Dy standardet e opozitës, deputetë apo zëdhënës interesash?

Postuar në 28 Janar, 2016 20:22

Opozita përmes dy deputetëve të saj, Florion Mima dhe Sherefedin Shehu kanë dalë kundër nismës së qeverisë për ngritjen e sistemit elektronik të raportimit të TVSH-së për bizneset. Dy deputetët përfaqësojnë ekspertizën e Partisë Demokratike në fushën e financave duke qenë se kanë mbajtur postet e ministrit dhe zv/ministrit të Financave. Si Mima ashtu dhe Shehu thanë në parlament se ngritja e një sistemi të tillë nuk është i nevojshëm pasi raportimi eletronik i TVSH-së mund të bëhet nga sistemi aktual austriak i menaxhimit elektronik të taksave, operimin e të cilit e kanë cilësuar të suksesshëm. Por pak muaj më parë, gazeta BIRN në shkrimet e së cilës opozita ka bazuar aksionet e saj politike si kundër Ilir Metës për çështjen DIA-CEZ ashtu dhe kundër konçesioneve në shëndetësi thotë të kundërtën e saj që pretendojnë sot dy deputetët e opozitës për sisteminin elektronik të menazhimit të taksave.

Më poshtë po ju përcjellim shkrimin e plotë të BIRN mbi problemet e sistemit elektronik të menaxhimit të taksave: 

*Telashe pa fund dhe kosto shtesë për sistemin e kushtueshëm të taksimit elektronik

Pas gati 16 milionë eurove të shpenzuara, projekti i taksimit elektronik i nisur në vitin 2012 nuk është ende gati, ndërkohë që bizneset janë përballur me një pafundësi telashesh, nga vështirësitë në aplikim, te gjobat e padukshme të “sistemit”, për të cilat duket se nuk po mban përgjegjësi askush.Më 1 janar 2015, Shqipëria duhej të kishte një program të ri gjithëpërfshirës elektronik për menaxhimin e taksave dhe tatimeve si dhe për menaxhimin e marrëdhënieve në distancë mes administratës tatimore dhe tatimpaguesve. Shqipëria pati eksperimentuar me aplikimin e teknologjisë së informacionit në menaxhimin e sistemit të taksave që prej disa vitesh ndërsa programi i ri synonte të shfrytëzonte eksperiencën e akumuluar për ta shtrirë përdorimin e teknologjisë në një numër shumë më të madh funksionesh, si sa i përket marrëdhënieve me taksapaguesit, ashtu edhe sa i përket menaxhimit të brendshëm tatimor. Por në janar 2015, shumë biznese u përballën me pamundësinë për të bërë deklarimet elektronike të taksave, tatimeve apo kontributeve që kishin paguar.

Këto probleme u shfaqën pasi një projekt i kushtueshëm i informatizimit të administrimit të 200 mijë taksapaguesve në Shqipëri i nisur në vitin 2012 pati një zbatim të keq, gjë që solli vonesa të shumta dhe shtim kostosh për shqiptarët ndërsa përfitimet e mundshme në të ardhmen mbeten të dyshimta.Projekti që nisi me një kredi me kusht nga qeveria e Austrisë u shtua me pesë tenderë të tjerë, tenderë që synuan thjeshtë zbatimin edhe një herë të disa komponentëve të kontratës fillestare ndërsa administrimi tatimor duket se është përkeqësuar që nga fillimi i këtij viti kur sistemi i ri u vu në funksionim krahas marrëdhënieve me tatimpaguesit, të cilat sistemi i ri premtonte t’i përmirësonte.

Dokumente të siguruara nga BIRN si dhe shumë dëshmi të marra në kushtet e konfidencialitetit me persona me njohuri mbi problemin sugjerojnë se zbatimi i projektit vuajti nga probleme të shumta, të cilat, sollën mosfunksionimin e disa komponentëve të rëndësishëm si dhe rritën kostot fillestare.

Drejtoresha e përgjithshme e tatimeve Briseida Shehu nuk i përgjigj një kërkese për koment për problemet e shfaqura në implementimin e programit e taksimit elektronik, por tha që tatimpaguesit që hasnin probleme do merrnim ndihmë duke u trajnuar.

“Për sa i përket ankesave te tatimpaguesve ne lidhje me sistemin do tju lutesha të informoni këta tatimpagues të vinë të trajnohen pranë DPT siç janë trajnuar 80000 të tillë,” u prononcua Shehaj nëpërmjet postës elektronike.

Fillim i vështirë

Në Shqipëri është e detyrueshme të bëhen deklarime për çdo detyrim ndaj administratës tatimore para se ky detyrim të mund të paguhet. Moskryerja e deklarimit krijon një gjobë automatike prej 10 mijë lekësh për çdo rast.Një numër njoftimesh të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në janar 2015, bënë të ditur se sistemi po i nënshtrohej mirëmbajtjeve të orare të ndryshme, zakonisht një orë për çdo njoftim, kohë gjatë së cilës deklarimet nuk mund të kryheshin. Por në fakt, bizneset po hasnin vështirësi në mënyrë të vazhdueshme, edhe jashtë orarit të shpallur të mirëmbajtjes. Për muajin janar, bizneset nuk qenë në gjendje të bënin deklarimet e zakonshme dhe rrjedhimisht, një pjesë e konsiderueshme e tyre u gjobitën automatikisht. Tatimpaguesit që ankoheshin mësonin vetëm se “fajin e ka sistemi”. Në shtator 2015, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me kërkesë të qeverisë një nen të veçantë në ligjin Për Procedurat Tatimore me synimin për të falur gjobat e vëna “nga sistemi”. Sipas Relacionit, gjatë zbatimit të sistemit të ri në janar të këtij viti gati 90 për qind e tatimpaguesve kishin marrë gjobë.“Vënia e gjobave në mënyrëkaq masive cenon besimin e tatimpaguesve ndaj administratës tatimore dhe reduktimin e nivelit të vetëdeklarimit të detyrimeve tatimore,” thuhet në relacion, i cili vëren se numri i ankesave në Tatime për gjobat qe në nivel të tillë të lartë sa Drejtoria e Apelimit Tatimor, një lloj para-gjykate për çështje tatimore, nuk kishte mundësi t’i trajtonte të gjitha ankesat në kohë. Relacioni nuk bën të qartë shumë detaje mbi arsyet se si ndodhi ky keqfunksionim, por është e sigurt se vendosja e gjobave nuk qe keqfunksionimi i vetëm i sistemit të ri, i cili ka kushtuar, sipas llogaritjeve të BIRN, mbi 16 milionë euro, pavarësisht se kontrata fillestare kishte një vlerë prej 10.3 milionë eurosh.Përgjatë verës 2015, zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë në kushtet e konfidencialitetit se sistemi i ri nuk qe në gjendje të prodhonte raportet e nevojshme statistikore duke lënë në errësirë autoritetet mbi ecurinë e të ardhurave.Disa nga komponentët e sistemit fillestar, siç qe komponenti i sistemit të administrimit të rrezikut, së paku nuk u vu në punë deri në shtator 2015.

Mungesë besimi

Mungesa e besimit mes administratës tatimore dhe tatimpaguesve ka qenë problemi kryesor në administrimin fiskal që kur Shqipëria filloi të krijojë një sistem taksash pas rënies së Komunizmit në vitin 1991. “Një histori e gjatë mungese besimi është ushqyer nga problemet e vazhdueshme të korrupsionit dhe anomalive operacionale, të tilla si vonesat e vazhdueshme në respektimin e pretendimeve të ligjshme për rimbursim TVSH-je, karakterizon marrëdhënien mes taksapaguesve dhe administratës tatimore,” thuhet në një raport konfidencial të Fondit Monetar Ndërkombëtar të vitit 2008 mbi problemin e administrimit fiskal në Shqipëri. Për të zgjidhur të dyja problemet, pra korrupsionin dhe arbitraritetin, Shqipëria ndërmori në vitin 2006 një program të informatizimit të marrëdhënieve fiskale me synimin për të minimizuar marrëdhëniet ballë për ballë mes tatimpaguesve te tatimorëve si dhe për të shfrytëzuar potencialin e teknologjisë së informacionit për llogaritje automatike me synim që të ulej numri i veprimeve manuale dhe rrjedhimisht, i arbitraritetit të mundshëm të punonjësve të administratës. Në vitin 2009, një mision konsulence i Fondit Monetar Ndërkombëtar ofroi një seri rekomandimesh për zgjerimin e përdorimit të teknologjisë së informacionit në administrimin tatimor. Raporti argumentonte se (link raporti i FMN) administrata tatimoret qe organizuar sipas parimeve moderne të ndarjes së punëve sipas funksioneve fiskale dhe shtrirjes territoriale sipas karakteristikave gjeografike dhe jo sipas rretheve, në një riorganizim të madh të kryer në vitin 2006. Por raporti theksonte se profesionistët e vërtetë në administratë qenë të paktë, dhe se problemet më të mëdha gjendeshin te aftësia për të audituar biznese, për të hetuar rastet komplekse si dhe për të arkëtuar detyrimet e prapambetura.Raporti sugjeronte që Shqipëria të vijonte të punonte me donatorë të huaj për të zbatuar informatizimin e administrimit fiskal dhe marrëdhënieve me tatimpaguesit. FMN-ja rekomandoi mes të tjerash, hartimin e protokolleve të qarta të administrimit tatimor dhe programeve të informimit të tatimpaguesve mbi detyrimet dhe procedurat tatimore.

Para me kushte

Për ta realizuar këtë qëllim qeveria shqiptare pranoi një ofertë ndihme nga qeveria e Austrisë për një kredi zhvillimi me interesa të buta me vlerë 10.3 milionë euro. Por pati një problem. Në kontratën e kredisë qe vendosur si kusht që projekti të zbatohej nga një kompani austriake. Në janar të vitit 2013, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nënshkroi një kontratë me kompaninë austriake Qualysoft Ressource und Entëicklung für Informations technologie GmbH and ËedoIT-solutions GmbH për zbatimin e projektit e-taxation. (link kontrata) Në kontratë, shitësi merrte përsipër të dorëzonte në Shqipëri pajisjet hardëare si dhe një program kompjuterik të quajtur COTS, ta përshtaste atë sipas nevojave të klientit si dhe të ngrinte një modul për menaxhimin e rrezikut. Kontrata do të krijonte kushtet për administrimin e tatimpagueseve të Shqipërisë,  deklarimin online të detyrimeve tatimore të tatimpagueseve të regjistruar, për 12 lloje taksash e tatimesh. Ajo do të realizonte përpunimin automatik të deklaratave dhe detyrimeve të tatimpaguesit apo Administratës Tatimore, përpunimin automatik të pagesave të detyrimeve, duke komunikuar me sistemin e Thesarit. Sistemi gjithashtu do të kryente kontabilitetin e të gjithë veprimeve që lidhen me tatimpaguesit, analizë automatike të riskut  si dhe ndjekjen e të gjitha rasteve të kontrolleve, të mbledhjes me forcë të detyrimeve, të shërbimeve të ndryshme ndaj tatimpaguesit dhe përpunimin e vendimeve përkatëse. Programi duhet të kishte bazë të gjerë raportuese për qëllime operacionale dhe marrje vendimesh.

Zbatim i keq

Kontrata rezulton se u zbatua në mënyrë jofunksionale në shumë komponentë, sipas dokumenteve dhe dëshmive të grumbulluara nga BIRN. Kompania merrte përsipër të furnizonte pajisjet hardëere, por në tetor 2014, administrata tatimore shqiptare organizoi një tender të ri për blerjen e aparaturave mbështetëse për projektin e-taxation me vlerë 101 milionë lekë, (720 mijë euro). Në tender morën pjesë katër kompani, por tri prej tyre nuk paraqitën ofertë. Kompania Infosoft fitoi tenderin me një ofertë prej 91 milionë lekësh. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve refuzoi të japë shpjegime se pse nevojitej blerja e pajisjeve të reja ndërkohë që infrastruktura hardëere qe planifikuar të mbulohej nga kontrata e parë. Një komponent tjetër, i cili qe gjithashtu pjesë e kontratës së parë, qe moduli i menaxhimit të riskut. Por në nëntor 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve hapi një tender të ri me vlerë 23.3 milionë lekë, (160 mijë euro) të quajtur “Zhvillimi dhe Implementimi i Business Intelligence”. (Link tenderi) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të BIRN se pse kontrata fillestare nuk u zbatua në të gjithë komponentët e saj dhe se pse, pasi u shpenzuan 10.3 milionë euro, Shqipëria harxhoi edhe disa miliona euro të tjera për projekte që në thelb, zëvendësojnë komponentë të përfshirë te kontrata e parë. Para të tjera u shpenzuan për dy tenderë, “blerje e pajisjeve elektronike për e-filing dhe D.I.S” dhe Mirëmbajtja e Sistemit të Deklarimit Elektronik me vlerë respektivisht 6,3 dhe 3,2 milionë lekë. Por pavarësisht se këto dy tenderë janë pikërisht për projektin e-taxation, duket se shpenzimet nuk mjaftonin. Menjëherë pas përfundimit të zbatimit të kontratës për instalimin e programit COTS, qeverisë i lindi nevoja për mirëmbajtjen e programit, gjë e cila nuk qe parashikuar në kontratën fillestare. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve hyri në bisedime me kompaninë austriake për një kontratë të re. ËedoITsolutions GmbH mori një kontratë të dytë me vlerë 560 milionë lekë (4 milionë euro) në mars të këtij viti pikërisht për mirëmbajtjen e sistemit që sapo qe instaluar. Këto janë fondet e kërkuara për mirëmbajtjen e sistemit për gjatë katër viteve të ardhëshme. (Link kontrata e mirëmbajtjes) Renald Rista, ish drejtori i IT në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve,  është një prej personave që ka negociuar për kushtet e kontratës me kompaninë austriake, e shpallur fituese për projektin E-taxition.  Sot, konsulent të fushën e IT, Rista  është i bindur se kontrata e nënshkruar në vitin 2013 nuk është zbatuar plotësisht, e kjo sipas tij, për shkak të paaftësisë së personelit të administratës tatimore për të ndjekur dhe zbatuar projekte. “Kërkesat  që janë sanksionuar në kontratë për palën austriake ishin të qarta. Ne dijeninë time nuk janë arritur dhe realizuar pritshmëritë e asaj kontrate ”-thotë Rista, i cili argumentimin për moszbatimin e kontratës e nis me detyrimin e pagesën elektronike të tatimpaguesve, e cila sipas tij është vënë në funksionim  në vitin 2012 . “Me  sistemin e  ri,  pagesa elektronike duhet të ishte elementi primar për kryerjen e pagesave nga biznesi por ky opsion nuk ekziston fare më si mundësi.  Sot  administrata tatimore nuk ka kontroll dhe dijeni mbi bizneset në Shqipëri, nuk është në gjëndje të thotë sa të ardhura ka mbledhur, nga kush i ka mbledhur, kush nuk paguan dhe pse nuk paguan. Projekti i ri duhet të siguronte këto të dhëna për administratën tatimore dhe ky ishte dhe qëllimi kryesor i kontratës rreth 10 milion euro, po ky qëllim jo vetëm që nuk është përmbushur por  gjendja është përkeqësuar”-thotë Rista. Ndërkohë, planet e qeverisë për të përmirësuar administrimin fiskal, përmirësim që pritej të realizohej falë përdorimit të teknologjisë së informacionit, u shtynë në kohë. Qeveria pati planifikuar në fund të vitit të kaluar si pjesë e buxhetit 2015, rritjen e të ardhurave tatimore me 13 për qind, rritje që duhej të sillej pjesërisht nga taksat shtesë dhe pjesërisht nga përmirësimi në administrimin e taksave ekzistuese përmes luftës ndaj evazionit fiskal. Qeveria ka mohuar me forcë përmes Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Financave Shkëlqim Cani ekzistencën e një problemi në cilësinë e administrimit fiskal të vendit, duke argumentuar se shkaku i mosrealizimit të të ardhurave për vitin 2015 lidhet me disa faktorë jashtë kontrollit të qeverisë, si rënia e çmimeve ndërkombëtare të naftës, inflacioni shumë më i ulët nga sa pritej apo normat e interesave të depozitave shumë më të ulëta se sa një vit më parë. Por përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri Jens Reinke në disa deklarata publike ka komentuar se ndonëse faktorët e përmendur nga qeveria kanë pasur me të vërtetë ndikim, Shqipëria ka gjithashtu një problem me administrimin tatimor. “Ka disa prova që tregojnë se kontrabanda dhe evazioni ndikojnë veçanërisht në të ardhurat e grumbulluara nga TVSH-ja dhe akcizat,” tha Reinke në një intervistë për Monitor. Ndërkohë qeveria ka nisur një fushatë masive kundër evazionit fiskal, duke arrestuar tatimpagues të vegjël, ndërsa disa nga komponentët më të rëndësishëm të administrimit fiskal si sistemi i kontrollit me bazë riskun, janë shtyrë në kohë. Sistemi i kontrollit me bazë riskun është një llogaritës automatik i aftë për të dalluar deklarime tatimore që kanë probabilitet më të lartë për të qenë të gabuara ose të manipuluara dhe rrjedhimisht për të informuar inspektorët tatimorë mbi këto deklarime në kohë reale. Qeveria shqiptare kishte në plan të përdorte sisteme të tilla edhe në disa sektorë të tjerë të shumëpërfolur për manipulime, si sistemi i rimbursimit të ilaçeve, ku pak kohë më parë u zbulua një skemë abuzimi prej miliona eurosh, skemë që një sistem i thjeshtë i menaxhimit të riskut do të qe në gjendje ta zbulonte që në hapat e parë. Si pjesë e kontratës së parë për sistemin COTS, ky sistem duhej të kishte hyrë në përdorim që në fund të vitit të kaluar, por nuk ka hyrë ende në përdorim, megjithëse sistemi elektronik ka kushtuar deri tani mbi 16 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.

"BIRN"

http://www.reporter.al/telashe-pa-fund-dhe-kosto-shtese-per-sistemin-e-kushtueshem-te-taksimit-elektronik/

Nisur nga dy parashtrimet mund të pyesim se kë opozitë duhet të besojmë, atë që duke iu referuar "BIRN" ngre gishtin e akuzës për emra konkretë, apo deputetët që sipas kontekstit deklarojnë ekspertizën e tyre të pavarur që bie ndesh me vetë istikamin e opozitës? A janë deputetë të opozoitës apo përfaqësues interesash, që reagojnë sipas axhendave? Zhgënjyese për ata shqiptarë që besojnë se ka opozitë.

 

Comments

Submitted by Krenar (not verified) on

Po deputetet ku ishin ktu se mora vesh?

Submitted by Oni (not verified) on

se pari ky Rista nuk duhet te flasi sepse kontrata eshte nenshkruar nga zoteria e kopsitur pro Austriakeve dhe kjo vertetohet kollaj fare. Turp ti vije qe flet larte e poshte. Le te shkoje e te denoncoje ku duhet po te jete i paster

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.