Shpëtim Idrizi presion Ramës: Duhen ndryshime në qeveri
Aleati më i ri i maxhorancës së majtë, Shpëtim Idrizi, në një intervistë për “Panorama” i bën thirrje Kryeministrit Rama që të ndërmarrë ndryshime rrënjësore në kabinetin qeveritar. Idrizi thekson se kabineti Rama ka nevojë për emra, stil dhe përmbajtje të re. Sipas kreut të PDIUsë, kompozimi aktual i qeverisë e ka dhënë mesazhin e tij këto dy vite qeverisje, ku shqiptarët po largohen nga vendi. “Ky kompozim qeveritar me emrat, fytyrat, stilin, përmbajtjen dhe frymën e tij e ka kumtuar mesazhin që ka në këto 2 vite. Nuk po gjykoj as pozitivisht e as negativisht këtë kumt e mesazh, por po them se ka diçka që nuk po u flet shqiptarëve si duhet. Dhe shqiptaret po ikin. Kjo duhet të ndryshojë. E nëse ky ndryshim kërkon edhe ndryshime të dhimbshme emrash, fytyrash, stilesh, përmbajtjeje dhe frymë ministrash, nuk ka pse jo. Karriera e asnjë ministri, e asnjë ekuilibër politik, nuk e vlen këtë dëshpërim të madh të shqiptareve që rendin ta braktisin Shqipërinë”, thekson ai. Sipas "Panoramës", Idrizi bën presion ndaj kreut të qeverisë që t’i japë PDIU-së përfaqësim në të gjitha nivelet e qeverisjes, edhe në post ministri. Shpëtim Idrizi ka komentuar dhe çarjen e përfolur mes së majtës, duke thënë se në rast se dy forcat kryesore të maxhorancës nuk do të arrijnë të bashkëqeverisin, atëherë ato duhet t’u drejtohen zgjedhjeve.
Add new comment