Porta e tretë

Postuar në 21 Shtator, 2011 03:57
Beqë Cufaj

Nëse ambasadorët rusë dhe shefat e tyre në Moskë, mendojnë që me marketing mund t'u ndihmojnë serbëve - del që jo vetëm se e kanë huqur, por në ato gjestikulacione të Konuzinit në Beograd dhe Çurkinit në Nju-Jork, ka edhe doza të forta sharllatanizmi.

Por edhe nëse qeveritarët tanë mendojnë që me dhe përmes inskenimeve të mbidozuara mediale mund ta "marrin" apo edhe "rregullojnë" gjendjen në veri, po kështu kemi të bëjmë me keqpërdorim. Sepse janë dhjetë vjet armiqësie e urrejtjeje, lulëzimi të krimit të organizuar dhe krijimit të strukturave të hirta në atë pjesë të vendit, ato që nuk do të guxonin askujt t'i jepnin pozën e triumfalizmit.

Situata në veri të vendit gjithsesi ka ndryshuar që nga data 25 korrik dhe me hapin e dytë - atë të 16 shtatorit kur kemi kthimin e doganierëve të Republikës së Kosovës në portat 1 dhe 31 nën mbështetjen e KFOR-it, EULEX-it dhe PK-së, është mbyllur një prej filtrave të rëndësishëm të krimit të organizuar në Kosovë.

Dhe në të njëjtën kohë si një deja vu kemi kthimin e barrikadave të serbëve të veriut, të cilët nuk do mend të supozohet që jo vetëm se e kanë përkrahjen e Beogradit, por prapa këtyre "strukturave" qëndrojnë oficerë policorë e ushtarakë që krah për krah me lordët e krimit janë bërë një që të "mbrohen" nga Prishtina.

Shpresa e tyre dhe sidomos shefave të tyre që reagimi i Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, gjatë këtyre barrikadimeve do të gjeneronte incidente dhe sulme ndaj serbëve del të jetë një vetmashtrim i madh. Prandaj, nervoza e pinjollëve të Tadiqit - duke filluar nga Daçiqi përmes Stefanoviqit e deri tek Oliver Ivanoviqi.

Problemi më i madh që serbët e kanë pasur dhe për fat të keq edhe vazhdojnë ta kenë është që në krejt konfliktet e armatosura në procesin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, ata gjithmonë kanë qenë agresorët e parë. Ata pra që e kanë filluar dhe kanë tentuar ta përfundojnë vetë - në mënyrë të përgjakshme dhe pa zgjedhur mjete as natyrën e viktimës.

Prandaj, edhe këto apelet dhe thirrjet e zyrtarëve të Beogradit për barrikadime në njërën anë dhe "qetësi" e "dialog" në anën tjetër janë vetëm ca floskula, me të cilat jemi tashmë dy dekada. Sepse janë konfliktet në kufirin e Sllovenisë, sulmet në Vukovar, gjenocidi në Srebrenicë, masakrat në Drenicë e Reçak, ato që tregojnë se politika serbe tjetër flet dhe krejt tjetrën e bën.

Këtë e dëshmoi edhe mënyra bestiale me të cilën snajperistët serbë e vranë policin e Kosovës, Enver Zymberin. Kjo është njëra anën e medaljes. Ana tjetër e saj është që politika e Beogradit edhe në kohën e Milosheviqit edhe tash (tekefundit njëra prej partive në pushttet atje është SPS-i i Milosheviqit) nuk u përmbahet marrëveshjeve. Negociatat për vulat dhe për shkëmbimin e mallrave, jo vetëm që nuk po respektohen, por ato thjesht po minohen siç vetëm serbët dinë ta bëjnë këtë gjë.

Dhe kjo ngjet sepse artisti e sportisti Tadiq, do dhe insiston me çdo kusht që nga ikja e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe me fryerjen që u bën serbëve të Kosovës, të fitojë në kohë dhe sidomos ta fitojë ftesën për statusin e kandidatit për BE.

Ne nuk mund ta dimë se çfarë janë duke zier në kuzhinat e tavolinat e tyre, por duke u nisur nga përvoja e gjatë me ta, duke e ndier racizmin dhe fanatizmin me të cilin vazhdojnë të ushqejnë opinionin e tyre kur shqiptarët dhe liderët e tyre janë në pyetje, atëherë nuk ka si të mos e kuptojmë që për ta nuk ka tjetër rrugë as shteg pos atij të përpjekjes së fundit, përpjekjes dëshpëruese që veriu t'i shkëputet Kosovës.

Dhe kjo gjë të bëhet ashtu që qeveria serbe ta marrë statusin e kandidatit, kurse serbët në veri "autonomi speciale". Natyrisht që barrikadat nuk mund të jenë të përjetshme. Sepse jo vetëm që vjeshta sjell edhe shiun dhe më vonë edhe acarin dimëror, por edhe për faktin që shqiptarët nuk do të jenë në gjendje të kalojnë përtej Ahtisaarit kur veriu i vendit është në pyetje.

Prania e forcave ushtarake të NATO-s në atë pjesë të vendit, serbëve jo vetëm që ua ka bërë të qartë që ndarjen munden vetëm ta ëndërrojnë por edhe i ka sjellë në pozitën që duhet të vendosin: ta pranojnë realitetin dhe me këtë edhe shtetin e Kosovës, apo të vazhdojnë të jetojnë në ambisin e turbullirave të pashpresës, rezignacionit dhe prapambeturisë me posterët e Sheshelit e Mladiqit nëpër rrugët dhe shtëpitë e tyre.

Këtu fillon edhe problemi për Kosovën. Serbët, deshën apo nuk deshën, tani janë në Kosovë dhe e kanë kuptuar këtë gjë. Por do të jetë e vështirë, më tepër se e vështirë që të fillojnë edhe ta kuptojnë që rruga e tyre për integrim çon nga Prishtina. Pas 10 vjetësh apatie ata duhet të fillojnë të kalojnë nga porta e tretë - e ajo është në Prishtinë.

Marrë nga Zëri

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.