Vazhdojnë dështimet jashtë parashikimeve për qeverinë, edhe 11 mujori me minus në të ardhura
Gropa e buxhetit nuk u mbyll as për 11 mujorin. Sipas treguesve zyrtarë të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale janë realizuar në masën 343 miliardë lekë ose afërsisht 14.9 miliardë lekë më pak se plani i periudhës 11-mujore. Ndërkohë, realizimi i shpenzimeve të përgjithshme në masën 367 miliardë lekë, pra rreth 8 për qind më pak se plani i periudhës, është shoqëruar me një deficit buxhetor prej rreth 24.5 miliardë lekë, i cili është më i ulët se plani për afërisht 16.5 miliardë lekë.
Megjithatë qeveria thotë se deficiti buxhetor është totalisht nën kontroll duke siguruar arritjen e objektivit për konsolidimin fiskal dhe stabilizimin e financave publike për vitin 2015. Sipas ministrisë së Financave ndikuesit kryesor në rënien e të ardhurave nga Administrata Doganore vazhdojnë të jenë faktorët e jashtëm, të cilët ndikojnë në mbledhjen e të ardhurave doganore dhe janë jashtë parashikimit.
Rënia e të ardhurave nga TVSH në import është ngushtësisht e lidhur me rënien e çmimeve të importeve kryesore (sidomos karburanteve), si dhe ulja e sasive të importuara për disa mallra me peshë në të ardhurat doganore si: importi i energjisë (me efekt rreth 1.6 miliardë). Rënia e importeve në total ka qenë rreth -2.4% krahasuar me një vit më parë
Add new comment