Luani i përgjumur dhe Hiena e uritur!

Postuar në 08 Shtator, 2011 04:00
Nimfa Hakani

Hiena ishte tepër e uritur. Kishte tërë ditën që kërkonte nëpër savanë, por s’kishte nuhatur erë gjaku apo ngordhësirash. Kurrë s’kishte sulmuar direkt një krijesë të gjallë; gjithmonë kishte qëndruar në pritje të tjerëve. Shpesh herë kishte ëndërruar të ishte një nga më të fuqishmit e Savanës. Pranonte edhe t’i përngjasonte edhe më të dobtit prej racës së tyre, por natura s’ia kishte dhënë atë privilegj; e kishte krijuar thjesht një hienë. Ashtu e  uritur, me ndjenja të vagëta në trurin e saj prej kafshe, po ecte në Savanën pambarim, nën vapën përvëluëse, në ajrin e tejnxehur që ia kishte tharë grykën dhe që ia bënte urinë edhe etjen më të padurueshme. Asgjë në horizont nuk po i jepte shpresë. Pothuaj zvarritej në pluhurin e Savanës. Sytë i ishin errësuar, dhe ndjenja  se  fundi i saj si qënie ishte afër,  po i vërvitej turbullt në tru. 

U zvarrit ashtu për një kohë të gjatë duke hulumtuar rreth e qark për ndonjë shenjë ushqimi. Dikur dalloi në largësi një masë të errët në formën e një kafshe. Ndaloi dhe shkundi kokën për ta bërë vizionin që iu  çfaq më të qartë. Donte të bindte veten se çfarë po shihte nuk ishte një sajim i mëndjes së saj të tejlodhur dhe i urisë që po e gërryente, apo imazh i ajrit të tejnxehur. Masa e errët që kishte parë ishte jo shumë larg. Por asnjë erë gjaku s’po i përçonte hundët. Pavarësisht nga kjo, ndiesia e erës së gjakut i erdhi në shqisa nga përbrënda qënies si një ngacmim i fuqishëm dhe hiena shpejtoi hapin. Mungesa e vërtetë e erës  nuk ia ndaloi të ecurin, përkundrazi i dha energji të përshpejtonte hapin për të arritur sa më shpejt figurën joshëse.

Kur arriti diku afër masës në formë kafshe e ngadalësoi disi hapin. Figura që kishte parë nga larg po i kristalizohej para syve. Papritmas ndaloi krejtësisht. Kishte para vetvetes jo një kafshë dosido, por një luan të shtrirë që nuk lëvizte e dukej sikur flinte. Hodhi një vështrim rreth e qark se mos shihte luanë të tjerë, por s’dalloi asnjë gjurmë që të tregonte ekzistencën e  tyre. Hulumtoi rreth e qark për gjurmë putrash por nuk pa asnjë. Me shpresa të humbura u ul të vëzhgojë se çfarë po bënte luani duke mbajtur një largësi të mjaftueshme për të qënë jashtë rrezikut në rast se luani zgjohej. Ndjehej tepër e lodhur. Asgjë rreth e qark nuk  jepte ndonjë shenjë të mundshme ushqimi. Vëmëndja e saj u përqëndrua tek kjo kafshë madhështore që për çudi po rrinte e palëvizur dhe e vetme në mes të Savanës. Si dukeshin gjasat, hienës s’i kishte mbetur gjë tjetër veç të vrojtonte Luanin.

E adhuronte dhe e urrente njëkohësisht racën e luanëve. Do të donte që natura t’i kish falur gjysmën e dhuntive të kësaj kafshe, të përmasave të tij trupore, të forcës fizike, dhe të bukurisë. Luani që kishte përpara s’ishte as i ri e as i vjetër. Ishte  në kulmin e forcës  dhe kishte një trup masiv e të formuar mirë. Hiena e harroi për pak çaste urinë që po e gërryente. Vështronte luanin dhe nuk ngopej së pari vijat trupore të tij, ngjyrën e kuqërremtë në portokalli të lëkurës, muskujt e formuar të këmbëve dhe kthetrat e shputave të mëdha. Pa le krifën e kuqërremtë! Sa të bukur dhe madhështore që e kish! Nuk i thoshin më kot Mbreti i specieve të këtij planeti!  Natyra s’i kishte kursyer asgjë. I kish dhënë të tëra dhuntitë që mund t’i jepen një specie të rruzullit tokësor.

Dielli e kishte lënë zenithin dhe po fshihej dalëngadalë poshtë Savanës, ndërsa Luani nuk kishte bërë lëvizjen më të vogël. Rreth e qark ishte qetësi e plotë. Deri tashti s’kishte patur asnjë shenjë që luanë të tjerë mund të ishin në afërsi, dhe as edhe një nga braurimat e tyre të tmerrshme nuk ishin dëgjuar për sa kohë ajo po endej këtej pari.

Hiena e dinte që në sojin e Luanëve s’e kishin për gjë të rronin të veëuar, sidomos luanët e kësaj moshe. Kjo moshë kërkonte të ishte e pavarur dhe donte të tregonte që mund të jetonte edhe vetëm. Shpesh kjo përpjekje për pavarësi s’përfundonte dhe aq mirë.  Këta luanë ose zhdukeshin e s’merrej vesh se ç’u kishte ndodhur, ose përfundonin të braktisur dhe të harruar nga të gjithë dhe përfundonin në një vdekje të ngadaltë e të vetmuar. Por kohët kishin ndryshuar disi. Rrallë ndodhte që dikush të veçohej nga grupimi. Të gjithë kishin kuptuar se fisi kishte një forcë që individi s’mund ta kishte kurrë. Kudo mbretëronte fisi i madh. Deri vonë instiktin e familjes së madhe e kishin vetëm speciet  e dobëta të Savanës, si antilopat, zebrat, gazelat, por këtë zakon e kishin marrë kohët e fundit edhe luanët si dhe familjet e  tjera të mëdha. Ata kishin filluar të jetonin në tufa dhe ia kishin parë përparësinë kësaj bashkëjetese. Tek tuk ndodhte që ndonjë luan, kur arrinte moshën e pjekurisë së herëshme, duke mbivlerësuar fuqinë që ndjente t’i gurgullonte ndër deje, energjinë rinore që i rrezatonte në të tëra poret e trupit, vendoste të ndahej nga tufa. Por kjo nuk vazhdonte gjatë. Jashtë tufës rebelët e krisur nuk e ndjenin sigurinë e jetesës që i jepte klani i  fisit.

Ezistenca e këtij Luani të vetëm diku në Savanë, larg gjirit të fisit po i rriste  kuriozitetin   hienës. “Mbase aty nga mesdita do këtë rënë në ndonjë pre të mirë dhe do ta ketë  marrë gjumi pas një ushqimi të plotë,” mendoi. Imagjinoi shijen e mishit dhe të gjakut në gojën e luanit dhe përfytyroi se si mishi i lëngëzuar dhe i zbutur nga përtypja i kalonte në grykën e tij të gjërë.

Përfytyrimi i procesit të ngrënies në gojën e madhe të luanit, e ndezi hienën më keq dhe  e bëri të ndjejë urinë më thellë. E  ndjeu  gojën  të shkrumbuar. Lëpiu me gjuhë buzët holla që i ishin tharë nga nxehtësia dhe aty këtu i ishin çarë nga mungesa e gjatë e  lëngjeve. Ndjeu një dhimbje therrëse në buzë. E irrituar, vështroi përsëri përpara saj me vëmëndje por s’pa asnjë kockë apo mbeturinë rreth trupit të luanit. Thithi ajrin e nxehtë dhe të thatë, por hunda tejet e ndjeshme prej hiene nuk nuhati asnjë erë gjaku apo kafshe të ngordhur në një largësi prej afërsisht një kilometër që duhej t’i vinte  në shqisat e holla në qoftë se luani do të kish pasur fatin të kishte rënë në një pre atë ditë në atë perimetër.

Luani nuk po jepte asnjë shenjë jete. Hiena mori guxim dhe duke mbajtur një farë distance me të, filloi t’i vijë rrotull. Luani nuk bëri asnjë lëvizje, megjithëse era e veçantë që vetëm hienat kanë duhet të kishte arritur tashmë në flegrat e tij. Hiena mori guxim nga moslëvizshmëria e luanit dhe e mbylli  pak më shumë rrethin e lëvizjes. Përsëri asnjë shenjë  nga mbreti i Savanës.

Erë coftinë nuk ndihej, mandje asnjë shenjë nuk tregonte se luani mund të kishte ngordhur. Instikti i lashtë e bëri të kujdesëshme. Hiena u ul dhe vazhdoi ta vëzhgojë Luanin në distancë, aq larg sa era e saj karakteristike të  mos përçonte thellë në hundën e luanit dhe ajo të kishte kohë të largohej në rast se ai zgjohej. E kujdesshme, priti dhe vëzhgoi me orë të tëra por luani s’ lëvizi asnjë muskul. Muzgu po mbulonte Savanën. Hiena filloi të ndjejë një dobësi të jashtëzakonëshme. Të largohej e të shkonte të kërkonte ushqim diku gjetkë s’kishte kuptim. Nata, që po afrohej, nuk e nxiste të shkonte në kërkim të një preje të re. Dhe për më shumë, asnjë tregues nuk jepte shenja të ndonjë sofre ushqimi diku pranë. Nga ana tjetër e ndiente veten të mbërthyer në mënyrë të çuditshme  me ekzistencën e këtij luani të vetmuar. Një mendim i vagët se mundej të mposhte një luan i lëvizte diku në subkoshiencën e saj dhe e tërhiqte drejt Luanit në mënyrë të pavullnetshme megjithëse e  dinte se rreziku ishte tepër i madh. U zvarrit pak duke shkurtuar më shumë largësinë me prenë e dëshiruar. Tashmë era e saj duhet të ishte futur në sistemin e nuhatjes së Luanit, mendoi. Por, nuk pa asnjë lëvizje të Luanit që t’i tregonte se ai e kishte perceptuar praninë e saj.

Dielli kishte arritur horizontin dhe savana skuqte sikur kishte marrë zjarr. Reflektimi i fortë i diellit i ra në sy dhe ngjyra e fortë e kuqërreme si e gjakut e  shpërndarë sipër horizontit  e egërsoi keq hienën dhe e nxorri nga gjëndja e  plogështisë. Filloi t’i vlojë gjaku. Uria po ja errësonte sytë. Bëri një çap para. Ngriti kokën drejt qiellit dhe nuhati ajrin e nxehtë. Asnjë erë gjaku s’iu fut  në noçkat e hundës. Ishte kaq nxehtë dhe zagushi sa ajri nuk lëvizte. Instikti i vetëmbrojtjes i thoshte të mos bënte asnjë çap më tutje, por marrëzia që e kishte pushtuar dhe moslëvizshmëria e këtij luani të çuditshëm, ia mpinë gjykimin dhe ajo bëri dhe një hap tjetër përpara. Reflektimi i përflaktë i diellit në horizont arriti kulmin, dhe hiena s’e përmbajti dot veten dhe uluriti me zërin e çjerrë  të hienave. Piskama e saj çau qiellin dhe diku larg ca zogj të bardhë u ngritën, përplasën fort flatrat,  bënë një rrotullim të çoroditur në ajër sikur kërkonin një drejtim, dhe  fluturuan tutje duke u zhdukur në largësi, por asgjë tjetër nuk lëvizi. As edhe Luani.

Bashkë me piskamën, diçka përçoi  trurin e turbulluar të hienës. Një si kambanë alarmi u mundua t’ia frenojë instiktet e egra që po i forcoheshin gjithmonë e më shumë dhe po i jepnin kurajo t’i afrohej afër më afër Luanit.  Një instikt i largët,  i trashëguar nga të parët, u mundua t’i rizgjojë nocionin e  gjumit letargjik. Por ishte një nocion shumë i vagët dhe i papërforcuar për të frenuar trurin e saj të  nxitur nga uria dhe nga thatësira e ajrit  dhe tejet të eksituar nga përflakja e kuqe e horizontit. 

Hiena i injoroi këmbanat e alarmit që po binin me forcë në trurin e saj, dhe vazhdoi të lëvizë përpara e t’i afrohej luanit duke i ardhur rrotull në një rreth gjithmonë e më të vogël e duke e vëzhguar me kujdes me sytë krejtësisht të kuq nga uria dhe etja përvëluese. Dukej sikur kishte kaluar në çmënduri. Herë pas herë ndalonte, zvarritej për pak, por përsëri ngrihej dhe hidhte hapa të kujdesshme e të vendosura në drejtim të tij. Egërsia ia kishte tulatur instiktin e vetëmbrojtjes, dhe megjithëse ndihej e dobët fizikisht, diku nga thellësia një forcë e çuditshme e shtynte të  shkonte pranë Luanit, aq afër sa të shkëpuste një copë mishi nga trupi  i  tij i palëvizshëm. Vetëm ideja se ajo, hiena, do të mundej për të parën herë në jetën e saj të zhvaste një copë mishi nga një luan,  i ngacmonte  instinktet e saj deri në atë pikë sa eksitimi që ndjente po i kalonte gati në tërbim të verbër.

Natyra, e çuditshme në tekat e saj, që e mbërthenin herë pas herë ngaqë s’dinte ç’të bënte me kohën që kish në dispozicion, luante shpesh lojra të rrezikshme me speciet në mbretërinë e saj, për të parë e studiuar se si do të reagonin speciet e egra kur ajo, Mëma Natyrë, vendoste të luante një nga ato triqet e  saj tekanjoze. Këtë radhë kishte vendosur të dërgonte gjumin letargjik, një fenomen i paparë në këtë anë të rruzullit,  në mes të kafshëve të Savanës, dhe kishte vendosur që me fuqinë e saj të mistershme të bënte një luan të binte në këtë gjumë misterioz. Pastaj, me kujdes, kishte drejtuar këtë hienë të uritur në drejtim të luanit të fjetur. Donte të shihte se si këto dy qënie do të reagonin ndaj njëra tjetrës. Natyra Mëmë po vëzhgonte  e shkujdesëshme se çfarë  po ndodhte midis hienës dhe luanit. Ishte  kurioze të shihte se cila specie do ta fitonte sfidën në të cilën ajo i kishte vendosur, hiena e pështirë apo luani i mpirë.

Luani i fjetur, ende s’po ndjente gjë. Reflekset e tij ishin tërësisht të mpira. Kur hiena u afrua shumë, era e keqe që lëshonte trupi i saj i hyri në noçkat e hundës dhe i përçoi një sinjal tepër të dobët në trurin e tij për ta nxjerrë  luanin  nga gjëndja letargjike, por luani nuk reagoi.

Hiena tashmë kishte humbur krejtësisht instiktin e vetmbrojtjes që gjithmonë e  kish patur të fortë, insinkt që e kishte ndihmuar të mbijetojë në këtë botë ku mbizotëronte ligji i xhunglës: Ul kokën para se të të vënë re të tjerët; bashkëjeto në hije si të mos ekzistosh; ji i pamëshirshëm me më të dobtit; mbaj distancën e duhur me të fuqishmit, por bëju i domosdoshëm për ekzistencën e të tyre duke pastruar gjurmët e rrëmujës që  ata lënë pas. Këto ligje i dinte mirë hiena.

Gjithmonë kishte ngrënë coftina, mbeturinat e sojit të këtij Luani që qëndronte përpara saj i pafuqishëm duke qëndruar pas të mëdhenjve pa u ndjerë që ekzistonte. E vinin re, por nuk i bezdiste prania e saj. Ajo e dinte që e quanin si një të keqe të domosdoshme, pa të cilën harmonia  në rruzullin tokësor do çekuilibrohej.

Për herë të parë në jetën e saj prej hiene, ishte vetëm ajo dhe ky luan i palëvizshëm, i cili qëndronte para saj pa asnjë shënje madhështie, me kokën të mbështetur  në putrat e tij stërmëdha, krejtësisht i përhumbur. Me sa dukej, sot ishte dita e  saj. Më në fund i kishte ardhur ajo kohë që gjithmonë kishte ëndërruar që nga koha kur akoma s’ishte e ndërgjejgjëshme si krijesë! Në trurin e saj u shfaq sofra më e pasur që mund të kish përfytyruar ndonjëherë, një sofër mbretërore, me mish e gjak Luani.

Qënësia e hienës së shkretë, humbi në ato çaste çdo instinkt të trashëguar nga klani i hienave, një klan që futej në kategorinë e atyre që mundoheshin të mos binin në sy, klan tepër i vetëdijshëm për ngjyrën e keqe të lëkurës dhe njollat e çuditëshme në trup që e bënin  të dalloheshin nga të tjerët megjithëse mundoheshin të qëndronin  larg specieve të tjera, duke lëvizur nga një vënd në tjetrin ngadalë e tinëzisht, në formë gjysëm-harku, më ecjen karakteristike të mefshët të hienave, trupin e dobët të harkuar, dhe turirin e shëmtuar të kthyer pak si mënjanë në drejtim të tufave të kafshëve, duke tundur kokën ritmikisht në cdo hap që hidhnin, e duke pritur rastin më të parë për të marrë pjesën e tyre pasi të tjerët të ngopur largoheshin dhe linin pas kocka, lëkurë dhe aq mish sa për të mbajtur gjallë shpirtin e klani i hienave. Ajo e mbyti zërin e arsyes që po i ushtonte fort në brëndësi. Hapi gojën ku u dukën dhëmbët e mprehtë, të zverdhur dhe si të nxirë, lëshoi një zë mbytës, dhe tundi kokën në ajër si në delir. Egërsia gati në çmënduri që e kishte pushtuar, i mposhti të  gjitha sinjalet e vetmbrojtjes që po mundoheshin ta frenonin, dhe hiena u sul me çataj e dhëmbë për të shkëputur një copë mish në ijen e palëvizëshme të Luanit.

Ngacmimet tashmë tepër të forta, filluan të zgjojnë ngadalë tek Luani  reflekset e trashëguara të fisit të tij të fortë, reflekse që  i kishin dhënë mundësinë dhe të drejtën të jetonte i pavarur. I gjithë fisi i tij i luanëve, kishte trashëguar karakteristikat më të mira që natyra i kishte dhënë specieve të mbretërisë së saj. Këtë e tregonte pamja e tij, krifa e tij madhështore, fuqia e tij fizike, krenaria e vetëdijëshme, krejt naturale e paimponuar e lindur bashkë me të, paçka se ky gjumë letargjik ia kishte mpirë  disi në formë të gjitha këto. Hiena, kjo kafshë e neveritshme, e gënjyer nga palëvizshmëria e tij, nga ky gjumë tinzar që s’kuptohej se nga i kishte ardhur, i ishte afruar më tepër se sa duhet, dhe e kishte nxjerrë dalëngadalë nga ky përgjumje e imponuar, por akoma s’ishte i vetëdijshëm për rrezikun që po i kanosej. Era e saj i i gacmoi reflekset dhe   flegrat iu hapën paksa. Subkoshienca e tij filloi të zgjohej. Befas ndjeu në mish,  thellë deri në kockën e kofshës së majtë, çatajt e hienës. Dhimbja ishte tepër e  fortë dhe therrëse. Ishte një dhimbje që i depërtoi deri në thellësi të qënies me një ndiesi përvëluese, dhe një gjëndje kaotike e çuditëshme e kapi qenësinë e  tij. Çudia se një hienë kishte marrë guximin ta sulmonte e hutoi për një copë herë. Ajo ishte vënë në këtë planet që thjesht të ndiqte sojin e tij, por në asnjë mënyrë s’ishte  krijuar t’i  afrohej e ta sulmonte. Qëllimi i ekzistencës së saj s’ishte paracaktuar për një rol të tillë, mendonte krejtësisht i çoroditur Luani.

Hiena ndërkohë, mori më shumë guxim nga mosreagimi i luanit dhe rrotulloi çatajt në mishin e tij dhe i dëmtoi keq muskujt e kofshës së majtë. Shqeu një copë mishi, e nxorri jashtë kofshës, krejt e habitur për çfarë po ndodhte, e lëshoi përtokë, e pa me kureshtje, dhe turiri i saj u hap, u ul me shpejtësi, dhe copa e  mishit u zhduk në gojën e saj të ngushtë dhe përfundoi në barkun e saj si të mos kishte ekzistuar krejtësisht e pambllaçitur. Shija  e gjakut në gurmazin e saj, era  e atij gjaku, i përshkroi noçkat e hundës, dhe kjo e tërboi më keq hienën, dhe pa kuptuar se si, zhyti turirin përsëri drejt në plagën tashmë të hapur. Dhëmbët e saj të mprehtë shqyen një copë tjetër mishi në kofshën e majtë. 

Copa e dytë e mishit të shkëputur nga trupi i luanit pati fatin e të parës. Shija e copës së mishit dhe sidomos shija e gjakut që kullonte prej saj, shijonte si asnjë gjak tjetër që kish provuar. Kurrë më parë s’kishte shijuar gjak kaq të freskët, e për më shumë, gjak Luani. Kjo e egërsoi akoma më shumë, ia nxorri dhe frikën që mund t’i kishte mbetur. Çmënduria e saj arriti kulmin dhe hiena futi turirin përsëri në  plagën që rridhte gjak  dhe me dhëmbët e saj të vegjël e të mprehtë shkuli një copë tjetër mishi, këtë herë, shumë më të madhe se dy të parat. Dhe vazhdoi një copë herë duke gllabëruar copë pas cope.

Papritur, një braurimë rrëqethëse u dëgjua dhe hiena e ndjeu veten të përplasur për tokë. Jehona e asaj braurime u përhap në të gjithë Savanën dhe një zhurmë mbytëse u dëgjua, dukej sikur diçka masive e padukëshme po lëvizte kudo. Hiena, nuk lëvizi për një çast, por papritur pa që luani ishte në këmbë dhe vuri re sytë e tij të stërmëdhenj që po e shikonin  me kuriozitet  habitës dhe ngulmim paralizues. Ndjeu putrën e tij që po i rëndonte në trupin e saj të hajthëm kockë e lëkurë. Ndejti një copë herë ashtu nën peshën e putrës stërmadhe dhe nuk lëvizi. Frika dhe paniku që e kishte pushtuar, e kishte paralizuar fizikisht dhe ja kishte  zbehur mprehtësinë që e karakterizonte dhe e nxirrte gjithmonë edhe nga situatat edhe më të komplikuara. Ndjehej e humbur dhe pa shpresa. Fundi, të cilit gjithmonë i ishte ruajtur dhe frikësuar, ishte bërë real. Shikimi iu errësua dhe gjithçka u kthye  në terr.

Luani ndjente dëshirë  të fortë ta shtypte hienën, t’ia thërmonte eshtrat e ta kthente këtë vemje në një grumbuj mishi e kockash. Por mpirja që i kishte krijuar gjumi letargjik si dhe plaga që i kishte hapur hiena në ije, që po i kullonte gjak dhe po i jepte dhimbje të padurueshme, e kishin bërë të   pafuqishëm për të gjetur forca në vetvete për ta zhdukur këtë krijesë të neveritëshme një herë e përgjithmonë nga faqja e dheut. Dhe një hutim i çuditshëm e mbërtheu, hutim që vinte nga fakti që kjo hienë e kish sulmuar, kish guxuar dhe kish mundur të shkëpuste jo një por disa copa mishi nga trupi i tij, dhe kish guxuar të fuste turirin e saj të ndyrë përsëri e përsëri brënda trupit të tij. Ndjehej i dhunuar dhe i dukej sikur një ndyrësi e  paprekëshme i kish hyrë thellë në qënien e  tij. Dhe ç’ka e hutonte më shumë, ishte fakti që askush s’i ishte përgjigjur braurimës së tij ngjethëse. Luanët e tjerë as kishin denjuar që t’i përgjigeshin me të njëjtën braurimë, lëre që të vinin në shpëtim të tij. Duke mbajtur hienën nën putrën  e tij, u kthye të shohë plagën e hapur në ijen e majtë. Ija e tij e bukur, lëkura e tij e kadiftë ishte shqyer dhe ishte mbuluar me gjak. I tmerruar, në atë përzjerje mishi e gjaku, dalloi  kockën e bardhë të kofshës së majtë që dukej nëpërmes mishrave të varura. Një dëshpërim i thellë e kaplloi, dhe atë çast ndjeu hienën t’i rrëshiste nën putër. E shihte tek largohej, dhe s’qe në gjëndje të hidhej ashtu si një Luan dinte të hidhej dhe ta mbërthente atë krijesë të neveritëshme.

Hiena ndjeu diçka, diçka si pa formë, shumë të turbullt që i erdhi nga një drejtim i panjohur dhe i hyri në shqisa. U ndërgjegjësua dhe pa rreth qark. Një shkëndije shprese iu pasqyrua në sy. Kjo e bëri që të bëjë një tentative të dëshpëruar. Mblodhi të gjitha forcat, dhe bëri përpjekje të jashtëzakonëshme për t’u çliruar nga kthetrat e Luanit duke u munduar të tkurrë trupin dhe të rrëshqasë nën putrën e tij. Por s’ishte aq e lehtë. Kur e pa që s’po shkëputej dot, lëshoi sinjalin e alarmit kudo, i ra të tëra kambanave të rrezikut me kodin sekret të hijenave, dhe ndejti në pritje të një mrekullie që mund t’i vinte as ajo vetë s’e dinte nga ku. Dikur ndjeu që pesha  rëndë e putrës së luanit ishte zbutur.

Nuk e kuptoi krejtësisht se s’i arriti të çlirohej nga kthetrat ngjethëse të Luanit, por pa e zgjatur, dhe pa e kthyer kokën mbrapa, vrapoi tutje savanës me një shpejtësi që s’e kishte arritur kurrë më parë. Megjithëse s’e kishte marrë ende veten nga tmerri që posa kishte kaluar, Hiena po ndjente një besim të ri në vetvete. S’paskësh qënë dhe aq e rrezikshme t’i sulej një luani, mendoi, përderisa ajo ishte ende gjallë, me ca gërvishtje të vogla, me ndonjë brinjë të thyer, që ishin gjëra fare të parëndësishme. Ajo ishte gjallë! Gjallë! Kjo fjalë i kumbonte në kokë në mënyrë të hareshme, dhe një ndjenjë e fortë sigurie po dukej qartë në sytë e saj. Në të ardhmen s’do ta kishte vështirë të kthehej e ta sulmonte sërish  luanin e shkëputur nga kopeja. Tashti ia njihte erën, ia dinte dobësitë,  dhe  dinte se si ta sulmonte sërish falë atij gjumi të çuditshëm që ia kishte tulatur shqisat. Dhe për më shumtën, e kish plagosur keq. Jo vetëm fizikisht. Për ç’ka hiena kuptonte, i kish cënuar thellësisht egon e tij prej Luani! Cënimi i ekzistencës së tij si krijesë e pavarur, kishte hapur rrugën për të tjera sulme, që truri i saj i ekzaltuar po i planifikonte me një shpejtësi marramëndëse. Ajo, Hiena, e kishte bërë luanin lehtësisht të arritshëm. Me gjithë frikën që kishte ndjerë pak më parë, ndjente gjithashtu një eufori të jashtëzakonshme t’i mbushte qelizat e trupit. Mezi ç’priste t’i tregonte hienave të tjera për “trofenë” që kishte arritur të “fitonte” në këtë ditë të jashtëzakonëshme.

Mendimet në kokën e saj vërtiteshin me shpejtësi trullosëse. S’e kishte shumë të qartë për momentin se çfarë kishte qënë ajo forcë që e kishte ndihmuar, por përderisa ajo forcë  ekzistonte, shpresa për të, për të vënë nën vete rracën e Luanëve, duke i përçarë e vecuar nga njëri tjetri, ishte  madhe. Duke vrapuar sa më larg Luanit, ajo lëshonte klithma gërvishtëse hareje. Për një moment, një e qeshur e fortë diabolike i doli nga gryka e gërvishtur prej hiene, e qeshur që i bëri   krijesat rreth e qark  të  largohen me shpejtësi dhe të futen thellë në strofkat e tyre,  por jehona e asaj të qeshure ngjethëse arriti deri në thellësitë më të largëta.

Luani shihte i habitur se si hiena largohej me shpejtësi, dhe s’e kuptonte se si ajo qënie përçudnuese kishte mundur t’i shpëtonte putrës së tij. Papritur dëgjoi  të qeshurën e saj diabolike dhe ndjeu të ngjethura në trup, të ngjethura që s’i kish ndjerë kurrë më parë. Shtangja e tij u rrit me shume.

Mëma Natyrë, tejet e kënaqur me rezultatet e eksperimentit që kishte improvizuar në protektoratin  e saj, me një buzëqeshje vetkënaqësie në fytyrë, u ul dhe përshkroi episodin që sapo kish vrojtuar midis krijesave të saj, me detaje të hollësishme e tepër pikante, në ditarin personal.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.