Tallava kundër sovranitetit të Kosovës
Derë për derë, kudo ku është, këto ditë popullatës shqiptare i kanë ardhur dy ftesa për datën 17 shkurt: ftesa e qeverisë dhe mbështetësve të saj nga shoqëria civile që të festojë, këngë e valle pa ia nda; dhe ftesa e opozitës në Kosovë që popullata të ngrihet në nivelin e popullit, domethënë në kuptimin e tij modern, si bartës i sovranitetit dhe sovran. Data 17 shkurt është kështu data ku secili shqiptar e anëtarëson veten, në popullatën e ahengxhinjve ose në popullin si sovran.
Ftesa i ka habitur ahengxhinjtë: kurrë nuk ka ndodhur që ditën e pavarësisë në Shqipëri të jetë protestuar kundër cungimit të atdheut, të kombit dhe të sovranit! Përkundrazi, është festuar. Duhej shtuar po ashtu fakti se ditën e pavarësisë prej këtyre ahengxhinjve kurrë nuk është kërkuar bashkimi kombëtar dhe vetëkushtetuimi i gjithë kombit shqiptar si sovran. Mirëpo, ajo që nuk kishte ndodhur kurrë në Shqipëri as në Kosovë ndodhi këtë vit në Kosovë: me 28 nëntor u kërkua bashkimi kombëtar! O po po! Ku ku! Ç’po ndodh kështu - pyesin të habitur ahengxhinjtë. Si mundet që 28 nëntori të përdoret për të kujtuar se ende nuk është realizuar dhe se duhet të realizohet nga ne projekti i atyre që na e lanë ditën e pavarësisë si datë?!
A nuk duhet që 28 Nëntori të jetë data kur, nën zhurmën e festimit, e harrojmë projektin e pararendësve sepse na ka mbetur ne si detyrë për ta realizuar? A nuk është ky qëllimi ynë, i ahengxhinjve tradicionalë: të mbysim zërin e detyrës nën buçitjet e daulles? Pse opozita në Kosovë nuk e vazhdon traditën e princave, mbretërve, sekretarëve të parë të partisë komuniste, etj., që në ditën e pavarësisë së Kosovës t’ia marrë këngës e të hedhë vallen, por shqetësohet për atdheun, popullin e kombin?! (Shih, ndër të tjerë: Enver Bytyçi, “Përse nuk e feston opozita pavarësinë e Kosovë?!”, në gazeta “Shqip”, dt. 14 shkurt 2016, f. 9).
Territori i atdheut shqiptar po penetrohet nga Serbia dhe Mali i Zi, herë në një anë e herë në tjetrën, në shumë anë njëkohshëm, teksa pozita po ia hap rrugët këtij penetrimi. Prandaj pozita e ka ftuar popullatën shqiptare kudo që është ta shoqëroj këtë rikthim të Serbisë në Kosovë me shenjat karakteristike të një dasme, si dasmat tona të sotme: me festime dhe muzikë tallava.
Opozita në Kosovë penetrimin e Serbisë në Kosovë po e përjeton si përdhunim të sovranitetit, po e fton popullatën shqiptare kudo që është të bëhet popull, sovran në vendin dhe atdheun, në shtëpinë e vet, që Serbia të mos mendoj se po na pëlqen ky penetrim aq sa qeveritarëve. Ashtu si në dasmat që dasmorët për një moment harrojnë vështirësitë e përditshme dhe hedhë valle, pozita e fton popullin që ditën e pavarësisë të harrojë projektin e pasardhësve që e shpallën pavarësinë, sepse barra e vijimit të realizmit të tij na ka rënë ne. Pozita kërkon t’i kujtojmë me festime ata që shpallën pavarësinë në mënyrë që të harrojmë projektin e tyre, dhe barrën e detyrën tonë t’ua lëmë fëmijëve tanë për ta realizuar; ose, edhe më mirë, edhe këta ta shtyjnë për më vonë, ta fshehin e harrojnë penetrimin në trupin (territorin) tonë kombëtar, ashtu siç kemi bërë ne, ahengxhinjtë, tradicionalisht. Pse nuk feston opozita... dhimbjen e Kosovës, të atdheut dhe të kombit shqiptar?!
Opozita e Kosovë nuk feston sepse e pranon detyrën dhe përgjegjësinë që, tani dhe sot, popullatën ta ftojë të bëhet popull, popullin të jetë çka i takon me qenë: sovran dhe republikën vullnet të sovranit. Opozita nuk feston sepse mbron sovranitetin e popullit, të kombit e të republikës, përballë rrënimit të këtyre nga fqinjët dhe nëpunësit e tyre, Isa-Thaçi, që e qeverisin vendin. Opozita nuk feston sepse ka pranuar detyrën, përgjegjësinë dhe kostot e realizimit, nga ne dhe sot, të projektit të atyre që na e lanë datën e pavarësisë.
Opozita nuk feston sepse është në aktivitetin e realizmit të detyrës, që, në mënyrë cinike dhe të pashpirt, kostot të mos ua lë fëmijëve tanë, siç propozojnë ahengxhinjtë dhe siç na e kanë lënë ne ahengxhinjtë tradicionale. Opozita nuk feston, sepse është e zënë me ruajtjen dhe ndërtimin e shtëpisë shqiptare ku shqiptarët të bëhen popull i ngulitur, përkundër festuesve që duan t’i lënë shqiptarët popullatë endacake, të strehuar në çadrat e ngritura nëpër botë për të na pritur kur të arrijmë. Si popull endacak, nëpër çadra, por... plotë këngë e valle, aheng e gëzim! Opozita nuk feston sepse nuk ka pavarësi sa kohë që Kosova qeveriset nga nëpunësit e dëgjueshëm të Serbisë, Isa-Thaçi.
Nëse ahengxhinjve këto nuk iu duken arsye të mjaftueshme për të lënë ahengun e për të ndërtuar republikën, atëherë jemi të legjitimuar të besojmë se në pyetjen “pse”, nuk kërkojnë argumente të arsyes (politike), por vetëm pajtimin e shqiptarëve që qeveritarët të gëzojnë si persona privat privilegjet që u jep dëgjueshmëria ndaj Serbisë, dhe ekzekutimi i kërkesave të saj në Kosovë. Prandaj ndarja opozitë-pozitë në Kosovë është ndarja ndërmjet politikes së opozitës dhe privates së pozitës, si tradicionalisht, ndërmjet patriotëve dhe nënpunësve shqiptar të Serbisë, ndërmjet popullit dhe popullatës, ndërmjet sovranitetit të Kosovës dhe rikthimit nën sovranitetin e Serbisë.
Megjithatë, festuesit ahengxhinjë e kanë parapërgatitur me kohë “arsyetimin” e qëndrimit të tyre që përmblidhet nën një ide, herë si pyetje, “ç’e doni sovranitetin?” “a nuk e rrënoi Shqipërinë fiksimi i Enver Hoxhës ndaj sovranitetit?”, herë në disa përgjigje, “sovranitetit i ka ikur koha”, “sot jetojmë ne epokën e integrimeve”, “sot edhe kombet dhe shtetet sovran po heqin dorë nga dhe po e bartin sovranitetin në bashkësi supranacionale”, etj. Ka njëzet e pesë vite që në Shqipëri ka sunduar ky ligjërim dhe kjo mendësi. Nga ky sfond, ahengxhinjve dhe festuesve opozita në Kosovë iu duket krejt e huaj, krejt jashtë qëndrimeve dhe psikologjisë së tyre: si është e mundur që ka ende shqiptarë që e duan sovranitetin e popullit dhe të shtetit shqiptar?! U bënë dhe shqiptarët të duan sovranitet!
Mirëpo janë pikërisht “argumentet” e ahengxhinjve që na zbulojnë të kundërtën. Praktika e Enver Hoxhës na zbulon të këqijat që pasojnë kur vendin e popullit si sovran e uzurpon udhëheqësi në krye të shtetit, “i zgjedhur” nga popullata votuese, njëlloj si uzurpimi i sotëm i sovranitetit të popullit nga Isa-Thaçi të zgjedhur nga popullata votuese. Madje në Kosovë dëgjohen edhe “argumente” dëshpërimi: “nuk ishim kaq keq as nën Serbi”, por harrojnë se me qeverisjen Isa-Thaçi jemi nën Serbi dhe prandaj nuk jemi më mirë, siç shpresuam se do të ishim duke u pavarësuar. Prandaj është kaq e domosdoshme të angazhohemi për pavarësi, domethënë republikë sovrane. Argumenti “i fiksimit të Enver Hoxhës për sovranitet” na zbulon sa e rëndësishme është lëvizja e opozitës për të ndaluar enveristët Isa-Thaçi të kopjojnë Enver Hoxhën dhe pasojat që solli. A nuk e nisi Enver Hoxha me arrestimin e deputetëve të opozitës, njësoj si Isa-Thaçi sot?
Argumenti “i epokës së sotme” na zbulon sa mashtron pozita: në epokën e sotme janë krijuar më shumë shtete sovranë, mbi bazë kombëtare, sesa në “epokën e kaluar”, janë krijuar rreth nesh me rënien e Jugosllavisë, më tej me ndarjen e Çekisë dhe të Sllovakisë, më tej me ndarjen e BS, etj., etj. Në këtë epokë u përfshi edhe Kosova, por tani pozita i thotë të heq dorë prej sovranitetit dhe t’i dorëzohet sërish Serbisë dhe kërkesave të saj. Mirëpo ky “argument” veçse na bën të jemi realistë, të shohim realitetin dhe jo që fjalët e pozitës t’i marrim si i vetmi realitet që e zëvendëson çdo realitet tjetër në këtë botë. Njësoj argumenti i “integrimeve” dhe “bartjes së sovranitetit”: siç e tregon vetë “argumenti”, kusht i integrimit është “bartja” e sovranitetit, domethënë duhet të kemi sovranitetin që ta “bartim”, përndryshe s’mund të integrohemi; sepse integrimi ka vënë si kusht “dorëzimin” e sovranitetit. Ndonëse nuk dimë se integrimi, për shembull në Bashkimin Evropian, është dorëzim, heqje dorë nga sovraniteti dhe cili shtet anëtar e ka bërë këtë.
Shkurt, të gjithë “argumentet” e ahengxhinjëve qeveritarë dëshmojnë sa politike dhe e drejtë është lëvizja opozitare në Kosovë, e vetmja lëvizje politike shqiptare, përkundër teknicizmit menaxhrial të korrupsionit shqiptar të përfaqësuar nga qeveritarët. Prandaj opozita në Kosovë na fton të gjithëve, që me 17 shkurt, në Prishtinë, të dëshmojmë se jemi popull, se jemi politik, se nuk jemi të korruptuar në themel: në korruptimin e kuptimit të fjalës popull, komb, sovran.
"Shekulli"
Comments
Vv
Ja paske fut nje pordhe te madhe
Tepër e komplikuar për ty o
Tepër e komplikuar për ty o Hasan që ta kuptosh. Vetëm fjalët si pordha kupton ti !
Add new comment