Ambasada e Rusisë: Rusia nuk bllokon eksportin e grurit drejt Shqipërisë
Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka hedhur poshtë si të pabazë çdo lajm apo insinuatë se ky vend do të bllokojë eksportin e grurit drejt vendit tonë. Në një njoftim për shtyp, ambasada bën me dije se masat e marra për embargon ndaj mallrave bujqësore shqiptare, vjen në përputhje me reagimin reciprok dhe se ato nuk lidhen me eksportet ruse të grurit. “Ky hap i ndërmarrë në bazë të parimit të reciprocitetit ka qenë një kundërmasë e Rusisë ndaj vendeve që e kanë mbështetur vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2015/971 të dt. 22 qershor 2015 për zgjatjen e sanksioneve të paligjshme ekonomike kundër Rusisë, lidhur me të ashtuquajturat “veprime destabilizuese të Rusisë në Ukrainë” dhe vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2015/959 të dt. 19 qershor 2015 për zgjatjen e sanksioneve të paligjshme ekonomike kundër Krimesë dhe Sevastopolit”, shprehet ambasada. Lidhur me eksportin e grurit, ajo qartëson më tej: “Në rast se do të merret vendimi për bllokimin e importeve të grurit rus në Shqipëri, mund të themi me siguri të plotë që kjo nuk do të bëhet nga Rusia”.
http://www.ata.gov.al/cdo-shqetesim-per-nje-nderprerje-te-mundshme-te-fu...
Add new comment