Unifikimi i Dhomave të biznesit, një nismë që ndan sipërmarrjet

Postuar në 13 Shkurt, 2016 17:21

Ka krijuar pështjellime nisma e qeverisë, konkretisht Ministrisë së Zhvilimit Ekonomik, për të detyruar bizneset që të anëtarësohen në një Dhomë të vetme. Përveç tarifave që do të japin sipas vendimit të Asambleve, kjo iniciativë e redukton përfaqësimin në një të vetëm, duke vendosur një monopol edhe mbi kritikën dhe kontestimin e nismave të caktuara të qeverisë. Mark Craëford i Dhomës Amerikane të Tregëtisë, thotë në një prononcim për “Vizion Plus”, se biznesi duhet të vendosë vetë se ku duhet të anëtarësohet. Më tej, Craëford shton se ky kuadër e vendos biznesin në kushte varësie. “Ne jemi për vetëvendosje. Çdo pronar, çdo biznes duhet të vendosë vetë, nëse ka leverdi të hyjë në një Dhomë dhe ku të jetë. Ne si Dhomë Amerikane e Tregëtisë, ne si bord jemi pa pagesë,  jemi vullnetarë. Ne marrim lekë nga bizneset që kemi ne, kështu që Dhoma për ne është një mjet për të folur me qeverinë.  Nëse anëtarët e Dhomës janë aty me detyrim, si mund të të kritikoj dhe si mund të jem i pavarur kur ndodhin gjëra me shtetin?”, deklaron ai. Kreu i Dhomës Kombëtare të Veshjeve, Gjergji Gjika është pro nismës, duke shkallëzuar kuotizacionin. “Ka ardhur koha që ne të diktojmë profesionalisht ecurinë e këtij vendi. Të bëhet me detyrim anëtarësimi, është gjë shumë e mirë. Për disa biznese që janë simbolike mund të jetë kuota një euro, por ka biznese që kanë të ardhura shumë të mëdha që do të paguajnë më shumë”, tha ai.

Vetë qeveria argumenton se pjesëmarrja e bizneseve në Dhoma është 1% e numrit total të ndërmarrjeve që operojnë në treg.  “Në qoftë se numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2014-2015 është rreth 113.000, numri i bizneseve të anëtarësuar në shkalle unioni është vetëm 1020, ose më pak se 1% e numrit total të ndërmarrjeve”, argumenton Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që duke habitur shton: “Ka rënë ndjeshëm forca e lobimit dhe e oponencës së dhomës ndaj anëtarësisë së saj”. Qeveria duket se “harron” një fakt: në diskutimet e buxhetit në këto tre vitet e fundit, biznesi ka kundërshtuar si ndryshimin e politikës fiskale, ashtu edhe rritjen e disa taksave. Përfundimi? U dëgjua vetëm biznesi fason me ndërmjetësimin e LSI-së. Sikurse është e vërtetë se në një treg si ai i sigurimeve, incentivat fiskale nuk kanë dhënë produktin e pritshëm, çka i jep të drejtë sot qeverisë që të rishikojë primin, siç edhe bëri. Por këto janë probleme të konkurencës, ku qeveria nuk ndërhyn. Ndaj edhe nismat e saj, edhe kur janë lehtësuese nuk japin efekt. AMA është shembulli më i qartë sesi një institucion që paguhet me paratë e qytetarëve injoron çdo zhvillim në tregun mediatik dhe atë shërbimeve dixhitale, duke lejuar veprime që dëmtojnë njërë apo tjetrën palë. Kur biznesi që përballet me këto sfida ka dëshmuar se e ka shumë të vështirë të organziohet, përpjekja e qeverisë për ta imponuar këtë, duket pak e çuditshme. Edhe nëse kjo praktikë e unifikimit të dhomave është e njohur në botë.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.