Për Fatmir Limajn…!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/7235_1_1124.jpg?itok=Dmx_OHnm)
Fatmir Limaj sot nuk ka shokë. Gjithçka që ai ka sot rreth vetes janë familja, një shtëpi dhe disa avokatë vendës e të huaj. Kjo puna e shtëpisë më kthen prapa në kohë dhe shpjegon shumëçka. Gjyshja ime gjatë viteve të 90-ta na thoshte se ka raste kur shtëpia të bëhet kasolle, edhe ka raste kur kasolleja të bëhet shtëpi. Varet nga disponimi, varet nëse je mirë apo keq, nëse punët të shkojnë mbarë ose mbrapsht. Nuk kam asnjë kontakt me Limajn, që të di se si ndihet sot ai, nëse shtëpia i është bërë kasolle apo jo. Por, e di që një vit më parë ai kishte edhe miq edhe shokë shumë, ndoshta më tepër se që i duheshin.
Fatmir Limaj është një shembull, i përsëritur, që në mesin e kosovarëve dhe në Kosovë nuk mund të kesh miq dhe nuk mund të kesh shokë - në momentin që më nuk je i fortë, në momentin që më nuk iu duhesh. Në momentin që je keq të gjithë të braktisin. Argument ky i mjaftueshëm për të cilësuar shoqërinë tonë dhe vetë neve si pjesëtarë të saj, në mos ndërmjet kufirit mes njerëzisë dhe panjerëzisë, atëherë së paku jashtë çdo koncepti të një shoqërie apo individi modern. Një mik ta rrah shpinën atëherë kur i ke punët keq dhe të braktisë atëherë kur je më së miri.
Me asnjë rresht nuk dua të fitoj as simpatinë dhe as miqësinë e Limajt, dhe të askujt rreth tij. Nuk kemi qenë miq asnjëherë dhe as armiq. Madje mendoj se në periudhën më të gjatë të kohës nuk kemi qenë asnjëra dhe as tjetra. Nuk njiheshim fare. Edhe Fatmiri vetë, me siguri, derisa ishte i fortë nuk njihte “vdekatarë të zakonshëm”, si na quan neve qytetarëve të rëndomtë miku dhe kolegu im, Beqë Cufaj.
Nuk dua me asnjë rresht as të fajësoj askënd individualisht se i ka kthyer sot shpinën mikut të dikurshëm Limaj. E as t’i hedh faj askujt për pozitën në të cilën gjendet ai sot. Të gjithë ne në fund do t’i lajmë vetë të gjitha mëkatet tona, dhe të gjithë do të jemi viktima të veprimeve tona.
Në momentin që Limaj, i njohur si komandant Çeliku në luftë, e si “asfalt men” sa ishte ministër, është vendosur para drejtësisë këtë luftë duhet ta luftojë ai vetë. S’i bëjnë punë aty asgjë as miqtë as armiqtë, as deklarata se EULEX-i po e bëka punën e Serbisë. As se ky apo ai dëshmitar është nxitur nga njëri apo tjetri qark pro-serb. Nuk i bën punë as identifikimi i armiqve të brendshëm as të jashtëm. Nuk do t’i ndihmojë as edhe një gazetar apo shkrim gazete. Aq më pak ky i imi. Të gjitha këto mund të jenë mësime të nxjerra që do t’i shërbëjnë vetë atij dhe të gjithë neve në të ardhmen. Limajt para gjykatësit do t’i bëjnë punë vetëm faktet dhe aftësia e avokatëve të tij për t’i shpjeguar e ballafaquar ato me aktakuzën.
Nuk e kam ndërmend të shpall verdiktin për Limajn. Njohuritë e mia, në kontekstin më pozitiv, janë të limituara në aspektin e proceseve gjyqësore.
Por, njëkohësisht pyetem dhe befasohem, se si nuk doli asnjë mik a armik i Limajt, ditën që ai u paraqit në gjykatë dhe të thotë vetëm një gjë: z.Limaj për ne je i pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta. Si nuk doli një i vetëm, për aq sa sheh publiku, që t’i rrahë krahun një miku të dikurshëm. Për të paditurit ose ata që shtiren si të tillë, një rrahje e këtillë e krahut të mikut, nuk është përzierje në drejtësi, por është konfirmim i shtyllës së demokracisë, që është e ndërtuar me presupozimin e pafajësisë dhe mbi dyshimet për faj. Prandaj, ekzistojnë gjyqtarët dhe prandaj ekziston procesi gjyqësor.
Thjesht, nuk e di as pse dhe as si u bëmë kaq frikacakë dhe kaq zemërngushtë.
Sa fals jemi si individë dhe si shoqëri. Të gjithë. Edhe unë. Fatmir Limaj nuk është i vetmi që po përballet me një aktakuzë. Jashtë vdekatarëve të zakonshëm në një situatë të tillë e kemi sot edhe Ramush Haradinajn, ish- kryeministrin tonë, i mirë apo i keq ashtu siç ishte. Nuk do të pajtohem me këtë mentalitet, me asnjë kusht.
Prandaj, z.Limaj për mua ju jeni i pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta.
Unë besoj në demokraci, dhe nuk kam frikë nga ajo.
Marrë nga Zëri
Comments
Problem shume i madhe ky qe
<p>Problem shume i madhe ky qe ngrihet ne shkrimin e z. Gashi.</p><p>Kam menduar se ky ishte nje defekt joni, domethene i shqiptareve brend kufijve politike te Shqiperise. Por qenka mbare shqiptar. Pra akoma me keq. Pse?</p>
Add new comment