Vetëm një, apo shumë debate të munguara?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4056_students_1485569c.jpg?itok=ehIjx6F5)
Pyetja që shtron Eduard Zaloshnja nëse edhe në Shqipëri do të ketë ndonjëherë një debat mbi politikat fiskale dhe buxhetore të qeverisë mund të quhet korrekte! Një pyetje e tillë mund të ngrihej edhe për shumë fusha të tjera, politikat arsimore përshembull, veçanërisht në arsimin e lartë! Mund të quhet korrekte edhe shpresa e Zaloshnjës që një debat të tillë ta hapë PS-ja! Por në kontekstin e kësaj shprese, dy pyetje-shqetësim do të ishin akoma edhe më korrekte te shtroheshin: Një pyetje do të ish, po përse PS-ja nuk merret me to? Këtu, pyetja rrjedhëse më e “vockël” do të ish: A është marrë vërtet PS-ja ndonjëherë me to? Pyetja e dytë do të ish: a ka ndërmend PS-ja të merret ndonjëherë me to në të ardhmen? Përkundër shpresës së Zaloshnjës, të dy përgjigjet mbeten fatkeqësisht dëshpëruese! Janë të dyja JO!
Dikush mund të thotë se PS-ja nuk merret me to, ngaqë ajo është detyruar të ngërthejë veten në luftën me PD-në mbi “rregullat e lojës.” Por edhe sikur kjo të ish e vërtetë (dhe fatkeqësisht është e vërtetë), kjo përseri prapë është dëshpëruese! Eshtë e tillë sepse së pari, përfaqëson thjesht konfirmimin e radhës se ne shqiptarët në përgjithësi, dhe shoqëria politike në veçanti, nuk dimë të bëjmë gjë tjetër veç të mbetemi tek të zënurit mbi respektimin apo shtrembërimin e rregullave të lojës, veç t’i japim gjithçka makutërisë dhe djallëzisë që kemi në bark, në mendje, në frymë! Eshtë dëshpëruese së dyti edhe sepse lufta për rregullat e lojës këtu gjithmonë kamuflon në të vërtetë makutërinë për të qënë i pari i shqiptarëve, i qeverisë, i partisë.
Po përse PS-ja nuk duket se ka ndërmend të merret jo vetëm me një debat të tillë si ai për të cilin flet Zaloshnja, por edhe për debate të tjerë? Shkaku që unë shoh nuk është thjesht lufta për jetë a vdekje e PS-së në mbrojtje të rregullave të lojës apo votes, sepse këto na qënkan alfa e demokracisë! Po, rregullat dhe vota janë alfa e demokracisë, por ato as janë i vetmi standard i saj, as justifikojnë heshtjen e PS-së ndaj debateve të tilla, thelbi i të cilave ka të bëjë me mirë-qeverisjen, politikat, politikë-bërjen, të cilat, po të pyesnim Platon e Aristotel bashkë, përfaqësojnë qëllimin e vetëm të qeverisjes, arsyen e vetme përse njerëzit zgjedhin të jetojnë në shoqëri dhe jo si vetmitarë. E vërteta prapa mos-angazhimit të PS-së në debate që merren jo me llafe e zënka rreth rregullave, jo me inate të tipit “si ma hodhi ai dreq, e s’árrita t’ia hedh unë atij!”, por që kërkojnë të ulesh në tavolinë, apo të dalësh në tribunë me ide, vizone, ofrim rrugëzgjidhjesh të ndryshme nga oponenti yt, është se PS-ja, deri tani të paktën, ka treguar se ose nuk i disponon kapacitetet për t’u angazhuar në hartimin e politikave të reja, të ndryshme nga oponenti, ose ato kapacitete që ka, i ka mediokre. Personalisht besoj se më shumë se mos të paturit, apo cilësia e ulët e kapaciteteve politikë-formuluese brënda PS-së, arsyeja e vërtetë e heshtjes, mos-hapjes, apo mos-marrjes pjesë në debate të tilla, është mungesa e respektit ndaj dijes.
Zaloshnja përmënd vetëm debatin mbi taksat dhe politikën fiskale të qeverisë, për të cilat, e vërteta është se Berisha nuk është se nuk ka dalë publikisht të thotë që na duhet një taksim progresiv. Jo, Berisha ka thënë që është mirë të kemi taksim progresiv, dhe më duket edhe është vënë në lëvizje rrota për të bërë diçka në këtë drejtim (nuk jam i sigurtë, por më duket sikur edhe këtu në Shqipëri ka nisur plotësimi i taksave, siç kemi plotësuar unë e Zaloshnja në Amerikë; nëse është kështu, do ish e çuditshme pasi sistemi i taksave nuk mund të ngrihet mbi dy standarde, një për një grup taksapaguesish, e një standard tjetër për taksapagues të tjerë). Problemi me Berishën është se Berisha ka bërë zakon të shpallë mu në mes të deklaratave ide, të cilat ose sapo mund t’ia kenë sugjeruar në një bisedë të huajt, ose që nuk ia ka haberin fare sepse, në fund të fundit, një mjek ka qënë në formim. Shtoji këtu edhe maninë e Berishës për të hedhur bomba tymë-lëshuese, për të mos qënë serioz as në përputhjen mes fjalës dhe realitetit që konoton, as edhe me premtimet që bën, dhe me të gjitha këto, arrihet të shpjegohet në një farë mënyre problemi dhe anomalia Berishë. Por çfarë do të mund të shpjegonte heshtjen e PS-së jo vetëm për debatin fiskal, aq të rëndësishëm për xhepin e shtetit dhe individit, por aq edhe filozofik, akademik, e shkencor njëkohësisht (midis dy të vdekurve ende të gjallë, Kejnes dhe Hajek)?
Zaloshnja sjell mungesën e inisiativës dhe angazhimit të PS-së në debatin fiskal meqë i vjen më përzemër njëçikë edhe nga formimi akademik. Mua do të më mjaftonte të sillja mungesën e hapjes dhe angazhimit të PS-së në një debat për çështjen e arsimit të lartë; mos prezantimin prej PS-së të ideve, vizioneve, politikave të tilla që të ishin të ndryshme dhe shumë më të mira se të PD-së. O ka patur shansin PS-ja të ish një kritikuese e rreptë, me substancë, krejtësisht e justifikuar, me Ministrin aktual të Arsimit, Myqerem Tafaj, dhe politikat e tij në arsimin e lartë, o nuk e ka patur asnjë opozitë, as ajo e Berishës kur ish në opozitë kundër Nano-Memushit. Berisha nuk ka patur në kritikat e tij ndaj Memushit aq “municion” sa ka patur mundësinë të përdorte PS-ja kundër mjaft elementëve thelbësorë konceptualë të reformës në arsimin e lartë nga Myqerem Tafaj! PS-ja ende nuk ka bërë një gjë të tillë; kësisoj, pak shanse ka që të presësh se PS-ja do ta bëjë një gjë të tillë në të ardhmen. Zaloshnja thotë se PS-ja nuk e ka bërë këtë për politikat fiskale; unë nuk e shoh PS-në ta ketë bërë këtë për politikat arsimore! Ne të dy flasim për këto politika sepse aty ndjejme vlerësimin e realitetit të jetë më afër me fushat e formimit tonë, por po për politika në fusha të tjera?
Çdo ditë degjoja përmes TV-së prononcime dhe ide nga më absurdet në fushën e arsimit të lartë; po ashtu kam patur rastin të shoh në praktikë efektet e “materializimit” të ideve të tilla absurde në arsimin e lartë. Vetë Shqipëria universitare, Shqipëria e masterave dhe doktoraturave është një çorbë bolonjare. Sesa vërtet kjo gjë shënon përparim, mbetet për tu pare, por Ministri Tafaj, që nuk besoj se do të jetë përjetësisht ministër, do duhej të ish tepër i kujdesshëm për të ta identifikuar një çorbë të tillë me sukses e përparim. Çështja është se me çfarë mendon PS-ja të ndryshojë gjërat!
PS-ja nuk kërkon të vijë në pushtet pse ofron ide të reja, programe të reja, të ndryshme nga të PD-së, por e pretendon kthimin në pushtet vetëm si një të drejtë që i takon nga vjedhja e votës; e sheh kthimin në pushtet vetëm si një shfryrje inati të shqiptarëve ndaj kusarisë, babëzisë, djallëzisë, së pushtet-mbajtësve të rradhës. Shkurt, duket se PS-ja nuk ka ndërmend t’u hyjë debateve të tilla, ngaqë mendon se meriton të vijë në pushtet edhe pa nevojën e debateve të tilla. PS-ja edhe mund ta mendojë një gjë të tillë; edhe mund ta tentojë një gjë të tillë; por kjo do të ish identike me një tentativë të një grupi për të ardhur në pushtet për interesat e tyre, jo për ato të miat, të Zaloshnjës, të qytetarit, të komunitetit, të shoqërisë. Dhe ajo tentativë ndoshta do merrte votën e Zaloshnjës dhe shumë të tjerëve, (kur Meta arriti të marrë gjithë ato vota megjithë dokumentimin e vjedhjes ditën për diell, përse të mos merrte PS-ja pa debate e program?!?!?), por jo votën time! PS-ja nuk mund ta marrë më të mirëqënë votën time! Që unë të votoj për të, PS-ja duhet të më thotë përse!
Comments
Të lumtë goja Z. Çata! 1. Në

Të lumtë goja Z. Çata!

1. Në gjithë këto debate të forta që po zhvillohen, i vetmi qëllim është rrëzimi i Berishës. Por ama asnjë debat nuk ka për ndryshimin e sistemit që ka instaluar Berisha. Dhe PS-ja me të ardhur në pushtet me siguri të njëjtën gjë do të bëjë. Nuk do jetë Aleksandër Frangaj, do jetë Tom Doshi.

Merri Palit që ti japësh Pjetrit i thonë kësaj.

2. PS-ja e ka treguar veten se nuk don debat, qysh kur bëri ndyshimet kushtetuese për të nxjerrë jashtë partitë e vogla. Dhe me kte PS-ja e Ramës e ka treguar mirë se ajo pret vetëm që ti vijë radha për të qenë në krye të të njëjtit sistem, pa asnjë pikë ideje se ku shkon.

Keto lloj problemesh

Keto lloj problemesh votohen ne parlament me ligje te thjeshta,pra 71 vota.Keto ligje jane ato qe dallojne mazhorancat nga minorancat.Me keto na "mburren" gjate fushatave elektorale dhe na "vjedhin" votat.Kur miratohen ne parlament,kane kaluar ne komisione dhe ne shtyp,por per keto "fol ti fol se une do te bej gol" i thone.Te mos kerkojme edhe" qiqrat ne hell" perderisa vet i nderuari Meta i plotesoi numrat per te mos patur debat.Une cfare t'i beje atyre gjerave qe duan me shume vota e s'pyet kush ,ngaqe "hendeku" nuk eshte "pas dere" por disa km me larg dhe kur te veni atje do t'i biem kokes me grushta poqe se nuk kemi rene ne baltovinen e hendekut...

Add new comment