Vijnë tubacionet e TAP, Rama premton 15 mijë vende pune në 5 vjet
Në Durrës u zhvillua ceremonia e mbërritjes së Tubave të Parë në Shqipëri, për ndërtimin e tubacionit të Gazsjellësit Trans Adriatik. tSipas kreut të qeverisë, Gazsjellësi TAP do të krijojë 15 mijë vende pune në pesë vitet e ardhshme në Shqipëri, ndërsa
në 20 vite ekonomia shqiptare do të përfitojë mbi 1 miliardë euro nga ky projekt. “Gazsjellësi Trans-Adriatik ka një ndikim ekonomik pozitiv në zonat kalon. Për Shqipërinë ai ka një rëndësi të veçantë gjeostrategjike dhe do të jetë një motor zhvillimi për vendin tonë. Gjatë negociatave, TAP-i tregoi gatishmëri që Shqipëria të kishte përfitime sikundër Greqia dhe vendet e tjera”, u shpreh Rama.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të nisë në afërsi të Kipoit në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).
Nga kjo pikë TAP-i do të vazhdojë në pjesën tokësore, duke përshkuar të gjithë territorin e Greqisë së Veriut, që është dhe pjesa më e gjatë, dhe më pas do të vazhdojë drejt perëndimit përmes Shqipërisë deri në bregdetin e Adriatikut. Seksioni detar i gazsjellësit do të nisë në afërsi të qytetit shqiptar të Fierit, dhe do të kalojë nëpër Detin Adriatik për t’u lidhur me rrjetin italian të transportit të gazit në Italinë e Jugut.
TAP do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Adriatik.
Add new comment