Burg thotë qeveria, burg thotë edhe bashkia

Postuar në 02 Gusht, 2015 21:20

Erjon Veliaj ka nisur punën. Siç kishte deklaruar më herët, Tirana nuk pret dhe ka nevojë për angazhim. Si punë ndër të parat ka zgjedhur inspektimin e monumentit të Pavarësisë, që është dëmtuar nga grabitës të metalit. Dhe me këtë rast, kryetari i bashkisë ka paralajmëruar aksionin e radhës, atë kundër vandalizimit të qytetit. “Paralajmërimi që bëjmë sot është që do procedohet penalisht, kush guxon që të urinojë poshtë urës apo dëmton veprat e artit të qytetit, kush dëmton pronën e përbashkët dhe pronën e bashkisë do shkojë në burg”, tha kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. Këtu mund të lindin disa probleme që nuk janë parashikuar nga bashkia. Poshtë urës urinojnë edhe njerëz të pirë, të paqëndrueshëm psikikisht, apo edhe ata që ngatërrojnë Tiranën me një WC publike. Ata të orëve të vona, urinojnë edhe rrugëve. Si t’i dënosh penalisht këta njerëz? Le të vihemi për një moment në një seancë gjyqësore, ku përfaqësues të Bashkisë, të veshur shumë mirë dhe që kanë bozën si pije zyrtare, shfaqin pretendimet e tyre se një iks individ, u kap duke bërë “pipinë” poshtë urës së Lanës. “Kam qenë i pirë”, mund të thotë qytetari që na vjen këtu me alibinë e Maliqit te filmi i njohur. Nuk po flasim këtu për fshatrat që iu shtuan Tiranës së fundmi, e ku kombinimi hije, kanal, përrua, kasolle, rrugë, mund të rezultojë fatal. Tani që u bënë qytet.
“Të sigurohemi që luftën me zhulin e fiton qyteti dhe jo plehrat. Secili duhet të bëjë detyrën e vet. Disa qytetarë nuk mund të prishin atë çfarë është bërë me taksat e qytetarëve të Tiranës”, shtoi Veliaj(http://www.gazetatema.net/web/2015/08/02/veliaj-inspekton-restaurimin-e-...). Bubullijnë këto imperativa teksa qytetin e kap drithërima e revolucionit kulturor. A ka marrë vallë ekspertizë ndërkombëtare për këtë çështje? Si veprohet ta zëmë në metronë e Parisit që shefi i tij e njeh aq mirë? Por pyetja politike është:
Si mundet që një kryetar bashkie të flasë për burgosje, vepra penale, ndërkohë që as i zuri në gojë këto kur bënte fushatë. Kjo e shurrës që shqetëson Erjon Veliajn zyrtarisht, na kujton atë vëzhgimin e hollë të të ndjerit Teodor Keko: “Çfarë pret nga një popull që e bën shurrën aty ku e zë”, shkruante Keko. Natyrisht asgjë të mirë nuk mund të presësh. Por të shkosh në burg për këtë gjë? Nëse këto që na thotë z. Kryetar do të bëhen operative realisht, një ditë, kur protesta të nisë kundër tij, me siguri do t’ia sigurojë paradoksin: një protestë e urinimit masiv para mureve të bashkisë, do t’ia kalonte ku e ku protestave të pabesa të “Mjaft” që dikur ky me shokët organizonin ndaj qeverisë socialiste.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.