Heshtja e papërligjur

Postuar në 05 Tetor, 2015 13:07
Eugjen Merlika

Duke lexuar gazetën “Corriere della Sera” të datës 29 shtator, në faqen 44, në rubrikën “Lettere al Corriere”, të mbarështuar nga ish-diplomati, studiuesi i historisë dhe politologu i njohur italian, Sergio Romano, hasa një argument interesant të trajtuar, më së fundi, thjesht e qartë. Nuk kishte në të atë mjegullnajë, që shpesh ngatërron fillin e arsyetimeve, duke i ardhur vërdallë një problemi, pa hyrë në thelbin e tij, që me shumë fjalë nuk thuhet asgjë. Është kjo një karakteristikë e shumë politikanëve, kudo në botë, por jo rrallë edhe e gazetarëve apo analistëve vështirë të kuptueshëm.

Zakonisht, Sergio Romano nuk parapëlqen t’u përgjigjet letrave “të vështira” të lexuesve, por kur e merr përsipër, ka meritën të jetë i sinqertë, duke mos e fshehur mendimin e tij, edhe se mund të jetë i pakicës në opinion. Argumenti i letrave të dy lexuesve ishte vizita e fundit e Kreut të Vatikanit në Kubë dhe SHBA.

Kam kuptuar tërthorazi se në Kubë kanë shpënë më shesh ata të një mendjeje, ndërsa të kundërtit janë lutur njerëzisht të qëndrojnë në shtëpi. Duket gati si ana tjetër e një medaljeje të çuditshme. Komunistët që himnizojnë Papën! Dhe pyes veten se përse pasardhësi i Shën Pjetrit nuk ka thënë: më sillni këtu kundërshtarët, mbasi ndoshta zëri i tyre është më i fortë se i imi! Çudí! Ndoshta globalizimi dhe mashtrimi mbretërojnë pa kufizim edhe në Vatikan”.

Firma e shkruesit

Kjo ishte letra e parë që ka një kah të prerë këndvështrimi e paraqet një lloj shqetësimi që shkon duke u shtuar. Është kjo arsyeja që edhe Romano e zgjedh për t’iu përgjigjur. Ja edhe letra tjetër, me një ndryshim të madh nga e para, qoftë si interpretim ngjarjesh, qoftë si mendësi e prirje arsyetimi politik.

Nuk mund të mos jesh i kënaqur për heqjen e embargos Kubës, të zgjatur bukur shumë 52 vjet e për shkëmbimin e të burgosurve të ndërsjelltë. Edhe vizita e Papës Françesku dhe takimi i tij me Fidel Kastron i anëshkrohen një kthese paqtuese. Kam vënë re se shumë mjete informacioni nuk kanë mbetur të kënaqura dhe do të kishin mëtuar më shumë nga kubanët. Do të doja që ju të flisnit për marrëveshjet e përfunduara dhe çfarë do të kishin dëshiruar më shumë kundërshtarët e kastristëve.”.

Firma e shkruesit

Ja edhe përgjigjja e Sergio Romano-s

Obama, Kastro, Francesco,  një pakt trepalësh

Të dashur lexues,

            Kur një gazetar e pyeti Papën se pse nuk priti disidentët në selinë e Ambasadës papnore, Françesku u përgjigj se, në atë rrethanë nuk ishte qëllimi i tij të bënte pritje, madje as edhe të një Kryetari Shteti. Do t’i shihte disidentët, ndërmjet besimtarëve të tjerë, në atë katedrale. Të përkthyera më qartë ato fjalë donin të thoshin se Papa, gjatë udhëtimit të tij në Kubë, nuk do t’i jepte hapësirë opozitave. Hipokrizí ? Oportunizëm ? Apo më thjesht realizëm ? Mbrapa rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet SHBA-së dhe Kubës, ka një shkëmbim. Amerikanët, më së fundi, dalin nga një rrugë pa krye dhe mund të kthehen në Kubë me të gjitha levat politike dhe ekonomike që zotërojnë. Kisha, me gjasë, do të mundet të zgjerojë hapësirat e kufizuara dhe të kontrolluara që ka gëzuar në dhjetëvjetorët e shkuar. Regjimi zyrtarisht njihet si titullar i ligjshëm i pushtetit pra, i vetmi bashkëbisedues i besueshëm për këdo që kërkon të përballojë probleme që lidhen me të ardhmen e ishullit. Shtetet e Bashkuara kanë një interes të dukshëm të nxisin ndonjë ndryshim thelbësor të regjimit kuban, por me vendosjen e marrëdhënieve, kanë treguar se nuk mëtojnë t’i detyrojnë vëllezërit Kastro për kohët dhe mënyrat e veprimit.

            Nuk është një shkëmbim i keq. Askush në Perëndim nuk dëshiron që kalesa të dalë nga duart e të marrë një prirje revolucionare. Është më mirë që regjimi i Kastros të shuhet për arsye regjistri të gjendjes civile. Disidentëve në këto çaste i leverdis të kenë durim. Të paduruarit nuk do të priteshin as në Uashington, as në Romë.

Kjo është përgjigjja sintetike e mbarështuesit të rubrikës së letrave të gazetës më të madhe italiane. Përgjigjja është mjaft e qartë, madje tepër e saktë përsa i përket filozofive politike të dy fuqive të botës së sotme, njëra fetare e morale e tjetra, mbetur e vetme në majë të piramidës së fuqive ekonomike e ushtarake. Nëse Presidenti amerikan nuk paraqet ndonjë të papritur në këtë drejtim, Kryetari i Kishës katolike, me shfaqjen e një pragmatizmi të skajshëm, kryesisht në një drejtim, habit e lë për të dëshiruar.

Që Kuba të dalë nga izolimi ku e ka futur veten mbas dhjetëvjeçarësh eksportimi të teorive e praktikave komuniste në Amerikën Latine e në Afrikë, është në dobi të saj, por edhe të botës me sa më pak përplasje. Që diktatura kubane të fitojë të drejtën e qytetarisë me nderime në Uashington e Vatikan, është një dukuri që, së paku, le në mëdyshje të gjithë ata që, në këta vite të gjata, nuk kanë miratuar metodat e praktikat e saj. Që ata që vuajnë ende përndjekjet politike në Kubën e vëllezërve Kastro dhe posterave të Çè Guevarës, të bëjnë durim deri sa të vdesin të gjithë drejtuesit komunistë, pa asnjë shpresë, mbasi askush, as personalitetet më të larta e karizmatike të botës së lirisë, nuk duan të dinë për ta, është një gjë shumë e hidhur. “Kjo është politika” më tha im bir, kur i dhashë të lexonte përgjigjen e Romanos. Do të shtoja se kjo lloj politike, që nuk mban parasysh dhunën policore mbi kundërshtarët në botëkuptim, që nuk ka në ADN-në e saj kahun e së drejtës, që nuk zë në gojë viktimat e komunizmit të cilat, çuditërisht, mbeten jashtë çdo liste viktimash, për të thënë pak, është një krijesë e cunguar.

Është ajo politikë që ka shoqëruar lodrat tona fëminore, të reduktuara në një top lecke, që ka thyer ëndrrat tona për të studiuar, që na bëri të rriteshim jetimë, mbasi prindërit dergjeshin burgjeve dhe internimeve, që na kishte dënuar të ishim qytetarë të kategorisë së fundit në tokën në të cilën lindëm. Pakicat e flijuara në altarët e shumicave janë një dukuri e zakonshme, sidomos në shekullin që shkoi. Me rënien e komunizmit,  trajtimi i atyre pjesëve të shoqërisë, të luftuara për vdekje prej tij, me indiferentizmin dhe heshtjen apo, së shumti, me një pasaportë të një të mërguari të thjeshtë, mbetet e vërteta e periudhës së kalesës në ish-vendet komuniste. Dyshimet e kohëve të para mbi vërtetësinë e ndryshimit sa i përket ish të përndjekurve, u pasuan nga shfaqja e dukurive të hapura që dëshmonin se ata mbeteshin gjithmonë qytetarë të fundit. Përgjigjja e Romanos ndihmon në shpjegimin e arsyeve të kësaj të vërtete sepse, siç thotë ai “askush në Perëndim don një prirje revolucionare”. Çuditërisht “prirjet revolucionare” u vishen atyre që kanë vuajtur gjithë jetën si “kundërrevolucionarë”! Ndërsa revolucionarët e hershëm janë bërë paqësorë, afaristë, politikanë ithtarë të SHBA-së dhe Evropës, miq të thekur të imperialistëve të dikurshëm edhe se në raftet e tyre fshihen male kufomash. “Duket gati si ana tjetër e një medalje të çuditshme” shkruan lexuesi.

Parimet bazë të shoqërive të lira, qoftë ata të liberalizmit iluminist, qoftë ata të doktrinës sociale të Kishës katolike, vihen në ngrirje, sepse “marrëveshjet” historike dhe “epokale” kërkojnë pjesën e tyre të flive. E provuam ne, shqiptarët, këtë lloj kompromisi katovician ramizist një çerek shekulli më parë. Po e provojnë sot kubanët të cilëve Obama i u blaton si një fitore historike, jo domosdoshmërinë e të persekutuarve për t’u kthyer në një jetë normale me të gjitha të drejtat e tyre të shpërblimit moral e material, por një farë “shprese” që lidhet me gjendjen civile të “heronjve” të diktaturës….

Por nëse politika, në tërësi, nuk na befason më me veprimet e saj “të paperceptueshme” për mendjet e zakonshme, ngrirja e shpresave të të përndjekurve politikë në Kubë, nëpërmjet një “marrëveshjeje” që mban edhe vulën e Zëdhënësit të Krishtit në tokë, le një hidhësirë në gojë. I akuzuar nga ndonjë gazetar si “komunist” Papa Françesku hedh poshtë  etiketimin, duke vënë në dukje se ai zbaton gjithmonë vetëm doktrinën sociale të Kishës. Para klerit amerikan ai u shpreh : “Zemra e Papës, e Zëvendësit të atij që mbi kryq  ka përqafuar gjithë njerëzimin, zgjerohet për t’i futur të gjithë.

Ne nuk dimë se çfarë ka biseduar kokë më kokë Papa me vëllezërit Kastro, por zyrtarisht ka heshtje për disidentët dhe të përndjekurit e diktaturës. Nga burime zyrtare, jo të shtypit mësohet se ndërhyrja e Papës ka sjellë lirimin e rreth tremijë te dënuarve politikë. Urojmë që procesi i filluar të shkojë përpara. Real politika kërkon që të kryhet në heshtje, sepse regjimi nuk dëshiron të pranojë hapur natyrën e tij. Shumë vite më parë kur Nënë Tereza shkoi në Kubë e i kërkoi qeveritarëve të saj lejen për të hapur shtëpi për të varfërit, ata i u përgjigjën se atje nuk kishte të vobekët. Ishte e njëjta përgjigje që mori misionarja shqiptare në atdheun e saj nga zonja Nexhmije.

Tani heshtja ndihmon regjimin të vazhdojë mashtrimet e tij të zakonshme e hedh një pluhur harrese mbi viktimat, të cilat meritojnë një rikthim, me të gjitha të drejtat në shoqërinë kubane. Prandaj është e rëndësishme të flitet, prandaj  ajo heshtje më duket e papërligjur, për më tepër kur e krahasoj me nderimin e dëshmuar haptas, një vit më parë, ndaj martirëve të kishës katolike shqiptare.  Nuk dua të pranoj në vetvete se pakti trepalësh, që shërben si titull i përgjigjes së Romanos, është një e vërtetë e dukshme, sepse e kam të vështirë si besimtar katolik e si ish-viktimë e diktaturës, të pranoj se ai pakt interesash hyn në doktrinën sociale të kishës.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.