Gjermania josh me 600 euro azilkërkuesit që kthehen me dëshirë në atdhe

Postuar në 01 Gusht, 2015 18:31

Fluksi i madh i refugjatëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka bërë që Gjermania të gjejë një mënyrë tjetër për të trajtuar numrin e lartë të azilkërkuesve, përfshirë ata nga Shqipëria dhe Kosova. “Balkanweb” citon mediat gjermane duke ndalur në faktin se refugjatët që kanë hequr dorë me kërkesën e tyre për azil në qarkun e Lorrachut (landi jugor Baden Württemberg), do të marrin ndihmë për kthimin e tyre në vendlindje dhe një shumë prej 600 eurosh. Sipas medias gjermane “24.de”, programi ka për qëllim uljen e kostove për trajtimin e azilantëve. Mediat shkruajnë se nga programi i kthimit në këtë zonë janë shpenzuar rreth 65.000 euro dhe rreth 107 persona kanë pranuar ofertën për t’u kthyer në javën e ardhshme me autobusë në atdheun e tyre. “Në ofertat e mëparshme në nëntor dhe shkurt 141 njerëz kanë përdorur ndihmën e kthimit”, shkruan “24.de”. Sipas mediave gjermane, në gjysmën e parë të 2015, rreth 179.000 persona kanë aplikuar për azil në Gjermani – dy herë më shumë si një vit më parë. Aplikacionet e mëvonshme mund të bëhen pas një refuzimi fillestar, kur atëherë situata ka ndryshuar në favor të aplikantit. Autoritetet gjermane po diskutojnë edhe për ngritjen e qendrave të pritjes dhe vendosjen e personave që vijnë nga vende të ashtuquajturat vende të sigurta të origjinës, si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.

 

http://www.balkanweb.com/site/azilkerkuesit-ne-gjermani-premtohen-600-euro-per-ata-qe-kthehen-me-deshire-ne-atdhe/