Përshtypje nga koncerti i Iron Maiden

Postuar në 12 Gusht, 2011 12:09
Endrit Avdullari

Mbrëmë isha në koncertin e Iron Maiden në Londër. Nuk jam ndonjë fans i muzikës heavy metal, por kur një miku yt të telefonon për të të ofruar falas bileta ngjitur me skenën me vlerë 6.500L për një nga bandat më të suksesshme në rrymën e tyre, nuk thua dot jo. Duke qenë se koncerti më ”i egër” në të cilin unë kisha qënë ndonjëherë ishte ai i Linkin Park, sigurisht që kisha pak frikë të isha në një vend të mbushur me njerëz me flokë të gjata plot me vëthë dhe tatuazhe në trup. Nervozitetit i shtohej fakti që hyja për herë të parë në O2 arena, ndër sallat më të mëdha të mbyllura në Evropë me kapacitet 20.000 shikues, e cila mban rekordin botëror për numrin e shfaqjeve muzikore që mbahen aty çdo vit. Brenda arenës dhe jashtë sallës së koncerteve (jam i tunduar të shkruaj “kongreseve”) është një qytet i vërtetë i mbushur me shitore, restorante, klube etj, sa mendon se njerëzit tashmë vijnë në këtë anë të Londrës, që para ndërtimit të O2 ka qenë krejtësisht e lënë pas dore, jo vetëm për të pare një shfaqje por edhe thjesht për një pasdite të këndshme.

Hyrja në sallë duket si kontrolli në aeroport ku çdokush tregon biletën dhe më pas skanohet për sende metalike nga një truprojë trupmadh. Momenti i parë pasi ke hyrë të lë pa frymë. Janë rreth 15.000 njerëz brenda dhe rreth po aq gota plastike birre bosh ende pa filluar shfaqja. Mosha mesatare është 40 vjeç dhe më shumë se gjysma kanë veshur bluza me shkrim “The Final Frontier World Tour 2011” sipas titullit të albumit më të fundit të lëshuar nga banda. Gjithandej sheh flamuj të njerëzve që kanë ardhur nga gjithë bota për t`i parë. Shumica evropianë po dalloj dhe një flamur brazilian dhe një neozelandez. 

Pyes veten sa të pashpresë do ishin ata 40-50 rojet e sigurisë nëse të gjithë papritur do tërboheshin dhe do sulmonin skenën. Albumi ka fituar 9 disqe të artë dhe 2 platini dhe sipas vokalistit të parë të grupit Bruce Dickinson, ka arritur numrin një në shitje në rreth 25 shtete. Si gjithmonë me pak vonesë, më në fund, dritat ulen dhe Dickinson, një burrë 53 vjeçar nis të këndojë duke vrapuar nëpër skenë me një energji që unë nuk e kam patur as kur isha 16 vjeç. Ai ka qenë me bandën që nga viti 1981 (me 3 vjet shkëputje) pas përjashtimit të Di`Anno, vokalistit të parë, për problemet e tij me drogën. Më pret një përmbeldhje me këngë të përzgjedhura nga 15 albumet e tyre që artistët do i luajnë për dy orë duke u përqëndruar sigurisht tek albumi i fundit.

Pasi kam punuar për gati 4 vjet në radiot e Tiranës ku muzika jo-dhe-aq komerciale ka pak, për të mos thënë aspak, hapësirë e kam të vështirë të futem direkt e në atmosferë. Unë mund t`ju them si quhet mamaja e Justin Bieber apo si e ka emrin e vërtetë Lady Gaga, informacione këto që presioni mediatik m’i ka futur në kokë me pahir, por kur vjen puna te muzika metal, përveç Black Sabath, Metallica, Megadeath e ndonjë grupi tjetër, bandave metal nuk u di as emrat. Arsyeja pse jam aty ka të bëjë me faktin që dua t`i jap një mundësi dhe kësaj rryme. Mbase në fund do kuptoj pse ata njerëz e kanë zgjedhur këtë muzikë t`i përfaqësojë jo vetëm në muzikë por edhe në paraqitjen e tyre, në stilin e tyre të jetesës. Këtë mundësi nuk ma jep as BBF-ja dhe as MTV-ja, dhe ku më mirë se me Iron Maiden dhe historinë 30-vjeçare të tyre në industrinë muzikore mund të jetosh nga afër një eksperiencë që vështirë të jepet mundësia ta përjetosh në Tiranë ndonjëherë.

Duhen rreth 3-4 këngë që një amator si unë të “futet në karakter”. Kënga e parë duhet të jetë ndonjë superhit i tyre pasi të gjithë po këndojnë me zë të lartë. Dickinson vazhdon të vrapojë gjatë gjithë kohës dhe vokali i tij është mbresëlënës. As e kisha imagjinuar dot që ishte fizikisht e mundur për një njeri të mbajë nota aq të larta për një kohë aq të gjatë direkt. Ndërkohë as antarët e tjerë të bandës nuk janë të zakonshëm. Basisti i vetëm i grupit, Steve Harris, i cili ka qenë me bandën që nga themelimi i saj në 1975-ën ka një imazh drithërues. Më tërheq magnetizimi i shikimit të tij, qëndrimi, mënyra si luan. Është një imazh që nuk ia shkul dot sytë, mbase sepse jam vetëm 30m larg (me standartet e O2 kjo quhet “ngjitur me skenën”).

Kuptoj sa ai e ndien muzikën dhe jeton për të, ndjesi që s`e kam patur kurrë me yjet e pop-it. Kitaristët Dave Murray dhe Adrian Smith më duken më të rinj se ç`ishin në vitet 80`, u bëjnë të njëjta pantallona lëkure dhe bateristi Nicko McBrain luan setin më të madh me daulle (apo sido që quhen ato në gjuhen profesionale) që kam parë ndonjëherë. Surpriza e vërtetë është Janick Gers i cili luan në kitarë në 15 pozicione të ndryshme përfshi me njërën këmbë të ngritur 120 gradë cilësi që besoj i shërbejnë dhe në jetën e përditshme (?) dhe e rrotullon e hedh kitarën si të ishte artist cirku.

Pas vetëm 20 minutash muzikë jam krejtësisht i përfshirë nga brohoritjet e fansave dhe madhështia e grupit. Nuk është më “zhurmë” dhe ndërkohë kam nisur të admiroj diçka të pahasur kurrë më parë. Një bandë që ka tre kitaristë të cilët luajnë në harmoni të përsosur. Zëri i Dickinson vazhdon të jetë kumbues dhe është mahnitëse si ai qëndron bindshëm mbi tre kitara dhe një bateri gjigande deri në fund. Performanca është e mbushur me efekte speciale. Çarçafë të mëdhenj me vizatime skeletësh ikin e vijnë dhe më vonë marr vesh që ato janë ballinat e albumeve. Herë pas herë në skenë shfaqen përbindësha gjigandë që lëvizën dhe nxjerrin tym. Admiruesit ulërasin nga kënaqësia kur ato dalin. Mua disa më duken të tepërt, sidomos figurat satanike me dy metra brirë, po kush jam unë për të kritikuar Iron Maiden. Jam fan i tyre prej vetëm 1 ore tashmë dhe nuk mund të pretendoj se di gjithçka. Salla bërtet se e di që ato janë të lidhura me këngë të caktuara p.sh. djalli me hitin e tyre “Number of the beast” por unë i vlerësoj thjesht si arritje teknologjike të shfaqjeve direkt.

Sa më shumë vazhdon koncerti aq më shumë jam i lumtur që jam aty. Më në fund arrij t`i dalloj instrumentet nga njëri tjetri, kuptoj se cili instrumentist ka peshën më të madhe në atë strofë dhe solot e herë pas hershme janë magjike. Dickinson u flet 2-3 herë fansave për t`u treguar mbi eksperiencat e turit të bandës. Fillon dhe shpjegon se pse të gjithë duhet të duan njëri-tjetrin pavarësisht fesë dhe origjinës. Se si në Xhakarta, një vend me popullsi dërrmuese muslimane nuk pati asnjë akt terrorist, por në Norvegji dikush i vetëquajtur “i krishterë” bën një kasaphanë të vërtetë. Për një moment mendoj se do jem i vetmi që pohoj me kokë, por salla duartroket vazhdimisht me thirrjet e tij për dashuri dhe tolerancë. Admiroj shumë yjet e rrokut, filmit etj. që e përdorin pozicionin e tyre të favorshëm për të predikuar mbi kauza të rendësishme dhe kontribuar për të mirën e njerëzimit. Kjo i bën ata të respektueshëm jo vetëm për talentin por edhe për humanizmin e tyre. Në vend që ta përdorin famën për të shitur parfume, si disa, ata mundohen që bota të jetë një vend më i mire. Sa më trishton fakti që në Shqipëri s`kam dëgjuar askënd t`a bëjë këtë! Akoma më shumë më kënaq fakti që fansat nuk bërtasin “kemi ardhur këtu për muzikë dhe jo që të na mbash fjalim ti”, por përkundrazi përkrahin thirrjet e tij për mirëkuptim duke më bërë mua si i huaj në atë vend të mos t`i shoh më ata si të ashpër siç është imazhi i tyre por si qënie njerëzore unike që thjesht pëlqejnë një muzikë ndryshe nga ajo që dëgjoj unë zakonisht. E kush e priste që në një recital heavy metal do merrja një leksion kaq të rëndësishëm humanizmi.

Pas mbi dy orë koncert kuptoj që tashmë jam dhe unë një fan i Iron Maiden. Koncerti më  ka pushtuar të tërin dhe pyes veten nëse do kem dhe unë atë energji kur të jem 50 vjeç. Në fakt e di që tani përgjigjjen. Ka pak gjasa që të blej ndonjëherë ndonjë CD të tyre, por të paktën tani “Fear of the Dark” nuk është e vetmja këngë e tyre që njoh dhe pse jo, herë pas here mund ta dëgjoj me kënaqësi një këngë nga ata, sidomos nqs vendos ndonjëherë të bëj tatuazh! S`ka nevojë të jesh admirues i rrymës për të kuptuar që ata janë ndër bandat më të talentuara në rrymën që lëvrojnë. Një ndjesi që e kam patur edhe para rreth një viti kur pashë për herë të parë Faithless direkt.

Në dalje nga O2 arena janë po ata njerëz trupmëdhenj plot me vëthë e tatuazhe që mbajnë radhë tek treni i nëndheshëm dhe telefonojnë mamin për t`i thënë që nuk vonohen. Iron Maiden kanë meritën e madhe që më afruan mua me muzikën heavy metal, por mbi të gjitha që më mësuan të mos paragjykoj asnjeri nga pamja e jashtme. Sa mirë që m`u ofruan ato bileta dhe sa keq që sot jam në punë…!

Comments

Submitted by Eno (not verified) on

Pergezime qe ke arritur te ndjekesh koncertin e ketij grupi madheshtor, kenget e te cilit kane shoqeruar vitet e para te adoleshences, atehere kur Shqiperia po fillonte te hapej, dhe kur kjo muzike ishte kaq e adhuruar nga rinia e atehereshme.
Nje kuriozitet kam per te treguar. Bateristi Ulrich i Metallica ka thene: Nuk kam asnjehere emocion kur luaj ne skene, perpara qindra mijera fansave, por kur me thone qe ne publik ndodhet bateristi i Iron Maiden, atehere une jam ne siklet...

Eshte e trishtueshme qe si muzika sot ka perfunduar ne disa artiste te bere te tille prej reklames, teknologjise dhe ku talenti i tyre eshte teper medioker. Sot muzika nuk percjell me ate emocion te dikurshem, dhe me kete kam parasysh ate qe degjojme ne radio apo shikojme ne TV. Gjithsesi ka shume artiste shume kenge fantastike te cilat fatkeqesish per shumicen nuk jane popullore, ama une jam nje ndjekes i vecante i tyre.

Long live Rock N Roll...Keep rocking

Submitted by Mandi (not verified) on

Eh sa me fate paske qene ti more Endrit, une jam nje fans i tyre dhe jetoj vetem 90 km nga Londra por per nuk e pata fatin as per nje bilete te thjeshte e jo me aty ku paske qene ti. U kujtova vone ne fakt ne Mars kur fillova te kerkoja per ndonje bilete ishin shitur te gjitha per fat te keq. Gjithsesi me behet qejfi shume qe qe edhe dikush qe nuk ka qene ndonjehere fans i kesaj muzike e ka shijuar mire ate dhe nuk ka si ndodh ndryshe, edhe shume te tjere mund ta shojojne per bukuri por thjesht bien pre e paragjykimeve qe shoqerojne rendom kete lloj muzike.
Ah edhe nje gje shume interesante, Iron Maiden kur bejne tour-e neper bote perdorin avionin e tyre personal me nje logo te madhe Iron Maiden ne trupin e avionit dhe ate e piloton vete Bruce Dickinson i cili eshte nje pilot profesionist prej shume kohesh dhe jo vetem aq por edhe shkruan skenare, ben aktorin dhe drejtor marketingu. Eshte nga ata te cilet anglezet i quajne 'smart guys' prandaj dhe nuk cuditem qe ka folur rreth paqes tolerances etj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.