Dikush po tallet me Kamzën

Postuar në 30 Gusht, 2011 03:28
Bilbil Beqiri

Nga viti 90-të e deri sot  tendenca për t’u vënë rrugëve emra heronjsh e personalitetesh të huaja është një fakt  që nuk i ka shpëtuar as vëmendjes më moskokëçarëse. Arsyet e një fenomeni të tillë mund të jenë disa, por dominante është vetshpallja proeuropianë dhe pro-perendimorë me çdo qelizë tonën. Duam që, kur i huaji të kalojë rrugëve tona, ta ndjejë veten si në shtëpinë e tij, si në një nga lagjet e vendit të vet; madje më tepër.

Dikujt i bie rruga nga Kamza dhe vëren me çudi të madhe emrat e rrugëve që të çojnë larg, në Paris, Londër e më gjërë, po sa hap e mbyll sytë kthehet përsëri në pluhurin verbues, të nxehtin përzhitës, picërron sytë nëse nuk ka syze dhe vazhdon i zhgënjyer larg Parisit, larg Londrës, afër Kamzës, afër zhgënjimit.

Dikush pyet nëse ia vlen të ndalësh dhe të shkruash për një rrugë? Une mendoj se ia vlen sepse rrugët ngjajnë me kapilarët e trupit të njeriut; çdo kapilar, megjithëse i hollë,  nuk humbet asgjë nga rëndësia dhe funksioni i vet.

Fushës së Kamzës fillimisht i hedh një vështrim nga kodra në institut dhe gjithçka duket si një fund beteje nga ato të braveheart-it të aktorit M.Gibson. Avancon në drejtim të qëndrës së qytetit dhe ndjen që, me të avancuar, mendimet dhe përshtypjet të ndryshojnë, tashmë qyteti merr një pamje tjetër. Atë të një prag fushate apo mitingu, kudo flamuj, banderola dhe parulla që të ftojnë të votosh dikë. Dikush i buzëqeshur pushton hapsirën më të dukshme të qytetit (zgjedhjet ka kohë që kanë kaluar).

Zgjatimi i një rruge të gjatë, dy rrugë të tjera anash, një rreth qarkullim i vogël dhe një zgjatim tjetër pak më i shkurtër të bën ta krahasosh qëndrën e  qytetit me dorezen e një shpate. Syri aty të gjen menjëherë rrugën kryesore të qytetit “S. Berisha”; rruga S. Berisha është e vetmja rrugë me emërtim  shqiptar. Se pastaj kërkon çdo rrugicë dhe kthinë dhe nuk ndesh më asnjë të tillë . Përballë rrugës S. Berisha vjen rruga XH. Bush; më tutje rruga T. Blair, M. Thatcher, etj etj. Për të kaluar te shkrimtaret e njohur Dickens, Hugo, Camus etj. Nëpër rrugët dytësore nuk është çudi të gjesh emra futbollistësh të huaj apo të ndonjë këngëtareje të njohur (Rihanna?). Imagjinoni pak njeriun e asaj lagjeje që mundohet t’i përshkruajë vend-ndodhjen e shtëpisë mysafirit të largët .

Shejtani ç‘nuk të sjell në mendje: mos vallë Kamza i ka vënë synim vetes të futet në Europë para kryeqytetit? Se një mendim i tillë zgjohet befas kur lexon parullen “Welcome to Bathore city (Kamza city)”.

A keni kaluar ndonjëherë nëpër Kamëz?   

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.