Ku konsiston axhenda e Politikës së Jashtme të kryeministrit?
Sot deputetë të Parlamentit të Shqipërisë po kërkonin kryeministrin Edi Rama që të ishte prezent në seancën plenare. Më vonë, ai mungoi edhe gjatë fjalës së Presidentes së Kosovës në Kuvend, Atifete Jahjaga. Nuk bëhet fjalë për bojkot, por për një vizitë në Gjermani. “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka nisur sot vizitën zyrtare në Mynih, i ftuar nga Kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer. Gjatë kësaj vizite Kryeministri Rama shoqërohet nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi. Gjatë takimit mes dy delegacioneve që do të zhvillohet ditën e nesërme, Kryeministri Rama do të diskutojë me Kryeministrin Seehofer mbi bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe rajonit të Bavarisë, bashkëpunimin në fushën e arsimit profesional dhe universitar, por edhe mbi çështjen e azilantëve që mbetet një temë aktuale”, njofton zyra e shtypit e Kryeministrisë.
Njoftimi për këtë vizitë ngacmon një çështje që bie në sy: axhendën e politikës së jashtme të kësaj qeverie, e padyshim këtij kryeministri. Mundet fare mirë që pas dy vjetësh në pushtet, të pyetet: a ka axhendë kryeministri? Politika e Jashtme e Shqipërisë dihet: Integrimi dhe fqinjësia e mirë, pjesëmarrja në NATO etj.. Po axhendë? Vizitat e rëndësishme në Shqipëri, nuk dëshmojnë asgjë përveç peshës që merr Shqipëria në raste të caktuara e në një kontekst të gjerë.
Po të kujtojmë, ka një iniciativë të qenësishme, që ka vlerë e që është vlerësuar: kjo kur Shqipëria inicioi furnizimin me armë të luftëtarëve peshmerga kundër ISIS.
Po tjetër?
Edi Rama ka vizituar më shpesh Italinë, ku nuk heziton të shfaqet edhe ne talk show që nuk i shkojnë një kryeministri, shfaqet në rajone të Italisë ku bën deklarata që bëjnë njerëzit për të qeshur. Po cili është produkti i tyre?
Nuk dihet ende ndonjë gjë për qasjen në rajon: edhe për rastin e Maqedonisë, u kërkua nga ndonjë këshilltar, apo nga vetë kryeministri një Marrëveshje e re, përtej asaj të Ohrit, u nënkuptua një formë kërcënimi për Maqedoninë dhe ambicien e saj për anëtarësim në NATO, por kaq. Edhe hetimi i kërkuar për rastin e Kumanovës ishte më shumë show, pasi nuk ka një përpjekje të qëndrueshme.
Sot presidentja e Kosovës, foli për nevojën e heqjes së barrierave burokratike, çka do të thotë se pakgjë ka ndryshuar edhe me Kosovën. Është e tepërt të kujtojmë këtu sagën e premtimeve në Preshevë etj., pasi ato u bënë së fundmi objekt ironie edhe nga “miku i tij Aleksandër”.
Është për të qarë e për të qeshur, por kryeministri i Shqipërisë, nuk ia doli të ketë sukses as në objektivin strategjik të vetin: miqësimin me kancelaren gjermane Merkel. Samiti i Vjenës e provon këtë, pasi Shqipëria nuk mori ndonjë gjë konkrete. Edi Rama e ktheu marrëdhënien me Gjermaninë në një tablo të kushtëzuar nga ecuria e miqësimit të tij me Merkel. Por kjo nuk funksionon. Pak ditë më parë u njoftua një ftesë e papritur e Merkel për kryeministrin serb Vuçiç, i cili shkon edhe në ShBA. Këto janë zhvillime diplomatike jo pa rëndësi dhe flasin për ndryshime në rajon, që e lënë pas edhe vizitën e Ramës në Bavari. Le të vihet re: për çështjen e ndjeshme të azilkërkuesve, kryeministri i Shqipërisë, një vend i shpallur problematik, do të diskutojë me kryeministrin e një landi. A ka diçka më shumë përtej këtij takimi? Do pritur(në tetor, Edi Rama hap një ekspozitë në Munih).
Marrëdhënia me ShBA-të e kësaj qeverie mbetet e paqartë. Gjithnjë parë në kontekstin e PR që ambasada amerikane ka në Shqipëri. Vihet re një heshtje e ambasadës, një tërheqje, edhe pse ambasadori Lu, bëri prezantim impresionues në fillim me mesazhin shqip. Nuk është e ekzagjeruar të thuhet se kriminalizimi i listës së të zgjedhurve në Parlament e në pushtetin vendor ka kosto për vendin. Pasi jemi një aspirant për t’u integruar në BE, një klub ku nuk ecin arsyetimet se “sa kohë nuk ka vendim gjyqi, çdo gjë lejohet”.
Sa për Greqinë, kjo tanimë dihet: marrëdhënia me këtë vend shitet si një akt patriotizmi që konfirmohet një herë në muaj me stisjen e ndonjë incidenti, apo “çështjeje”.
Në vitet e fundit të qeverisjes së Sali Berishës, ra në sy një lloj izolimi ndërkombëtar e këtë kartë ish-opozita socialiste e përdori jo pak. Jemi në vitin e tretë të qeverisjes së të majtës, por nuk ka ndonjë ndryshim. Ambicia për protagonizëm dhe show nacionalist është në krye të listës së asaj që mund të quhet axhendë takimesh. Shqipëria mbetet një vend që thotë “po” për çdo gjë në këmbim të hardallisjes në korrupsion e krim këtu brenda. Nëse do të kishte një axhendë të qartë, shumëkush do të arrinte të bënte lidhjet shkak-pasojë të qëndrimeve të Shqipërisë, atëherë kur ajo ka të tilla. Por ja që duket se nuk është kështu.
Add new comment