D. Gjiknurit nuk i ecin konçesionet. Manjani i kthen mbrapsht konçesionin e ndriçimit të Duranës, bashkë me një leksion të vockël në planin juridik
Konçesionet e iniciuara nga ministria e Damian Gjiknurit, ajo e Energjetikës, duket se nuk kanë “këmbën e mbarë”. Kjo edhe sepse aleati në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim, është kujtuar së fundmi që të “fusë në shina” ligjore konçesionet e qeverisë “Rama”, qoftë përmes iniciativave ligjore, qoftë përmes interpretimit të legjislacionit në fuqi. “Ministria e Drejtësisë i kërkoi Ministrisë së Energjitikës të kthejë mbrapsht projektin për dhënie me koncesion të ndriçimit të rrugëve të bashkive Durrës dhe Tiranë një firme daneze, pasi projekti i saj nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se në mënyrën se si është hartuar del mbi ligjin. Në datën 1 prill të këtij viti, Ministria e Energjetikës i kishte kërkuar asaj të Drejtësisë të shprehej në lidhje me një projektvendim për të zhvilluar një tender ku do t’i jepej me koncesion një firme daneze ndriçimi publik i Tiranës dhe Durrësit. Por ministri i Drejtësisë, duke i kthyer përgjigje e konsideron të paligjshëm zhvillimin e tij”, raporton “Top-Channel”.
Interpretimi i dikasterit të Manjanit nis që nga “cenimi i autonomisë vendore”, vijon te “paqartësia e zanafillës së propozimeve të kompanisë daneze “HeSaLight A/S””, për të përfunduar te një mësim i vockël juridik për juristin Damian Gjiknuri: “Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk duhet të jetë autoritet kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënie koncesioni ndriçimin publik në territoret e bashkive, pasi ajo është autoritet politikëbërës dhe standardizues, nuk është një autoritet zbatues”. Edhe diçka që normalisht do të duhet ta fyente ministrin e Energjetikës, kuptohet nëse këtij të fundit i intereson përtej detyrës pasuria publike: “Ministria e Energjisë nuk është pronar i çdo çelësi dritash”, shkruan Manjani.
Add new comment