Rishikimi i teksteve të historisë dhe neo-otomanizmi

Postuar në 26 Gusht, 2011 05:21
Respublica

Kërkesa e ministrit turk të Arsimit gjatë vizitës së tij në Kosovë mbi ndryshimin e teksteve të historisë ka provokuar një debat në gjithë botën shqiptare. Shumë prej atyre që kanë marrë pjesë në këtë diskutim, përveçse janë marrë me argumentin e rishikimit të teksteve të historisë, i janë kthyer, gjithashtu, nocionit të neo-otomanizmit të Davutoglusë. Nga shumë shkrime mbi këtë argument, kemi zgjedhur dy sosh, atë të studjuesit Ardian Ndreca dhe atë të publicistit Nexhmedin Spahiu. Këta dy autorë nuk është se polemizojnë me sho-shoqin. Jo, thjesht mbrojnë qëndrime të kundërta.

Tekstet e Historisë duhet të ndryshohen

Më se dy dekada nga mposhtja e komunizmit, Kosova u desh ta presë ministrin turk të Arsimit, Dinçer, që të marrë vërejtje për absurditetin në tekstet tona të Historisë. Rishikimi i teksteve të Historisë duhej të ishte bërë që para dy dekadave, në mënyrë që të shkundet nga mendësia marksiste – leniniste. Mundësitë akoma më të mira kanë qenë pas çlirimit të Kosovës.

Për këtë pata biseduar me ministrin e parë të Arsimit pas luftës në Kosovë, që vinte nga Afrika Jugore, dhe me ministrin e tretë në radhë pas lufte, Michael Daxner. Që të dy qenë pajtuar që kjo gjë duhej bërë sa më parë, por mandatet e tyre përfunduan dhe kjo gjë nuk u arrit.

Pengesa kryesore për ta duket të kenë qenë jo tekstet në gjuhën shqipe, por ato në gjuhën serbe, të cilat botoheshin në Beograd, dhe po të bëheshin tjera në Prishtinë, ato do të bojkotoheshin nga arsimtarët serbë në Kosovë. Kështu, as Mark-u as Michael-i nuk iu futën kësaj pune as për tekstet e Historisë në gjuhën shqipe.

Koncepti i kombit nuk është në rregull në tekstet tona të historisë?

Koncepti i kombit është i dhënë sipas teorisë staliniste, dhe kjo gjë prodhon derivate të tjera me të cilat nxënësit dhe studentët tanë furnizohen gjatë gjithë shkollimit. Ky koncept krijohet që në klasat e ulëta, akoma pa u dhënë definicioni eksplicit për kombin.

Defekti i konceptit stalinist për kombin është se ai e barazon kombin me etninë. Ky koncept buron nga teza e filozofit gjerman Johann Gottlieb Fichte, se çdo popull që flet një gjuhë të veçantë ka të drejtë të ketë shtetin e vet. Kjo do të thotë se çdo etni ka të drejtë të jetë komb. Por, mes së drejtës për të qenë komb dhe aftësisë për t’u organizuar si komb ka një hapësirë të madhe që Stalini nuk deshi ta pranojë në teori, por, për ironi, e zbatoi në praktikë. Bashkësive të shumta etnike në Perandorinë Sovjetike iu mohuan të drejtat për republikat e tyre pikërisht nga Stalini. Thjesht, në teori, Stalini e barazoi konceptin e kombit me etninë dhe, së këndejmi, historia e kombit u projektua deri në lashtësi. Madje edhe për epokat më të lashta u përdor terminologjia e historisë së kohës moderne.

Termi jologjik “Revolucioni Demokratik”

Kur është fjala për shqiptarët, këtu kemi edhe disa idiotizma të veçantë, p.sh. termi “Revolucioni Demokratik i Qershorit i 1924-s”, që përdoret për grushtshtetin që e solli Fan Nolin Kryeministër të Shqipërisë. Ne që na është mësuar veshi që nga fëmijëria, edhe nuk na duket ndonjë idiotllëk derisa të mos e përkthejmë në anglisht “Democratic revolution”. Atëherë kuptojmë çfarë marrëzish po flasim. Të thuash “revolucion demokratik” është sikur të thuash “dru i hekurt” (!). Ose është dru, ose është hekur, por nuk mund të jetë dru i hekurt. Kështu edhe revolucioni nuk mund të jetë demokratik, sepse këto dy gjëra përjashtojnë njëra-tjetrën. S’mund të jesh edhe revolucionar, edhe demokrat.

“Lufta Shqipëri – Perandori Osmane” është një term që nuk përket me konceptet historike

Në shekullin XIV, në kuptimin modern, s’kishte lindur akoma edhe një komb i vetëm në botë. Kombi i parë modern lindi më 1523-shin, kur më 6 qershor, mbreti suedez, Gustav Vasa Ericson, shpalli reformat e tij që Suedinë e bëjnë pronë të suedezeve dhe jo pronë të mbretit, siç ishte rasti me shtetet mesjetare, ku territori në zotërim të shtetit ishte, në fakt, pronë e mbretit dhe popullsia që banonte në atë territor nuk kishte asnjë rol në drejtimin e shtetit. Apo, më mirë e thënë, kishte aq rol, sa kishte edhe bagëtia që popullonte atë territor.

Kështu, suedezët u bënë kombi i parë në botë. Anglezët këtë e arritëm 126 vite me vonë, me Revolucionin e Oliver Cromwell-it më 1649-n; amerikanët me shpalljen e pavarësisë më 1776-n, ndërsa francezët me Revolucionin e vitit 1789, me të cilin fillon edhe epoka e kombeve.

Pse lindja e kombit francez shënon epokën e kombeve, e jo lindja e 3 kombeve të mëhershme? Kjo është sepse kombbërja franceze qe më e artikuluar (slogani “Liri, Vëllazëri, Barazi” në shkrimet Rousseau-os dhe Voltaire-it etj.) dhe u pasua menjëherë me kombbërjet në gjithë Europën Perëndimore.

Kur Perandoria Osmane arriti në Ballkan, nuk kishte as komb turk, as komb osman e as ndonjë komb ballkanik. Thjesht një sundimtar zëvendësonte një tjetër.

Edhe Skënderbeu nuk ishte udhëheqës kombëtar, por vetëm një sundimtar. Në shekullin XIX ai u shndërrua në një kryehero kombëtar nga rilindësit shqiptarë, me qëllim mitizimi. Madje, lëvizjen e kombformimit shqiptar e quajtën “Rilindje Kombëtare”, me demek se shqiptarët në kohën e Skënderbeut paskëshin qenë komb dhe tani po lindnin sërish si komb. Por kjo gjë nuk përkon me të vërtetën historike, sepse shqiptarët në atë kohë akoma s’ishin komb. Në mesjetë nuk kishim të bënim me konceptet që solli modernizmi (epoka e kombeve), siç është urrejtja ndëretnike, interesat kombëtare etj.

Perandoria Osmane s’ishte e turqve, por e sulltanit. Në trashëgiminë e saj, shqiptarët kanë të drejtë po aq sa dhe turqit, boshnjakët dhe popujt e tjerë.

Problemet shqiptaro-turke janë të një periudhe relativisht të shkurtër (1879-1912). Kjo është periudha kur lëvizja kombëtare turke po e sfidonte atë shqiptare.

Në fillimet e veta, lëvizja kombëtare turke donte që me popujt myslimanë të Perandorisë të krijonte një komb të vetëm. Rilindësit shqiptarë kishin konceptin e kombit mbi bazën e gjuhës e gjakut, e jo mbi atë të fesë, që binte ndesh me konceptin turk.

Kjo periudhë konflikti 33-vjeçare është minore në krahasim me miqësinë e mëpasshme mes kombit turk e atij shqiptar. Ndërsa, sa i përket Kosovës në veçanti, ajo lindjen e vet si shtet duhet t’ia dedikojë Turqisë me meritat e saj më të larta, menjëherë pas SHBA-ve dhe aleatëve perëndimorë.

Tekstet tona të Historisë përmbajnë urrejtje antiosmane e antiturke të trashëguar nga mendësia komuniste e Enver Hoxhës. Këto tekste duhet të revidohen një minutë e më parë. Ministri Dinçer ka plotësisht të drejtë.

Nga Nexhmedin Spahiu

Neo-otomanizmi ndër shqiptarë

Deklaratat e ministrit të Arsimit të Turqisë gjatë nji vizite në Kosovë për rishikimin e historisë sonë hapën rishtas debatin rreth neo-otomanizmit. Otomanizmi asht nji fenomen që i përket historisë, pra,i mbyllun e pa asnji spiral zhvillimit të matejshëm; megjithatë ndjenjat pro-otomane, e kam fjalën për nji farë jargavitjet orientale, nuk i janë nda asnjiherë shqiptarëve, madje edhe gjatë komunizmit. Lokucioni ma idiot që qarkullon lirshëm në politikën shqiptare asht “populli vëlla turk”, nji shprehje që nuk pasqyron asgja objektive, por që shpreh tendencën dhe dëshirën e rimëkambjes së nji gjendjeje mjerane.

Rranjët e kësaj historie nisin me nji fjalim të ministrit të Jashtëm turk, Davutogllu,në Sarajevë («Ottoman legacy and Balkan Muslim Communities today»,16/10/2009), tek i cili shihen hijet e epsheve perandorake dhe dëshira me i dhanë jetë nji koncepti që ka ma pak vitalitet se nji coftinë. Davutoglluja, në delirin e nji ministri perandorak që s’pushon së renduni prej nji qyteti të ish-perandorisë në nji tjetër, tue zbutë zemrat me praninë ngushëlluese të dovletit, në atë fjalim programatik identifikonte rolin e Turqisë së sotme me otomanizmin e dikurshëm. Në ketë mënyrë ai me nji pakujdesi jodiplomatike shkapërcente dallimet që baheshin deri sot mes dy entiteteve politike.

Fytyra e tij prej babaxhani e lejonte atë ditë në Sarajevë me nxjerrë prej gojet me shpengimin e nji qoftexhiu të brigjeve të Marmarës, visare të pandieme. Ai mbërriti ndër tjera me thanë në atë 16 tetor, se ka ma shumë shqiptarë në Anadoll se në Shqipni, se Anadolli ju përket ju (boshnjakë e ballkanas në përgjithsi), se ne kemi përgjegjësí ndaj jush edhe sot, pse ju jeni tanët, se taxhikë, pashtunë, azerë, boshnjakë, shqiptarë kanë nji qendër të vetme, Stambollin.

Asnji politikan shqiptar nuk reagoi ndaj fjalimit të Davutogllusë. Pseudo-nacionalistat shqiptar, ata që i bijnë legenit sa herë që ndonji grek i dejun flet përçart në Himarë, kësaj here flenin pa mend e pa shqisa.

Kohët e fundit asht pa nji mobilizim i madh dhe i financuem mirë kundër regjistrimit të popullsisë. Qëllimi i tij asht me pengue shtetasit shqiptarë me deklarue se çfarë fejet dhe çfarë etnijet kanë. Deklarimi i etnisë asht i lidhun me nji bazë objektive dhe mund të verifikohet lehtë nëse nji qytetar prej Skraparit apo prej Lezhet deklaron se asht grek apo spanjoll. Ndërsa deklarimi i fesë asht subjektiv pse secili asht i lirë me besue në Zot dhe me qenë antar i nji bashkësie fetare apo mos me besue aspak. Ekuilibrat fetarë në Shqipni nuk janë ma ato të fundit të viteve ’30 dhe nji regjistrim i sotshëm do të sillte nji pasqyrë tjetër të gjendjes.

Ata që duen me pengue regjistrimin e popullsisë, ku të deklarohet përkatësia fetare e shtetasve,nuk e bajnë ketë gja tue u nisë prej idealeve laike të ruejtjes së shtetit, por prej nji impulsi regresist që don me ruejt nji status quo fiktiv, për me përligj kështu indirekt tezat e Davutogllusë. Në qoftë se do t’i hante meraku për laicitetin e shtetit, atëherë përkrah firmave kundër deklarimit të fesë duhet të mblidhnin edhe firmat për daljen e Shqipnisë nga Konferenca islamike!

Ajo që u jep guxim turqve me kërkue rishikimin e historisë sonë rrjedh edhe prej statistikave të pasakta që ekzistojnë dhe vijojnë me u përdorë edhe sot. Mos të harrojmë se Turqia asht vorri i identitetit të miliona shqiptarëve të shpërngulun prej ish-Jugosllavisë. Si ka mundësi që populli vëlla turk e shkretinat e tija gëlltitën gjithë ata shqiptarë! Në qoftë se dashunia e tyne vëllaznore ka këto pasoja vdekjeprurëse, do të preferonim indiferencën apo harresën. Ne admirojmë ruejtjen e gjuhës dhe traditave të arbëreshëve që kanë pesë shekuj të ndamë prej dheut nanë, kurse Turqia mike në pak dekada zhduku miliona shqiptarë.

Edhe sot ka shtetas që mbajnë pasaporta shqiptare dhe e ndiejnë veten pinjoj të Anadollit. Në gjysmën e viteve ’30 kur Ahmet Zogu ndërmori reformat e veta që parashikonin heqjen e fesit,të ferexheve,shfuqizimin e Sheriatit etj.,pati familje të tana shqiptare që preferuen me emigrue në Turqi,sesa me pranue kushtet e reja. Sot,ata që asokohe s’patën guximin me ikë,marrin guximin me thanë se Skënderbeu s’ka qenë hero por tradhtar,dhe e pohojnë ketë gja me koherencën e mbeturinave të nji epoke të palavdishme për ta dhe fatkeqe për ne.

Jam i bindun se doktrina e Davutogllusë asht anakronike,dhe inteligjenca e tij e pazoja me rrokë zhvillimet ballkanike në thellësinë e tyne shumëdimensionale,prandaj asht e destinueme me dështue. Fjalimet e tija retorike prej veziri,ku herë citohet Nastradin hoxha e herë tjera mbyllen me shprehje si:“s’ka kafe pa cigare,s’ka xhami pa minare”,tingllojnë thjeshtësisht qesharake.

Faktori kryesor i dështimit të asaj doktrine janë edhe shqiptarët e sotëm,ata të vërtetit,që shohin me ftohtësi dhe përbuzje kohën kur otomanët sundonin vendin e tyne,tue i izolue prej Europës e tue pengue çdo lloj progresi. Sot turqit kërkojnë rishkrimin e historisë,e nesër kanë me kërkue me zhvendosë statujën e Skënderbeut prej qendrës së Tiranës.

Nji gja të tillë ata nuk e bajnë me grekët,tekstet e të cilëve përflaken kur flasin për otomanët. Me ne e bajnë pse klasa jonë politike e korruptueme nuk ka nji atdhe të caktuem,ajo asht sëmundja që e ulë imunitetin tonë dhe lejon që kombi jonë të poshtnohet prej nji ministri turqeli apo prej kandrrave që dovleti ka mbjellë anekand në tokën tonë.

Nga Ardian Ndreca

Comments

Submitted by A.G (not verified) on

Shyqyr qe po kujtohen kosovaret,se ne shqiptaret shkojme me "me te fortin" pavaresisht se nje dite "koka do na shkoje ne sini ne Stamboll"...

Submitted by Fillestari (not verified) on

Ceshtja e Revolucionit te Fan Nolit (apo grushtit te shtetit) eshte disi me e kuplikuar se c'e ben autori i ketij shkrimi. Sigurisht rermi 'Revolucion Demokratik' eshte Oxymoron. Por ama kur autori e relegon ate ne nivelin e putschit ketu ai eshte duke marre persiper te beje nje analize te tere historike ne disa rrjeshta. Une vete nuk duadhe nuk mundem te bej nje analize te atij revolucioni, por thjesht te kujtoj se levizja e 1924 kishte karakteristikat e nje revolucioni. Se pari sepse ne te kishte pjesemarrje ne popull; levizja filloi ne varrimin e Avni Rustemit dhe aty eshte e dokumentuar qe morren pjese shume mijera njerez - te armatosur - qe u ngriten kunder autoritetit te Qeverise. Se dyti, pjesemarrja e formacioneve te rregullta ushtarake nuk do te thote automatikisht grusht shteti. Ky nocion shume i perkrahur nga neo-zogistet eshte padyshim joshkencor. Ai Bolsheviku i 1917, quhet nga tere bota Revolucioni i Tetorit dhe jo Grushti i Shtetit te Tetorit sepse rezimin e qeverise dhe abdikimin e detyruar te monarkise me pjesemarrjen dhe madje iniciativen e ushtrise ruse (Brian Taylor ka shkruar nje liber 'Politika dhe Ushtria Ruse - Marredheniet Civilo-Ushtarake 1689-2000'). Ose akoma me thelle ne histori por mbase me gnjashem me 1924 tone, Oliver Cromwell qe rrezoi monarkine dhe themeloi Republiken jetshkurter Angleze, ishte as me pak e as me shume gjeneral i ushtrise.

Fakti qe E. Hoxha glorifikoi 1924 nuk do me thene se ne demokratet e oreve te vona duhet pa derman ta kthejme permbys cdo fjale te tij dhe ta degradojme ate revolucion ne grusht shteti dhe Fan Nolin ne gangster rrugesh. Kjo nuk do te ishte e drejte.

Submitted by Sejdi (not verified) on

Pasi na ka aq për zemër, zoti Ahmet Davutoglu, si një profesori universitar, do të duhej të na sqaronte:

Cilat ishin marrëveshjet që kishin të bënin me të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve tjera nën okupimin sllavo grek, të cilat u nënshkruan me jugosllavet në Beograd,nga Kryetari i Qeverisë së Republikës së Turqisë, z.Xhelal Bajar, në maj të vitit 1938?

Për çfarë meritash  u dekorua Kryeministri turk, z. Xhelal Bajar, me Dekoratën “Beli Orao prve klase” (“Shqiponja e bardhë e shkallës së pare”), nga autoritet e Kralevinës SKS, me 11 maj 1938?

Me çka kishte të bënte “Marrëveshja xhentellmene” e firmosur  në Split, në shkurtin e vitit 1953, nga Kryetari FNRJ Josip Broz Tito dhe Ministri i Republikës së Turqisë, Fuat Köprülü?

Me siguri do të na sqarojë, abeja i tij Mahiri, pasi që është nga Prizreni "zemra e Turqisë"..... "Helbete!"

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.