Ciganët e mi

Postuar në 07 Tetor, 2015 13:34
Skënder Temali*

Mund të jenë të rrallë poetët që s’u kanë kënduar ciganëve, që nga Pushkini. Magneti që i ka tërhequr është shpirti i lirë i tyre. Mbase dhe ua kanë pasë zili në çaste të veçanta. Se ciganët ku i zinte dita, nuk i zinte nata, ku i zinte vera nuk i zinte vjeshta. Jeta shtegtare që bënin i ngjante hera-herës dhe vetë shpirtit të poetit. Po ndërtoj thjesht e pa artifice një “triptik”, sa jetësor e aq poetik për këtë shpirt të lirë.

1.

Në Shkodër është një komunitet i egjyptianëve, por edhe i ciganëve. Shumëkush dhe i ngatërron edhe pse kohërave i kanë parë si qytetarë të dorës së dytë. S’do të hyj në histori se kur, më së fundi, si kali i egër që shtrohet, edhe ata arritën të kishin një ngulim, një çadër në fushat bri lumit Buna a brigjeve të liqenit e më pas edhe një strehë mbi kokë.

Në diktaturë qenë të punësuar si hamenj-burrat, gratë në fermentim të duhanit a konservim, në pastrimin e qytetit si fshesarë. Shkollën e kishin, po e ndiqnin dhe s’e ndiqnin. Firmën kur u kërkohej e hidhnin me…gisht! Këndonin gjithë ditën, edhe kur të tjerët do të qanin. Hallet që i kaplonin i mposhtnin me këngë. Domosdo që kishin dhe orkestra, me dajre, fizarmonikë e qemale. Me këngëtarë e valltarë. Kush nuk e kujton në Shkodër Nuzon-violinistin që e shoqëronte harkun me një plastikë fytyre që të bënte për vehte, Rexhepin-fizarmoniçistin, çuditërisht me gishtat e vegjël mbi tastierë, Dritën-valltaren, Esmeralen me shenjë mes vetullave si Rita tek filmat indianë të Raxh Kapurit, këngëtarë si duetin Shaqiri-Qazimi, që për një farë kohe, në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, patën “çmendë” një Shkodër me rrethina me këngën “Bregut të detit tuej shetitë”, që zinte vendin e parë në radio-postën (muzikën e kërkuar) të Radio Shkodrës!?

Sa qeshë i ri i njoha, se peshkoja me kallam në breg të Bunës bri ngulimit të tyre. I përshëndesja një herë, të përshëndesnin tri herë, të afroheshin, të tregonin edhe histori.

Me kalimin e viteve i njoha më mirë. Sidomos kur punoja redaktor në Radio Shkodra. Kam një kujtim që ia vlen të kujtohet për të kuptuar jetën e shpirtin e tyre. Ngaqë grupi orkestral i magjypëve, siç i thërrasin rëndom në Shkodër, mori emër në lëvizjen amatore, u ftuan për të inçizuar në radio këngë nga repertori i tyre. Erdhën me ngazëllim. E kujtoj fort mirë, qe pranverë. Inçizimin mund të realizohej vetëm pas orës 20, kohë kur Radio Shkodra e mbyllte emisionin e saj ditor, por edhe sepse ajo kish vetëm një studio e një pult.

I prita me teknikun Mati Jubanin (vëllain e Artistit të Popullit-Zef Jubani), njërin nga ata që e ngritën këtë radiostacion pas çlirimit të Shqipërisë më 1945. Bëmë një provë-bosh, bëmë edhe një tjetër, edhe një tjetër. S’kish tjetër veç stonatura, sa orkestra e aq edhe këngëtarët. “More ju keni bërë ndonjë provë apo s’keni bërë?”, ngutem dhe i pyes. Ngurrojnë të më kthejnë përgjigje, dikur më thonë: “E di se si është puna, ne s’mund të këndojmë pa e kthyer një gotë raki!”. Në atë studio ishin përshkuar shumë grupe amatore, por askush nuk më kish paraqitur një gjë të tillë, edhe pse e dija se ishin orkestra dasmash ku u vihej përpara gjithçka si dasmorëve. “Po këtu nuk lejohet rakia”-ia ktheva strikt unë…

Pas pak bëra një kompromis. Do të vinin të nesërmen mbrëma, le ta mirrnin edhe një shishe raki, po fshehur që të mos ua shihte kush tek hynin. Kaq. Dhe ashtu ndodhi, bile dhe përtej. Veç shishes së rakisë e disa gotave, sollën në një tavë edhe një krap. Më mbuluan djersët se mund të kisha ndonjë pasojë të pariparueshme nga eprorët. S’kisha nga t’ia mbaja. Hyra edhe unë në studio dhe e ktheva një gotë me ta. Krapi qe krap, i gatuar me mjeshtri, si zanat që e ka Shkodra. Mbi të gjitha u regjistruan disa këngë. Stonatura pat avulluar si rakia, pat shtegtuar si shpirti i tyre i lirë!

2.

Ndërtohej hidrocentrali i Vaut të Dejës. Si gazetari i vetëm i kësaj radioje lokale, mbuloja çdo ditë një emision “Sot në hidrocentral”. Shkoja gati përditë nëpër kantiere. Nisa të njoh me emër jo vetëm drejtuesit, inxhinierët e teknikët, por edhe punëtorët. Bisedat që bëja e informacionet që jepja pas njëfarë kohe u bënë monotone: kaq shpërthime, kaq metra kub, kaq përqind mbi planin. Kërkoja të gjeja diçka përtej tyre. Dhe e gjeta, në një kovaçhane, se edhe kovaçhane kish kantieri! Punonte një cigan, Azis Vorfi. Ai qe “brigadieri” i farkës dhe si ndihmës kish familjen e tij me shumë pjesëtarë. Shqipen e fliste rrapa-shkrrapa. Kishin gjuhën e tyre. E pata të vështirë ta regjistroja në magnetofon bashkëbisedimin me të. Por ndërsa komunikoja, ai jepte edhe urdhra për punën. Një tjetër befasi: Emrat e punëtorëve të farkës-fëmijëve të tij- ishin krejt “unikalë”: Drita, Montator, Centrale!!! Më vonë shkrova një poemë me titullin “Këngë cigane”, madje libri im i parë poetik i botuar në vitin 1971 mori këtë titull, aq sa, poeti i mirënjohur dhe studiuesi kosovar Agim Vinca, në takimin e parë me të më pat thënë “Unë kam menduar se je cigan!”.

3.

Qasja në jetën e shpirtin e tyre është e hershme në letërsinë shqipe, madje një nga prozatorët e parë të përmendur shqiptarë, Dom Ndoc Nikaj-babai i romanit të parë të botuar në gjuhën shqipe, në romanin e tij “Berbuqeja”- një linjë ndër kryesoret ka atë të ciganëve, siç edhe krijimin e një personazhi-Pluçit, aq i zoti në blerjen lirë të kuajve ngordhalaqë e shitjen e tyre pas disa ditëve disa fish, si akrobat në tregti.

E kam parë me syrin e krijuesit shpirtin e tyre të lirë. Krijova dhe një baladë me titullin “Xhambazi”, të cilën e botova në një nga vëllimet e mi poetikë më të fundit. Mbase është krijimi im më i ndjerë për ciganët:

Kuaj shes, ndaj jam xhambaz,

Jeta ime vaj e gaz,

Njëmijë herë gruan tradhtoj,

Por për të jetën flijoj….

*Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shkodranë

"Dita"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.