Përparësia nr. 1 e opozitës: të mbrohet vota
Opozita është në kërkim të rrugëve për të bërë opozitën. E vërteta është se opozita ka më shumë se një problem (Rama duhet të rikuperojë vetveten, duhet bërë kompaktësimi i të gjithë frontit opozitar, duhet ndjellë diplomacia ndërkombëtare drejt kauzës opozitare etj., etj), por kryesorja është një dhe vetëm një, që ka lidhje me pyetjen: çfarë opozite do të bëhet deri në vitin 2013? Është filluar, tanimë, me vendimin për t’u futur njëherë e mirë në Parlament e për t’i bërë aty betejat më të rëndësishme. Dhe, nuk është pak. Është një vendim shumë i rëndësishëm, që bën përkufizimin principial të opozitës. Nuk dihet nëse e kanë kopsitur mirë këtë punë përpara se ta merrnin vendimin; vendimi është marrë, megjithatë, dhe hesapet duhen bërë mbi këtë vendim. Por s’mbaron këtu; opozita ka akoma për të përcaktuar lidhur me rolin e vet.
Shumëçka varet nga kundërshtari në këtë histori. Dhe, në këtë pikë nuk është se ka shumë paqartësira. Askush nuk e ka të vështirë të lexojë synimet e Berishës. Karakteristika më e lexueshme e Berishës është që ai është i lexueshëm. Ja, tani mezi po pret të vijë hera e ndërrimit të Kryeprokurores, Presidentit të Republikës, të kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e kreut të shërbimeve sekrete, në mënyrë që të vërë ndonjë sejmen të vetin në secilin prej këtyre posteve, e kështu ta shtrijë ca më shumë, deri në fund, e ta kalcifikojë pushtetin e vet. Kjo është loja me karta të hapura e Berishës. Dhe është aq shumë me karta të hapura, sa në momentin që një deklaratë e tij lidhur me procedurën e zgjedhjes së Presidentit të ri u mor tjetër për tjetër nga disa media (thanë se mazhoranca do t’i lërë Presidentin opozitës), ai mezi priti sa të gdhihej për ta saktësuar mesazhin e tij “qëllimisht të keqkuptuar”. “Nuk kemi thënë këtë gjë, është lojë e ndyrë e mediave që i bëjnë fresk Edi Ramës”, - u tha nga njëra prej zëdhënëseve të tij gojëshpuzë, ndonëse mediat që e kishin bërë të vetin këtë mesazh ishin ‘Panorama’ e ‘Mapo’, të cilat janë dy gazeta që mund të kenë lidhje edhe me Breivik-un, por jo me Ramën.
Shkurt, ai ka për t’i marrë këto institucione. Është një zhvillim tepër dramatik ky që po hamendësoj, por e vërteta është se nuk mund ta frenojmë dot ne këtë ‘take over’. Ne nuk mundëm ta frenojmë dot teksa po vidhte ditën me diell postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, e rrjedhimisht është e kotë të rrejmë veten se mund ta frenojmë teksa është duke bërë diçka në përputhje me ligjet shqiptare. Është e kotë, gjithashtu, të jetosh me shpresën se ai mund t’i bindet presionit (nëse do të ketë ndonjë presion të tillë), që do të synojë të ruajë e të mbrojë karakterin e funksionimin non-partisan të këtyre institucioneve të mësipërme; e ky karakter e ky funksionim non-partisan mbrohet më mirë qysh në krye të herës, kur zgjidhen krerët e këtyre institucioneve. Mirëpo, një shpresë e tillë do të ishte, në fakt, budallaqe. Ai që s’e ka për gjë të marrë atë që s’i takon, nuk mund të ta japë kurrë atë që s’mund t’ia marrësh.
Opozita, në këto rrethana, nuk duhet të humbasë kohë më shumë se sa duhet duke iu lutur Berishës që “të merren vesh së bashku mbi këto ngjarje të pritshme”. Ajo ka filluar, në fakt, të humbasë kohë, sepse ka hapur debatin bjerradit mbi ndryshimet kushtetuese, s’ka gjë se duhet ta dijë që është debat fare i pafrytshëm. Nuk ka asnjë mënyrë për ta kandisur Berishën që ta pranojë idenë e rishikimit të Kushtetutës. Ai nuk mund ta kthejë një trofe që iu dorëzua në sini të argjendtë. Përveç kësaj, nuk ka asnjë argument për ta vënë atë me shpatulla pas muri, pasi përgjigjen do ta ketë të kollajtë (siç e ka pasur këto ditë): Kushtetuta nuk është lodër. Berisha luan fort kur nuk ka asnjë çik të drejtë, e mund të përfytyrohet se sa fort mund të luajë kur ka të drejtë. E në këtë mes, ka të drejtë; ka të drejtë në kuptimin që nuk do ishte serioze t’u riktheheshe ca ndryshimeve kushtetuese për t’i ndryshuar. Ato ndryshime të vitit 2008 janë bërë me një logjikë hileqare? Këtë e themi ne. Berisha “mendon” tjetër gjë.
Opozita, sipas meje, duhet të ketë vetëm një përparësi: një reformë elektorale që të synojë e të realizojë mbrojtjen e blinduar të votës së shqiptarëve. Le t’i bëjë të gjitha betejat e mundshme, sipas radhës, por përparësi duhet të ketë reformën elektorale të fortifikimit të votës. Mirë do ish që të ndryshohej edhe ligji elektoral (në këtë pikë, të paktën në këtë pikë, socialistët mund të kenë aleat Metën), por edhe nëse Berisha thotë “jo”, nuk ka për të qenë ndonjë hata. E rëndësishme është të blindohet procesi i votimit, në mënyrë të tillë që të mos mund të lëndohet e cenohet nga agjentë të jashtëm. E rëndësishme është, gjithashtu, të garantohet një garë e barabartë në terma të parave, të propagandës, të pranisë në territor etj., etj.
Mund të thuhet me të drejtë se nuk është e lehtë të arrihen këto gjëra, apo se është e kotë, pasi Berisha s’e ka për gjë të shkelë të gjitha ligjet, mirëpo thjeshtimi i axhendës të jep një dorë. Po, nuk ka njeri që të mos e dijë se nuk është e lehtë as për ta bërë një reformë elektorale me Berishën, as për të garantuar zbatueshmërinë e saj në praktikë, por është më e lehtë nëse objektivat fokalizohen tek një përparësi e vetme. Opozita duhet të rrijë në heshtje e të bëjë sehir Berishën teksa merr një nga një institucionet më të rëndësishme të shtetit? Jo, as që mund të mendohet kjo gjë. Përkundrazi, duhet ngritur zëri në kupë të qiellit, shqetësimi duhet ndërkombëtarizuar, e opinioni publik shqiptar duhet sensibilizuar sa më shumë mbi këtë ‘take over’, por pa e gënjyer veten se Berisha mund të tërhiqet apo mund të lëshojë pe. Ka vetëm një pikë ku ai nuk mund të bëjë të fortin: tek rregullat e lojës elektorale. Prandaj, fokusi i opozitës duhet të jetë këtu
Comments
Dhe në qoftëse do mari dhe
Dhe në qoftëse do mari dhe këto institucionet nukë është çudi që ta nderojmë nga 2 gishtat përpjetë duke e vënë dorën e djathtë në zëmër dhe të brohërasin ROFTË SALA I PARË zoti na ruajtë
Puna eshte se si do mbrohet
Puna eshte se si do mbrohet vota kur thyhen ligjet ne tavoline dhe urdherohen komisioneret te hapin dhe mbushin kutite..................Si pune e veshtire me duket.........
Add new comment