Shënim: Një akt i mirëpritur
Ngjarja e sotme e “sulmit me vezë” ndaj kryeministrit përçoi një mesazh jo pa rëndësi, në një skenografi të duhur. Ishin disa studentë ata që ndërmorën përgjegjegjësinë e “sulmit”, por edhe akuzës publike me fjalë të rënda si 'hajdut' e 'sharlatan'. Arsye zyrtare e reagimit u tha se ishte reforma në arsim, që sipas disa pikëpamjeve është përjashtuese për një kategori studentësh. Akuza “hajdut” nuk ka lidhje me reformën në arsim, e sidoqoftë, një reagim sado minimal në një vend ku askush nuk reagon, fiton natyrë politike. Kësisoj reagimi i sotshëm është një akt i mirëpritur, që i jep pak oksigjen një qytetarie të oksiduar tërësisht, aq më tepër që me sa u pa protagoniste kësaj radhe ishin studente femra.
Fakti që Edi Rama, i angazhuar në karrierën e vet me rininë, përballet sot me një protestë të rinjsh, studentësh, ka domethënie jo të vogël, cialdo qoftë vetëdija e protestuesve apo synimet e tyre. Ai vjen nga një rrugë e kundërvënies, e polemikës, e në rastin më fatlum të antikonformisit në një parti politike. Mund të pritej që ky reagim të ishte më i “kuptueshëm” ndaj politikanëve që përfaqësojnë të vjetrën, por me sa duket njerëzit intuitizojnë se edhe ai është pjesë e frenimit të Shqipërisë në shumë drejtime. Një frenim që ka ardhur më shumë nga moskuptimi, kaosi organizativ, boshllëku ideor, mungesa e seriozitetit dhe sidomos nga dorëzimi ndaj besimit të përgjithshëm se ky vend nuk bëhet. Sidomos për disa shqiptarë, që po ikin.
Jemi në vitin e tretë të pushtetit të së majtës dhe klima e përgjithshme, psikologjia ushqen një ndjesi se kemi të bëjmë me një pushtet në epilogun e vet. Arroganca dhe mania për luks e mbingarkon paaftësinë si perceptim unik për qeverisjen. Le të marrim në vështrim edhe disa aspekte të tjera që i japin një peshë të shtuar atyre vezëve që u hodhën sot: një opozitë mund të protestojë kundër kësaj qeverie, por historia e këtyre viteve e kompromenton rëndë besimin se nga partitë diçka mund të vijë. Një ekip deputetësh mund të kenë akses në dokumentacion e të bëjën çështje në Parlament, por me sa kemi parë dhe jemi dëshmitarë, aty gjendet menjëherë kompromisi. Aksioni ndaj informaitetit mund të shënjestrojë biznesin edhe si viktimë të akteve të përgjithshme represive, por a mund të pritet ndërgjegje dhe reagim nga kjo kategori që ka operuar deri më tani në kushte paligjshmërie? Ç’mund të thuhet për mjekët dhe profesorët e universiteteve, miq të çdo pushteti? Media është mëkatare e madhe në këtë që ndodh si rutinë, ndonëse akuza ndaj saj adresohet shpesh në mënyrë të gabuar dhe pa kuptuar se i mvishen përgjegjësi që nuk i ka. Duket pra se peizazhi socialpolitik shqiptar është nën pushtetin e amullisë dhe limontisë së kompromisit moral dhe besimit të ulët ndaj së ardhmes. Ndaj një reagim, një zë i ngritur, një dalje nga rreshti i arsyetimit se “me dikë duhet ta mbajmë patjetër mirë” pa llogaritur se e ardhmja nuk ndërtohet me psikologji militanti partiak, është i vlefshëm dhe i dobishëm. Nuk ka rëndësi emri i personit apo teprimet e një proteste: rëndësi ka që një dorë u ngrit, aty ku zakonisht ato lidhen me kartëmonedha, një zë u shfaq aty ku ulen sytë. Protesta e sotme, edhe në qoftë naive, e kurdisur etj., jep kurajën e duhur për të kuptuar se pas hijes së pushtetit nuk ka ndonjë gjë të përjetshme dhe të imunizuar përfundimisht. Ka njerëz që tremben, dyshojnë, druhen, gabojnë dhe kanë dilema. Shumë dilema. Duhet t’i ndihmojmë me çdo protestë që të shtojnë dilemat deri sa të detyrohen të dëgjojnë.
Add new comment