Nis era e re e shqiptarisë: Era pas Ballistit...

Postuar në 13 Tetor, 2015 14:13

Shqipëria nuk ka më asnjë problem, asnjë hall, nuk ka qeverisje të dështuar, as korrupsion e krim, nuk ka vërfëri. Jo. Shqipëria sot ka vetëm gëzim, gëzimin e një fitoreje në futboll, mishëruar si finale heroike e një seriali që nisi në Beograd. Por gjithsesi, sot gëzimi i Shqipërisë është i pëzishëm sepse heroi i vërtetë, Ballisti, Ismail Morina, njeriu, i cili për aq sa dimë, me vullnet të lirë dhe pa i dhënë llogari kujt, ngriti dronin në Beograd, ndodhet në burg. Një personazh që u përshfaq si autor i aktit për të marrë mandej rrëkej lavdërimi e për të përjetuar një famë gati ballkanike. Deputetë që venë e vinë në qeli, një opozitë që e shpall njeriun e zemrës dhe më tej, një aradhë intelektualësh që shkruajnë e shkruajnë për aktin e Ismail Morinës; ky është sot teatri që po luhet, në një përpjekje ku duket se shijet dhe të drejtën e vendosin çirrjet e tifozëve, e ku tifozë janë bërë të gjithë. Ja se çfarë shkruan ndër të tjera, Vladimir Myrtezai, i njohur si artist: “Brenda këtij personazhi nuk se gjejmë ndonjë gjë nga shuma e artikuluar e mendjeve të ndritura që në një aspekt konkurrues bëjnë të dallojnë me vlerat e tyre, si ndër shqiptarë po aq dhe ndër serbë – kjo lloj konkurrence ka faqet e veta sa afrish, aq edhe ndarjesh të pamohuara historike. Por, lajmësi, gjeniu në formë loje në një hapësirë krejt të pamundur është veç Ismail Morina, alias Ballisti, një nofkë së cilës i dha jehonë e respekt sa të gjitha vitet e marra së toku të bëmave që kanë kryer ballistët në të shkuarën. Askush nuk duhet të harrojë atë dhjetëminutësh mbi hapësirën serbe: ëndërr në qiell të hapur, piskamë a’ shtresim i ndërgjegjes që ngriu e bëri mal një dëshirë të kahershme të shqiptarisë – një shteg për ëndrrën e motshme. Jo konform në një hapësirë të pamundur me një sakrificë dhe instinkt prej besimtari të pashoq e naiv, shkëlqeu për pak minuta në favor të ëndrrës së projektuar, duke u bërë lajm i përbotshëm, qoftë edhe në formë rreziku të konfliktit , por pa gajle e frikë se artikulonte një ndjesi të mbrujtur gjatë, një ëndërr të rrezikshme, si çlirim i ndarë gati në palë lufte e kundër çdo rregulli e rregulloreje”(http://www.mapo.al/2015/10/ballist-morina-nje-veper-arti-shetitese). Me sa duket instinkti dhe sakrifica prej besimtari janë kufijtë e fundëm edhe për referencat e “mendimit” ndër shqiptarët “perëndimorë” që një akt sakrifice virtuale, siç është komandimi i një droni, e konvertojnë që nga Tirana në çlirim hormonal të frustracionit shekullor ndaj serbëve. Z. Myrtezai që i bashkohet një kori emocionesh, ngjan këtu një mendje e sëmurë, pasi këto "ditirmabe" patrioti mëkojnë dëshpërimin e madh për dinjitetin që nuk na e jep dot një shtet serioz. Dhe më e fundit: nëse ky akt heroik nuk do të kishte autor zyrtar, pra heroi nuk do të ishte shfaqur, çfarë do na radhiste z. Myrtezai dhe të ngjashmit e vet, që sot po kultivojnë jonizimin pozitiv të një modeli, që përndryshe, në kushte dhe shoqëri serioze, do të kishte pësuar trajtimin e diferencuar nga instinkti te ligji? Po spekullojmë edhe ne nga emocioni që na ka mbërthyer: me siguri z. Myrtezai, si piktor, do të bënte një portret të heroit të imagjinuar/s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.