Gorbaçov: Thyerja e akullit me Helmutin (III)
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4057_mikhail-gorbachev.jpg?itok=Tj_lh-mP)
Në verën e vitit 1990, pasi të dy kishin negociuar detajet e ribashkimit gjerman, marrëdhënia e tij me Kohlin ndryshoi. Akulli më në fund u thye kur Gorbaçovi dhe gruaja e tij Raisa udhëtuan në Gjermani në nëntor, për të vizituar Kohl-ët në shtëpinë e tyre në Oggersheim, në Gjermaninë Perëndimore dhe për të parë Katedralen e Speyer-it aty afër sëbashku. Ata madje e hëngrën drekën në restorantin e preferuar të Kohlit, Deidesheimer Hof. Që të dy madje iu drejtuan njëri-tjetrit në emër për këtë rast - një arritje në mardhënien e tyre.
Gorbaçovit i duhej kancelari i fortë gjerman, sepse situata në shtëpi po bëhej e pasigurt. Kishte mungesa të gjithçkaje nëpër dyqane - mishi, gjalpi, qumështi pluhur - dhe popullariteti i tij po zhytej thellë.
Në ato muaj, Gorbaçovi e përdorte gjithmonë e më shpesh telefonin për të diskutuar situatën me "shokun e tij Helmut", që ishte kthyer papritur në këshilltarin e tij politik. Ata përdornin një linjë të veçantë telefonike, dhe shumë pak prej këtyre bisedave mes Moskës dhe Bonit u shfaqën në librat e Gorbaçovit. Kohl-i, në kujtimet e tij, i përmend gjithashtu kalimthi.
Ky hezitim bëhet i qartë për këdo që lexon transkriptimet, pjesa më e madhe e të cilave janë përgatitur nga përkthyes që i raportonin KGB-së. Bisedat ishin të mbushura me ankesat e Gorbaçovit, thirrjet për ndihmë të dikujt që po mbytej - fjalë që udhëheqësi Sovjetik një herë e një kohë krenar bëri çmos t'i fshihte nën rrogozë dy dekada më vonë.
Gjithsesi në atë kohë, ai donte që Kohl-i të shtynte perëndimin që të shpëtonte Bashkimin Sovjetik. Ai donte që kancelari ta paraqiste rënien si një katastrofë që mund të pështjellonte gjithë botën. Sigurisht, ai shpresonte edhe mbështetje në luftën kundër rivalit të tij më të fortë, Boris Jelcin.
Ata folën në telefon edhe një herë në mbasditen e 20 shkurtit 1991. Kohli kishte bërë thirrje, pas Jelcinit, në një deklaratë publike në TV, që Gorbaçovi të jepte dorëheqjen nga posti i tij në Kremlin. Gorbaçovi s'e publikoi kurrë këtë bisedë, sepse ajo tregon deri ku ai e kishte nënvleftësuar rivalin e tij dhe gjykimin e gabuar të situatës:
Kohl: Përshëndetje Mikhail. Dhe dorëheqjen, siç kërkon Jelcini?
Gorbaçov: Mendoj që ai po e ndjen që po humb autoritet dhe po izolohet gjithmonë e më tepër. Dalja e tij dje ishte një gjest dëshpërimi ose një gabim idiot. Jelcini është shkatërrues nga natyra. Ai s'ka asgjë konstruktive për të ofruar. Ai po shfrytëzon situatën e vështirë dhe po përpiqet të nisë një luftë politike.
Kohl: Nga kjo ti do të përfitosh.
Gorbaçov: Në mbledhjen e sotme të Sovietit Suprem të BRSS, dikush tha që metoda të tilla janë të padenja për një njeri të rangut të tij. Atij mund t'i duhet të tërheqë fjalët mbrapsht. Presdienti i Kazakistanit dhe kryetari i Sovietit Suprem të Ukrainës janë distancuar nga ai.
Kohl: Kjo është favorizuese për ty. E ndjej që ndihesh më mirë tani. Më bëhet qejfi.
Më pak se katër muaj më vonë, shumica e 45 milionë votuesve zgjodhën Jelcinin e bezdisur si presidentin e parë të Federatës Ruse, republikës më të madhe Sovietike. Kjo shënoi fillimin e një udhëheqjeje të dyfishtë që lajmëroi fundin e mbretërisë Sovietike. Në një bisedë telefonike më 30 Prill, Kohli siguronte liderin e Kremlinit:
Kohl: Po bëj gjithçka mundem për të gjetur mbështetje për ju këtu në Europën Perëndimore. Do të bëj të njëjtën gjë në Washington, ku do shkoj pas dy javësh. Duhet ta kuptosh që disa njerëz këtu kanë mendime të zymta për situatën tuaj.
Gorbaçov: Po, e di këtë gjë.
Kohl: Për ta përmbledhur, kjo thuhet pak a shumë: Po, Gorbaçovi është një politikan i fortë, por nuk do të jetë në gjëndje të arrijë çfarë ka planifikuar. Në këtë situatë, ka rëndësi të madhe të krijohet një ambient tjetër psikologjik. Prandaj më duhen informata të vërteta prej teje, Mikhail. Duhet të më thuash si është në të vërtetë situata.
Gorbaçov: E di Helmut, ka shumë njerëz mes miqve tanë amerikanë që po pëshpërisin rreth "Situatës Gorbaçov". Ata për shëmbull, thonë: Shikoni, Gorbaçovi mbështet ruajtjen e bashkimit, ndërsa Jelcini mund tu japë shteteve Baltike dhe republikave të tjera pavarësinë. Jelcini mbështet pronën private, kurse Gorbaçovi favorizon ekonominë e përzier. Jelcini do të jetë më i zënë me punët e brëndshme dhe nuk ka për t'i penguar rrugën amerikanëve rreth botës. Këto nuk janë këshilla të besueshme. Bushi dhe sekretari i tij i shtetit [James] Baker, po mbajnë akoma pozicionin e tyre, por trysnia po vjen duke u rritur. Sigurisht, mua më duhet t'i kapërcej këto vështirësi.
Kohl: Do ta bëj këtë gjë mjaft të qartë për liderat e Europës Perëndimore dhe Amerikës.
Në 5 korrik, kur Jelcini ishte ndërkohë presidenti de-facto i Rusisë, duke pritur vetëm për ceremoninë, Kohli u takua me Gorbaçovin në rezidencën verore të Partisë Komuniste të Ukrainës, në Mezhgorje. Në atë çast, asnjëri prej të dy liderave nuk mund ta dinte që, gjashtë muaj më vonë, Ukraina do të ishte një shtet i pavarur.
Ndërsa makina po i çonte nga aeroporti i Kievit në Mezhgorje, Kohli shikoi njëherë rastin më të keq:
Kohl: Kam menduar: Çfarë do të ndodhë nëse Gorbaçovi do hiqte dorë papritur dhe Jelcini do i zinte vendin? Duhet të të them që vetëm ta mendoja më tmerronte. Sigurisht që nuk mund t'i lihet vendi një njeriu të tillë.
Gorbaçov: E sigurt që jemi dakort në këtë pikë.
Kohl: Çfarë do të bësh, Mikhail, kur shtetet Baltike më në fund do të lënë bashkimin?
Gorbaçov: Ata mund ta bëjnë këtë, sigurisht. Është e vështirë t'u ndryshosh mendim mbi autonominë. Ata refuzojnë të marrin pjesë në çfarëdo diskutimi të arsyeshëm. Nëse vërtet duan të tërhiqen, ka vetëm një mënyrë për ta bërë -- rruga kushtetuese. Por mendimi për të ndjekur rrugën normale kushtetuese i frikëson.
Kohl: Nuk mund t'i mbash në bashkim me forcë. Nga ana tjetër, duhet t'u bëhet e qartë shteteve Baltike që s'ka zgjidhje tjetër përveç asaj që është parashikuar në kushtetutë. Dhe mbështetja verbale e perëndimit nuk ndryshon asgjë në këtë drejtim.
As gjermani dhe as rusi nuk do e publikonin ndonjëherë këtë bisedë, sepse Kohli e shihte po aq keq sa Gorbaçovi Jelcinin. Çfarë as kancelari nuk do të donte të shihte nëpër gazeta, ishte fakti që ai kishte një dallim të qartë mes mbështetjes në publik që i bënte parimit të vetë-këmbënguljes dhe pozicionit të tij aktual. Kohli nuk e mbështeste vërtet largimin e republikave Baltike Sovietike nga bashkimi, dhe kërkonte që vendime të tilla të aprovoheshin nga parlamenti në Moskë -- që në atë kohë ishte gjithë shpresë.
Kohl: Vetëm një gomar mund të besojë që shkatërrimi i bashkimit i bën mirë të gjithëve. Rënia e Bashkimit Sovietik do të jetë një katastrofë për të gjithë. Ata që e mbështesin këtë, po vënë në rrezik paqen. Jo të gjithë më kuptojnë për këtë çështje. Por duhet ta kesh të qartë që nuk kam për të ndërruar mendim... rruga e reformës Gorbaçov duhet mbështetur vazhdimisht. Nëse Jelcini vjen tek ne, do t'i them atij të njëjtën gjë. Do t'i them që nuk ka për t'ia dalë nëqoftëse nuk bashkëpunon me ty. Amerikanët i kanë thënë të njëjtën gjë.
Gorbaçov: Jo, praktikisht ata po e inkurajojnë. Në sytë e tyre, ai është një reformator.
Kohl: Nëse Jelcini vjen në Gjermani, do të jetë një vizitë pune. Qëllimi im më i rëndësishëm është që ju të mos sulmoni njëri-tjetrin.
Gorbaçov: Mbase do ishte ide më e mirë të mos e ftonte kancelari? Mbase dikush tjetër duhet ta ftojë, dhe kancelari mund të marrë pjesë në mbledhje si rastësisht.
Kohl: Mirë.
Qëllimi i Gorbaçovit për të prishur shanset e Jelcinit për të përparuar dhe marrja e Kohlit në grup nëse do të mundej, është i kuptueshëm nga këndvështrimi njerëzor. Politikisht ama, ishte absurd.
Duket edhe më absurde që Gorbaçovi donte të shihej si lideri i një fuqie botërore, edhe kur mbas perdes ishte i detyruar të lypte ndihmë.
-Vijon-
Add new comment