Mendime në vetminë e një nate mes dy viteve

Postuar në 07 Janar, 2016 12:41
Eugjen Merlika*

"Cila është qeveria më e mirë ? Ajo që na mëson të qeverisim vetveten”-J. W. von Goethe

Viti që përcollëm nuk qe një periudhë kohe e “qetë” për shqiptarët. Në vijim të traditës së tyre vetëshkatërruese, për të mos patur as vullnetin dhe as aftësinë e marrëveshjes me njëri-tjetrin, ky vit u mbyll me “gjëmime moti” politik në Tiranë e në Prishtinë, paradoksalisht dy kryeqytetet e shteteve shqiptare, të cilët nuk arrijnë si numër banorësh, së bashku, as atë të një qyteti mesatar të botës së sotme. “Nuk ka më kohë për retorikë, për konfliktualitete të panevojshme. Vendi ka nevojë për më shumë punë, për më shumë shpresë, për më shumë dialog….”, -theksoi, me të drejtë, këtë natë Presidenti Nishani në mesazhin e tij të bukur. Arsyeja e kërkon më shumë se kurrë këtë domosdoshmëri por “kushtrimi i të parëve” duket se është më i fuqishëm se ajo. I shtohet këtij faktori gjenetik lufta e fortë e interesave të klaneve politike dhe lakmia e ndërsjellë e tyre për pushtet që, në përfytyresën e përgjithshme, njëjtësohet gjithmonë me sipëraninë e pasurimit material dhe fuqisë shoqërore e jo me përkushtimin e aftësive e forcave çështjes së përgjithshme të interesave kombëtare. Përfundimi i kësaj pështjelljeje ideore e politike janë bombat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Prishtinës e manifestimet e Tiranës ku, qoftë edhe figurativisht, kërcënohen të korruptuarit se do të kapen nga turmat e qytetarëve e jo nga organet e drejtësisë…

Pa vënë në diskutim për asnjë çast detyrën opozitare për të zhvilluar në format më të ndryshme, të pranueshme nga etika politike, luftën në mbrojtje të parimeve të shkelura, sipas tyre, nga qeveritë apo shumicat qeverisëse, imazhet e mësipërme nuk më duket se i shërbejnë mbarëvajtjes së interesave të shqiptarëve. Politikëbërësit në Tiranë e Prishtinë duhet të mbajnë parasysh faktin se, aq sa është e rëndësishme përmbajtja e strategjisë së tyre politike, po aq e dobishme apo e dëmshme është edhe forma e luftës apo taktikave të përdorura për ta sendërtuar atë. Ne, si komb, kemi nevojë të përhershme t’i paraqesim botës përfytyresën e një populli të qytetëruar, dhe politika duhet të jetë e para që të plotësojë atë.

Nëse marrëveshje e firmosur në Bruksel ndërmjet qeverive të Kosovës e Serbisë, nën mbikëqyrjen e Komisioneres Mogherini, ka elementë që cenojnë interesat kombëtare të shqiptarëve, janë të gjitha mundësitë normale të diskutimeve në Kuvend e të argumentimit në shtyp apo nëpërmjet tubimeve paqësore të paditjes së tyre. Gazi lotsjellës në parlament më duket se është mënyra më e gabuar për të vënë në dukje nevojën e rishikimit të marrëveshjes. Nëse lufta kundër kriminalitetit në politikë apo kundër korrupsionit në jetën administrative të institucioneve të ndryshme të Shtetit është një detyrë e dorës së parë të gjithë shqiptarëve, shfrytëzimi i skajshëm i saj nga ana e Opozitës është një veprim i zgjuar e i dobishëm për të. Në këtë drejtim PD ka shënuar suksese, që janë pasojë edhe e një mungese të theksuar të qeverisë e partive të shumicës e cila, për arsye të ndryshme, madje të pakuptueshme, kanë lejuar shkelje të rënda të ligjshmërisë në caktimin e kandidaturave. Pasojë e padisë së PD, por edhe e faktorit ndërkombëtar, sot kemi një ligj kundër korrupsionit, që quhet një fitore e madhe. Nuk e di sa është e vërtetë kjo, mbasi më duket se kemi të bëjmë me një normalizim të një gjendjeje që ishte përkeqësuar në mënyrë të papranueshme. Besoj se vlen të kujtojmë se shqiptarët, në shekuj, janë vetëqeverisur e në organizimin e tyre të vogël zgjidhnin për të drejtuar jetën e tyre jo hajdutë, gënjeshtarë apo kriminelë, por njerëz të urtë e të ndershëm. Hartimi, me një vetëkënaqësi të tepruar, i një ligji për të ripërtëritur këtë traditë tregon se cila ka qenë mbrapambetja jonë morale në 70 vjetët e fundit.

Kapitali politik i Opozitës dhe i drejtuesit të saj, i fituar në luftën kundër korrupsionit, nuk është një dëshmi e “virgjinitetit” të saj në atë drejtim e rrezikon të bëhet i pavlefshëm nëse do të vazhdojë skajshmërisht strategjinë e rrëzimit të qeverisë. Përvojat e “pranverave arabe”, të Kajros, apo Kievit nuk më duken se janë të dobishme në realitetin tonë. 1997, me të ashtuquajturin “revolucion” të fajdeve, besoj se ka qenë faqja më e zezë e këtyre 25 viteve të kalesës demokratike dhe çdo përpjekje, sado larg e ngjashme me të, nuk paraqet asgjë të dobishme për ecurinë tonë. Nëse nuk arrijmë të forcojmë shtetin ligjor, që do të thotë respekt absolut i ligjit, nuk kemi vënë asnjë bazë për të ardhmen tonë. Në këtë mendësi të domosdoshme hyn edhe parimi i ushtrimit të pushtetit, veprim që i përket atyre forcave që fitojnë zgjedhjet. Çastet vendimtare të përcaktimit të baraspeshave politike janë zgjedhjet e rregullta. Diskutimet mbi “parregullsinë” e tyre, sa herë zhvillohen, nga ata që humbasin, tregojnë se ende jemi larg standardeve të kërkuara në Evropë.

Ata që fitojnë kanë për detyrë të qeverisin e të japin llogari për qeverisjen, të tjerët kanë për mision të kontrollojnë qeverisjen e të përgatiten për betejën e ardhshme zgjedhore. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj bazë të demokracisë, më duket i dëmshëm. Vlen kjo sot për PD, sikurse vlente për PS vite të shkuara, sikurse do të vlejë në të ardhmen për këdo që do të jetë në pushtet apo në opozitë. Kemi nevojë për një politikë të përgjegjshme, që të gabojë sa më pak, sepse mali i gabimeve të një shekulli na ka lënë në këtë gjendje prapambetjeje të theksuar.

Nuk më duket e përgjegjshme një politikë që shton nenet e kodit penal për mos pagesa të kuponëve tatimorë apo të konsumit të energjisë, por po aq i papërgjegjshëm është edhe kundërshtimi i çdo lloj ligji që lufton informalitetin apo detyron të gjithë qytetarët të respektojnë normat më parake të jetës së përbashkët. Nuk është e përgjegjshme të hiqen nga puna të gjithë kundërshtarët politikë, edhe në nivelet më të parëndësishme, kur ndërrohen pushtetet, fatkeqësisht kjo mbetet një nga dukuritë më të padrejta e më të pamoralshme të gjithë jetës së institucioneve tona të çerek shekullit të fundit. Është i papërgjegjshëm edhe kundërshtimi për të testuar, nëpërmjet konkursesh, përgatitjen apo aftësitë e të gjithë atyre punonjësve që u besohet administrimi i sferave të ndryshme të jetës sonë. Nuk është veprim i përgjegjshëm vlerësimi e dekorimi i të gjithë ushtruesve të dhunës së kohës së diktaturës edhe se kanë zbatuar “ligjet e kohës”, nëse ato ligje sot konsiderohen të padenja për një shtet normal demokratik.

Fakti i rrëzimit në Kuvend të amendamentit Doda – Idrizi tregon se shumica e përfaqësuesve të ish komunistëve shqiptarë, në vetëdijen e tyre, nuk i dënojnë as ata ligje dhe, aq më pak, zbatuesit e tyre. Ky është tregues i mungesës së vullnetit për t’u shkëputur, qoftë edhe formalisht, nga e shkuara kriminale e regjimit. Një kërkesë vetjake faljeje për dekorimin e hetuesit të At Zef Pllumit nga ministrja Kodheli, nga ana e Kryeministrit, nuk i heq as nuk i shton asgjë kësaj dukurie të shëmtuar dhe aspak dinjitoze, as që mund të shërbejë si “gjethe fiku” për ta mbuluar sado pak atë. Për hir të së vërtetës duhet të them se edhe demokratët, në vitet e tyre të gjata të qeverisjes e të Shumicës, nuk kanë miratuar një rezolutë si ajo që propozuan dy deputetët e cituar, madje e nderuara zonja Mesila Doda, për këtë arsye, vendosi të braktiste grupin e saj parlamentar.

“Të qeverisësh do të thotë të bësh të pakënaqur.” thoshte dikur shkrimtari frëng Anatol France. Është një e vërtetë, së cilës nuk i është shmangur asnjë qeveritar në historinë e njerëzimit, ndoshta me përjashtim të mbretit legjendar të Hindisë së lashtë, të urtit Asoka. Duket se atë e ka kuptuar mirë edhe Edi Rama i cili, në mesazhin e fundit të vitit, ka braktisur tonin triumfalist e ka përqafuar atë autokritik dhe të përvuajtur, bir i një burrërie apo dinakërie të një politikani që kupton se çfarë premtohet në politikë, sidomos në fushatat zgjedhore, i përket më shumë se gjysma demagogjisë e gënjeshtrave dhe se “rilindja” është një koncept i bukur për hartimet e gjimnazistëve, por kthehet në një mashtrim të radhës kur i vishet programeve politike, sidomos të pas komunistëve.

Kryeministri ve si objektiv kryesor të politikës për vitin që hyn reformën në drejtësi dhe luftën e korrupsionit në atë fushë. Madje ai përdor termin “tërmet”. Kjo fjalë është në vendin e duhur, është e përshtatshme, por nuk do të ishte e plotë në kuptimin e vërtetë, nëse do t’i referohej vetëm sistemit të drejtësisë. Duhet reformuar drejtësia, duhet pastruar ajo nga ndryshku i korrupsionit që të kryejë detyrën e saj,të shkëputet nga ndikimi mbytës i politikës, të sigurojë zbatimin e ligjeve, të zbulojë e të dërmojë korrupsionin në jetën politike. Ai duhet të jetë tërmeti i vërtetë për të cilin ka nevojë Shqipëria për të ndryshuar, mbasi pasurimi i papërligjur i klasës politike, aty ku është i vërtetë, është detyrë e drejtësisë së ndershme ta hetojë e ta padisë, duke luftuar të korruptuarit, jo nëpërmjet veprimeve të rrugëve, por duke respektuar ligjet e Shtetit.

A do të jetë e mundur ? Përgjigja është tepër e vështirë, sepse luhatet ndërmjet një mosbesimi skajor që frymëzon politika dhe një shprese të vagëllimtë që mbështetet, më shumë tek institucionet e huaja se sa te një vetëdijesim i yni me pasoja konkrete. Një klasë politike e pandryshuar në një çerek shekulli, e cila është përgjegjëse kryesore për gjendjen e sotme, sepse e ka sjellë, e ka dashur dhe e ka ushqyer gjatë gjithë këtyre viteve të sprovës pas komuniste, do të gjejë mënyrën për t’u mbledhur si iriqi, jo vetëm duke neutralizuar gjyqtarët e ndershëm, por edhe duke i nxjerrë para shqytin shigjetave të Donald Lu-së apo Romana Vllahutinit, apo institucioneve që përfaqësojnë ata, të cilët po mundohen të ndërgjegjësojnë shqiptarët për problemet madhore e jetike të tyre.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.