Premton kryeministri: 11 mijë ha tokë në Bregdet që do t’u kthehet pronarëve legjitimë apo shtetit
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar rishikimn e titujve të pronësisë që janë dhënë në bregdet, ku siç u shpreh ai nga Vunoi, janë 11 mijë ha të tjetërsuara. “Janë 11 mijë hektarë tituj të rremë pronësie të zhvendosur nga pronarët legjitime tek pronarë të supozuar, që do t’i rikthehen qoftë shtetit qoftë njerëzve legjitimë, ashtu sikundër do t’u rikthejmë të gjithëve një territor të zaptuar nga çibanët”, tha Rama. Ky është rasti i dytë që kryeministri prononcohet në vetë të parë për situatën e pronësisë në Bregdet, ku deri më tani është bërë ndërhyrja në dy raste, një në Vlorë dhe një në Himarë, ku ishte bërë privatizim sipërfaqeje si tokë bujqësore. Nuk është e qartë sesi qeveria ka ndërmend të konsolidojë realitetin juridik në këtë hapësirë pa gjykatat, pasi edhe në dy rastet e mësipërme ka qenë gjykata ajo që ka hapur rrugë për ndryshimin e titullit të pronësisë.
Add new comment