Qeveria mirënjohëse e Partisë së Punës. Dekorata për ish-funksionarë të regjimit

Postuar në 29 Nëntor, 2015 13:24

Një vit më parë me urdhërin e Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli u krijua një komision i posaçëm, misioni i të cilit ishte evidentimi i 1000 veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të cilëve do t’ju jepej “Medalja e Mirënjohjes” me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Sipas ministrisë dekoratat u akorduan në bazë të propozimeve të shoqatave të veteranëve. Një vit më pas “Gazeta Shqiptare” siguroi ekskluzivisht listën e plotë, e cila u mbajt sekret dhe deri më sot nuk ishte bërë publike. Nga një verifikim i hollësishëm, emër për emër, rezulton se qeveria ka dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” funksionarë të lartë të Partisë së Punës, drejtues madhorë, oficerë e agjentë të Sigurimit të Shtetit, kryetarë të Degëve të Punëve të Brendshme, prokurorë që kanë kërkuar dënime me vdekje, gjykatës që kanë dhënë vendime për varje e pushkatim si dhe dëshmitarë në gjyqet e montuara të diktaturës. Motivacioni për nderimin shtetëror të tyre, 25-vite pas rënies së komunizmit, është: “Për kontributin në luftën për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë”.
Në listën e të dekoruarve nga qeveria me “Medaljen e Mirënjohjes” është zv/Drejtori i Përgjithshëm i Sigurimit, Rakip Beqaj por edhe agjenti emblematik Mark Dodani, i cilësuar ndryshe si “ikona” e Sigurimit që mbante lidhje direkte me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, aktiv në goditjen e disa grupeve diversante siç i cilësonte regjimi. Në listë figuron edhe prokurori ushtarak i Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos. Ishte pikërisht Murat Kamani i cili e vlerësoi grupin si “komplotist” duke i kërkuar gjykatës dënimin e tyre me vdekje. Ai sot dekorohet me “Medaljen e Mirënjohjes”. Gjyqtari “famëkeq” i Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, Anastas Koroveshi është një tjetër i dekoruar, bashkë me hetuesin e At Zef Pllumit, Shyqyri Çokun. Gjithashtu në listë është edhe ministrja e Industrisë së Lehtë, ish- Sekretarja e Parë e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, bashkëshortja e Hysni Kapos, Vito Kapo. Bie në sy edhe emri i Kadri Ballës, fillimisht shoqërues i Enver Hoxhës dhe mandej zv/Drejtor i Kuadrit të Ministrisë së Brendshme. Me “Medalje Mirënjohjeje” qeveria ka dekoruar edhe Drejtorin e Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njëherazi Komandantin e Gardës së mbrojtjes së udhëheqjes komuniste, Xhafer Peçin. Lista vijon me Qemal Hysenaj, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, Jani Paskon, kryetarin e Rrethit Berat, Mustafa Beqari, oficer i Degës së Punëve të Brendshme, Isa Milotin, oficer i Sigurimit të Shtetit, Hamit Myhyrdari, kreun e Degës së Punëve të Brendshme Laç, Ilo Kodra, shefi i kabinetit të Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Dhimitra Jakova, dëshmitare në gjyqin kundër Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit. Po ashtu është dekoruar edhe Xhoxhi Konomi, kreu i Hetuesisë në rrethin e Lushnjës, hetues në Prokurorinë e Përgjithshme e më pas këshilltar në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Një “Medalje Mirënjohje” për kontributet në luftë, qeveria ka akorduar edhe për Gani Kodrën, Shefin e Sigurimit të Byrosë Politike, Llambi Gegenin, hetues në Drejtorinë e Hetuesisë në MPB, Fahri Krajën, oficer i Sigurimit të Shtetit, Emro Kondin, zv/kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Librazhdit, Agim Bejlerin, oficer i Sigurimit, Stoli Lipivanit, dëshmitare në gjyqin e Ramize Gjebresë si edhe Eqerem Becit, dëshmitar në gjyqin ndaj Koço Theodhosit e Kiço Ngjelës.

Lista e plote

RAKIP BEQAJ
Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit të Shtetit
GANI KODRA
Shefi i Sigurimit të Byrosë Politike
XHAFER PEÇI
Drejtor i Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe që nga viti 1972 deri në vitin 1982, ka kryer detyrën e Komandantit të Gardës së Republikës
MARK DODANI
Figura emblematike e Sigurimit të Shtetit me pseudonimet “Xhakoni” e “Studenti”, i cili mbante lidhje direkte me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, aktiv në goditjen e disa grupeve diversante siç i cilësonte regjimi.
MURAT KAMANI
Prokurori ushtarak i Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e Rrahman Parllakut, e vlerësoi grupin “komplotist” duke kërkuar dënimin e tyre me vdekje.
ANASTAS KOROVESHI
Gjyqtar i Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë
QEMAL HYSENAJ
Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Fierit
ERNESTO JAKOVA
Zëvendësdrejtori i Institutit të Studimeve Ushtarake, Ish-Gjeneral Major, i dënuar me grupin e të ashtuquajturit “Puçi ushtarak ‘74″
JANI PASKO
Kryetar i rrethit Berat
MUSTAFA BEQARI
Oficer i Degës së Punëve të Brendshme
ISA MILOTI
Oficer i Sigurimit të Shtetit (Shkodër)
SHYQYRI ÇOKU
Hetuesi i At Zef Pllumit (“Rrno vetëm për me tregue”)
RAHMAN PARLLAKU
Kandidat i Komititetit Qendror të PPSH, deputet i PPSH, ish-zv/ministër i Mbrojtjes, ish-Gjeneral Major i dënuar me grupin e të ashtuquajturit “Puçi ushtarak ‘74″
GANI KEÇI
Sekretar i Komitetit të Partisë për Tiranën
MELEQ BABANI
Kryetar i Komitetit Ekzekutiv te Bilishtit
VITO KAPO
Ministre e Industrisë së Lehtë, ish- Sekretarja e Parë e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, bashkëshortja e Hysni Kapos
NJAZI JAHO
Sekretar i Komitetit të Partisë për rrethin Tiranë
HAMIT MYHYRDARI
Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Laç
ILO KODRA
Shefi i kabinetit të Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së
KADRI BALLA
Fillimisht shoqëruesi i Enver Hoxhës. Vite më vonë emërohet Zv/Drejtori i Kuadrit të Ministrisë së Brendshme
DHIMITRA JAKOVA
Dëshmitare në gjyqin kundër grupit armiqësor të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Llambi Peçinit, etj
XHOXHI KONOMI
Kreu i Hetuesisë në rrethin e Lushnjës, hetues në
Prokurorinë e Përgjithshme, më pas ka punuar si këshilltar në Presidiumin e Kuvendit Popullor
LIRI BELISHOVA
Anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së. Themeluese e PKSH-së. Në vitin 1960 përjashtohet nga PPSH, internohet 21 vjet.
MANE ALIAJ
Vëllai i agjentit sekret të Kundërzbulimit shqiptar, Shemsi Aliaj pranë ambasadës shqiptare në Romë, i cili konsiderohet si një nga rekrutuesit më të mirë të Shërbimit Sekret Shqiptar në komunizëm.
LLAMBI GEGENI
Hetues në Drejtorinë e Hetuesisë në MPB
FAHRI KRAJA
Oficer i Sigurimit të Shtetit, Hetues, ish-drejtues i lartë në Sigurimin e udhëheqjes komuniste.
EMRO KONDI
Zv/kryetari i Degës Punëve të Brendshme Librazhd
AGIM BEJLERI
Oficer i Sigurimit të Shtetit
DURO SHEHU
Vëllai i kryeministrit, Mehmet Shehu.
SADUSH KUMBARO
Agjent i Sigurimit të Shtetit
STOLI LIPIVANI
Dëshmitare, pjesëmarrëse në gjyqin e Ramize Gjebreas
EQEREM BECI
Dëshmitar në gjyqin e Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, etj.
DEMIR PRODANI
Hetues i prokurorisë në disa rrethe
DHIMITËR BRISKU
Deputet i PPSH-së për Beratin, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Berat
NONDA BAKA
Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë e rrethit të Durrësit
KARAFIL KALEMI
Zv/Kryetar i Degës të Punëve të Brendëshme për mbi 20 vjet
(er.nu/Gazeta Shqiptare/Balkanëeb)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.