Përgjime edhe për llogari të miqve
Para më shumë se një viti, kur në media qarkulloi lajmi se shërbimet gjermane kishin survejuar në Shqipëri, kryeministri shqiptar tha se “ne nuk kemi çfarë të fshehim nga miqtë”. Është një nga ato deklarata që hidhen kuturu, si për të thënë se “tani jemi të brendshëm me të mëdhenjtë”. Mirëpo diskutimi është më i gjerë dhe me shumë implikime, kur vjen puna te fakti se përgjimet e sotme, po rezultojnë në krijime të qendrave të të dhënave që administrohen në një dorë. Kjo dorë është SHBA. Dhe rasti e solli që kontrolle të tilla ShBA ushtron edhe në një vend si Gjermania, e cila hyn te të fuqishmit e kësaj bote, ku ligji është ligj. Çfarë ndodh me të dhënat tona? Kjo është pyetje shqetësuese po të mbahet parasysh se edhe për aplikimin e një pasaporte, një shtetas shqiptar i dorëzon shenjat biometrike të veta, një kompanie të huaj koncesionare.
Për t’u kthyer te luajaliteti i kryeministrit, a ndodh vërtet kështu: a duhet të kemi kujdes edhe nga miqtë? Kuptohet aq sa mundemi të kemi. Përgjigjen na e jep vetë Gjermania, tek e cila kemi “dorëzuar çelësat” së fundmi. Në një intervistë për revistën “Spiegel”, shefi i Kabinetit të Kancelares Merkel, Peter Altmaier, mendon se “duhet ruajtur edhe nga miqtë”. “Marrëdhënia jonë me amerikanët është e mirë, pavarësisht asaj që ndodhi. Gjithsesi, unë jam i gatshëm, në çdo kohë, që të adresoj çështje për të cilat jam i bindur se nuk po shkojnë mirë. Ne gjithashtu e mbrojmë veten nga miqtë, kur kjo është e nevojshme”, thotë Altmaier. Çështja mes gjermanëve dhe amerikanëve ka dalë në sipërfaqe pasi në media u publikua informacioni se NSA-ja amerikane kishte dërguar grupe kërkimi –përzgjedhësit – në Gjermani, të cilëve BND-ja u vuri në dispozicion sistemet e monitorimit. Kjo u konsiderua skandal, por Altmaier thotë se kemi të bëjmë me “prekje të interesave tona dhe atyre europiane, por jo me shkelje të ligjit”. Sipas tij, “ajo që po bënin të dyja shërbimet nuk ishte “Ok”, por kjo nuk do të thotë se ishte antiligjore”. Në Gjermani, ishte media dhe Snowden që çuan në furtunën e përgjimeve, ishte reagimi i opozitës dhe funksionimi i demokracisë që sollën ngritjen e një komiteti hetimor. E pavarësisht të gjithave, Altmaier ka kurajë të thotë se “...vlerësimi ligjor është i ndryshëm për çdo rast...Kjo është arsyeja pse ne nuk jemi në gjendje aktualisht që t’u përgjigjemi shumë pyetjeve, veçanërisht si pasojë e faktit se amerikanët me sa duket nuk kanë interes në sqarimin e të gjitha këtyre që ndodhën”. Pra leja merret në Washington( http://www.spiegel.de/international/germany/nsa-interview-with-german-intelligence-coordinator-altmaier-a-1048072.html).
Sa shërben ky shembull për të kuptuar atë që mund të ndodhë në Shqipëri, ku parashikohet rikrijimi i një strukture si Byroja Kombëtare e Hetimit, në varësi të qeverisë dhe instalimi i pajisjeve për përgjim elektronik. Si do të veprohet nga qeveria jonë nëse ka një kërkesë analoge nga shërbimet partnere? Përgjigjen e marrim me mend nga rasti gjerman, ose edhe nga kryeministri që ka përgjigjen lapidare: “Ne nuk kemi çfarë të fshehim nga miqtë”. Zhvillimi i një sistemi kompleks dhe aktiv përgjimesh kërkon medoemos garancitë ligjore dhe demokratike. Në Shqipëri këto nuk ekzistojnë, ndaj demagogjia që emfatizon nevojën për siguri, përherë do të kërkojë haraçin ndaj lirive të të gjithëve, që edhe kështu nuk respektohen.
Add new comment