Ulet konsumi familjar, shqiptarët shpenzojnë vetëm për bukën e gojës
Sipas të dhënave që bën publike INSTAT, shpenzimi mesatar mujor i familjeve shqiptare ka ardhur në rënie. Duket se edhe tani shqiptarët vazhdojnë të mendojnë dhe të shpenzojnë më shumë për ushqimin dhe më pak për elementët e tjera të jetës. Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e buxhetit të familjeve për vitin 2014, që tregoi se një familje shqiptare shpenzon për konsum mesatarisht rreth 69 mijë lekë në muaj, shifër kjo pothuajse e njëjtë me atë që rezultoi në anketën e viteve 2006-2007. Duke llogaritur efektin e inflacionit, mund të thuhet se vitin e kaluar familjet shqiptare shpenzuan më pak. Sipas rezultateve të anketës, grupi kryesor i konsumit ngelet ushqimi, që përbën rreth 44% të konsumit familjar mujor. Pesha e këtij këtij grupi ka rënë me tre pikë përqindjeje krahasuar me anketën e vitit 2007. Në rritje të ndjeshme janë shpenzimet për banesën, që përfshijnë qiranë, energjinë elektrike apo ujin, që tashmë zënë mbi 10% të shpenzimeve familjare, nga 7% që zinin në vitin 2007. Një tjetër grup shpenziemsh që ka njohur rritje mjaft domethënëse ështrë arsimi dhe çdo familje shpenzon për të 4.2% të buxhetit mujor për konsum, nga 1.7% në vitin 2007. Qarku me konsumin më të lartë mujor është Tirana, me afro 82 mijë lekë, ndërsa konsumi më i ulët është në Qarkun e Elbasanit, me 53 mijë lekë.
Add new comment