Edeb, jahu!

Postuar në 06 Janar, 2016 13:20
Muhamed B. Sytari*

Këto ditë, në realitetet intelektuale dhe shpirtërore të kryeqytetit të vendit tonë, ndodhën dy ngjarje krejtësisht të kundërta në rrezatimin dhe jehonën e tyre. Doli në qarkullim kolana prej 10 vëllimesh e përmbledhjes së revistës “Zani i Naltë”, (1923-1939), lajm që kryesisht kaloi në heshtje, si vetë heshtja e vlerave përballë përdaljes që mbizotëron për fat të keq në vendin tonë prej kohësh!?

Lajmi i dytë, që mori dhenë dhe u bë kryefjalë e shumë emisioneve televizive, kryeartikujve të gazetave, thashethemnajës pa fund në rrjetet sociale etj, ishte shpërndarja e çmimit “Lumo Skëndo” nga Ministria e Kulturës. (Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike e intelektuale).

Natyrshëm, nuk do të ndalem të diskutoj fare për pjesën e dytë, por duke marrë shkas prej saj, dua të ndaj me ju një shkrim të Lumo Skëndos, botuar në revistën “Zani i Naltë”, nr. 1, gusht, 1926, me titull: “Edeb, jahu!”.

Ja si e nis shkrimin e tij autori: “Nji fé naltërohet, nderohet dhe respektohet me naltësinë, me nderin dhe me respektin që ka ay popull për vedin e vet. Pa dyshim që feja sa do e vërtetë dhe e shejtë të jetë, gjendet në nji shkallë t’ulët të qytetnimit, kur ay popull nuk ka ment të marri një shkëlqim në jetën shoqnore.

Nji prej shenjat e naltrimit shoqnuer është edhe edebì, terbieja, sjellja e mirë. Këto dy çillsie e shquajnë njerinë prej shtaze.

Shqyptari mysliman e ka për detyrë të sillet mirë, me terbije dhe edeb që të nderohet vetë dhe kështu t’i japë respekt dhe nderim fesë që ka, për ndryshe çdo faj i tij do të kujtohet si e mbetë e besimit, sikur e urdhënon besimi.

Këtë parathanje m’a kanë inspiruer disa ndollina që kam vrejtur në rrugat e Tiranës: …”

Dhe autori vijon të tregojë për tri ngjarje, ku ka dëshmuar shthurrjen morale dhe mungesën e edukatës dhe të etikës në komunitet.

Në rastin e parë shkruan: “Kujtoj se njeriu në shtëpië të vet ose në nji vend të mbyllun që shpesh rrëfehet me dy zero, ka ndoshta të drejtë që të bëjë çë do, jo në mes të rrugës se atëhere del nga radha e njeriut të qytetnuem dhe bâhet i egër ose shtazë”.

Në rastin e dytë, trajton përhapjen në masë të sharjeve në mesin e të rinjve. Thekson se: “Të shartë dëfton tri sende, tri sëmundje: 1. Ose njeni që përdorë fjalë të ndyra dhe të liga, është nji njeri i lik me zemër të keqe, pa dhimpshuri dhe naltësi shpirti. 2. Ose ka një edukatë harbute i rritun me njerëz pa arsim dhe pa delikatesë. 3. Ose është indiferent, nuk ve re çë thotë, nuk shquen të mirën nga e keqja, rron si nji drû, si nji dhí e egër, vetëm me lumtërin e nevojës dhe të dëfrimit t’ultë… S’do harruar kurr se sjellja e mirë, politesa, hollësija e ndjenjavet rrëfejnë respektin që ka njeriu për veten e tij dhe sedrën përkundrejt dignitetit.”

Në rastin e tretë, ai ndalet tek përhapja në masë e alkoolit dhe dëfrimeve “trashanike”, siç i quan autori. Shkruan: “Kam dëgjuar shpesh herë, nji mik, të më thotë: “Shiko këta të mjerë ideali i tyne nuk ngjitet mâ nalt se nga çitjanet e jevgeve!” Fjalë të hidhta që duhet të na bâjnë të mejtohemi, se në vaftë kështû do të forcohet nji idé të thonë bota se shqyptari mysliman s’ka zotsì për ideal të naltë për jetë morale dhe shoqnore; kënaqet me rrojtje të zezë, me defrim të poshtër, pa-kulturë, pa-arsim, pa-qytetnim; nuk imiton shemblla të mira, nuk sheh anën e bukur të jetës, me gjansië intelektuale, si i ka hije nji populli të përparuar…”

Dhe, u ndala pak, hodha sytë përreth realiteteve tona të zhurmshme, shthurjes morale dhe nxitjes së rinisë drejt alkoolit dhe dëfrimeve “trashanike”, (si ato që organizojnë bashkitë tona me rastin e “festave të fundvitit”) etj., pa fund. Pastaj ktheva kokën nga emri i Lumo Skëndos, mbi një çmim ministror në fundvitin që sapo kaloi… Ngjante me një vrimë të madhe shtazarake, përreth së cilës silleshin personazhe publike, thirreshin: “Elita e çitjaneve“! Ngjanin shumë me personazhet e Lumo Skëndos, këtu e 90 vite më parë.

Ndërkohë ai, në madhështinë e heshtjes së tij, tundte kokën në shenjë habie… Nuk bëhej fjalë më për “gjansië intelektuale, si i ka hije nji populli të përparuar…”

Vështronte i habitur. I rrethuar nga neveria dhe zhgënjimi, tha vetëm një fjali të shkurtër: “Edeb, jahu!” dhe u largua në heshtjen e tij…

Nuk e di a dëgjoi kush apo jo…

*Myfti i Zonës Shkodër

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.