Të besosh ministrin Panariti kur thotë se nuk e dinte që fituesi i tenderit të Patokut ishte vëllai i deputetit...
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se nuk e ka ditur që firma fituese e tenderit të shfrytëzimit të lagunës së Patokut është e vëllait të deputetit Prenga, raporton Tv Klan. Ky tender është shkaku i përplasjes së armatosur mes familjes Cali dhe deputetit Armando Prenga, e cila la 7 të plagosur. Tenderi i zhvilluar në muajin prill iu dha kompanisë së themeluar vetëm pak muaj më herët, “Tekni 01” të Eduard Prengës, vëllait të deputetit. Familja Cali akuzoi menjëherë Ministrinë e Bujqësisë për favorizim të kompanisë “Tekni 01” për shkak se pas saj qëndronte deputeti i mazhorancës. Kjo familje që përfaqëson peshkatarët e zonës, e shfrytëzonte lagunën prej dy dekadash. Ajo tashmë po përballet me një proces gjyqësor.
Ministri Panariti nuk është hera e parë që shquhet për “qëndrime solide”. Mjaft të kujtojmë kaosin që mbolli me tregtinë e miellit me Kosovën, ku pasi vizitoi një fabrikë mielli në Tiranë deklaroi se mielli serb me krunde që vjen nga Kosova, është poshtë standardit të BE-së dhe do ndalohet. Por pak ditë më pas shkoi në Prishtinë ku i treguan një fletë analize të këtij mielli që e “bindi” ministrin tonë se produkti në fjalë, ekskluzivitet i familjes së fuqishme Devolli në Kosovë, ishte i shkëlqyer.
a.j
Add new comment