Obama flet për viktimat e Oregonit: Nuk mund t’ia dal dot i vetëm përballë tragjedive
Duhet të bëjmë diçka për të ndryshuar gjërat, por unë nuk mund t’ia dal dot i vetëm dhe shpresoj që gjatë mandatit tim presidencial të mos vij më në Oregon për të bërë ngushëllimet e rastit, deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama për tragjedinë në një kolegj të Oregonit, ku mbetën të vrarë 13 persona. “Por, bazuar mbi përvojën time, nuk mund t’ua garantoj një gjë të tillë”, shtoi ai, gjatë një deklarate televizive, ku dukej qartë që ishte tepër i tronditur dhe i emocionuar. “Jetët e familjeve u ndryshuan përgjithmonë sërish edhe një herë”, tha Obama për hapjen e zjarrit në kolegjin ”Umpqua Community” në Oregon. “Jemi i vetmi vend modern në botë ku pothuajse çdo muaj shohim të tilla ngjarje. Këto ngjarje janë kthyer në rutinë”, theksoi ai. Të paktën 13 persona u vranë pas një shkëmbimi zjarri dje në kolegjin ”Umpqua University” në Oregon, në veriperëndim të SHBA-së, sipas stacioneve televizive amerikane. CNN, që citoi burime policore si dhe stacioni televiziv CBS njoftuan fillimisht për 10 të vdekur, ndërkohë që stacioni lokal televiziv ”KATU News” njoftoi për 15 të tillë. Media përmendi gjithashtu dhe 20 të plagosur. Sipas CNN-it, autori i të shtënave u arrestua.
Add new comment