në një pikë tregtimi ata kanë disa NIPT-e për gazin, naftën apo lavazhin), çka nënkupton një kosto tjetër të shtuar, që reflektohet në çmim.
Add new comment