Degradimi

Disi në mënyrë paradoksale, ditën kur ministres së Arsimit në Qeverinë e Gjermanisë, Annette Schavan, Universiteti i saj, ai i Düsseldorfit, ia mori titullin e doktoraturës duke e vlerësuar atë si të vjedhur/kopjuar... në shtyllat e kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë u shfaqën ca pamflete në të cilat “të interesuarit” ftoheshin që “x” personin ta thërrisnin në telefon nëse dëshironin t’i merrnin të gatshme, për një çmim të “arsyeshëm”, punimet shkencore të të gjitha natyrave dhe fushave. Dhe për të gjitha gradat shkencore.
Kjo s’ishte tallje. Dhe kështu s’e mori as Universiteti i Prishtinës i cili përmes një komunikate shprehu shqetësimin për këtë dukuri. Për këtë më vonë. Mbrëmjen e së njëjtës ditë, komuniteti në Web 2.0 kishte shpërthyer. Emra studiuesish e akademikësh seriozë të Kosovës e Shqipërisë merreshin me fenomenet në fjalë. Edhe doktoraturën e ministres Schavan por edhe me njoftimin e “x” personit në Prishtinë. Reagimi i Universitetit tonë dukej i tepërt në ato shpoti e analiza, thirrje të reja për shkruarje doktoraturash e punimesh shkencore.
Kjo rastësi e javës së shkuar e cila prekte trekëndëshin në relacionin Universiteti i Düsseldorfit- Berlini dhe paradoksalisht edhe Prishtinën tonë, s’ka dyshim që na sjell tek ajo maja e madhe e brengës që mund t’i themi tmerr e trishtim, mallkim e mëdyshje dhe për ata që ia dinë esencën këtij problemi edhe pyetjen po çfarë tash?
Pra, çfarë pas kësaj gjendjeje në të cilën jeta akademike, në sektorin “publik” dhe në atë “privat” (e që në fakt janë një dhe e vetmja gjë) në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni- pra gjithandej ku flitet shqip, ka pësuar një degradim aq të madh dhe frikësues, ku titujt shkencorë janë në pazare dhe shiten e blihen, kontrabandohen e kamuflohen aq shumë dhe aq keq saqë tashmë thjesht është e pamundshme të fillohet të gjurmohet se kush kujt ia ka vjedhur apo shitur një punim shkencor- të të gjitha niveleve.
Janë të panumërta listat të cilat do të dilnin në çdo sferë të shoqërive shqiptare dhe me këtë edhe qarqeve akademike me “akademikë”, doktorantë e të diplomuar që janë pjesë e këtyre degradimeve dhe thjesht kopjimeve që kanë ngjarë e po ngjajnë aq masovikisht dhe në mënyrë aq të pafalshme saqë njeriu e ka thjesht të vështirë të mos e ngrejë pyetjen: deri kur dhe para së gjithash si të dilet nga kjo situatë kaq e rëndë? Unë këtu nuk shoh rrugëdalje.
Sepse janë të kota reagimet (si ai i Universitetit) apo edhe diskutimet që dolën pas “njoftimit” dhe që do pasojnë edhe ditët dhe muajt në vijim rreth kësaj tematike. Sepse problemi është esencial. Korruptimi dhe degradimi me titujt shkencorë është një e hidhur e madhe e cila mund të shikohet në të dy pikat ose drejtimet: nga lart - poshtë dhe anasajelltas nga poshtë- lart. Nga politikanë profesorët e deri tek studentët që duan të bëhen të tillë- në shkencë, ekonomi, drejtësi, politikë, kulturë, gjuhë e letërsi... që janë të zhytur në këtë kiamet përmasash tronditëse i cili sezon pas sezoni e brez pas brezi prodhohet në format e titujve shkencorë.
Nëse dikush pretendon të përmendim e hartojmë emra dhe institucione, të identifikojmë njerëzit dhe me këtë edhe shkaktarët e pasojave në fjalë, e ka huqur. Sepse secili e di kush janë dhe kush jemi. Me një fjalë, ky fenomen është vetëm një prej përmasave të fenomenit korruptiv që ka kapur shqiptarët edhe në fushën arsimit e shkencës. Sikurse në të gjitha sferat.
Po ç’të bëjmë me ata që i kanë fituar, i fitojnë dhe do t’i fitojnë titujt në mënyrë të ndershme. Pa huqe e truqe, pa vjedhje e kopjime? Është pyetja e cila nuk ka si të mos dalë vetvetiu. Në këtë nuk duhet të dyshojmë aspak pra që ka njerëz, të rinj e të reja shqiptarë që në Ballkan por, sidomos në Perëndim, me mund e djersë kanë fituar këta tituj me punë e përpjekje, sakrificë e mund të madh. Asgjë them unë. Këta janë dhe shyqyr që i kemi. Do ta kenë shumë më zor të depërtojnë në karrierat akademike dhe zinxhirore sepse dihet që tashmë shumica janë “trashur” me tituj por, në anën tjetër, është profesionalizmi dhe përgatitja e tyre akademike ajo që këta njerëz i bën të jenë të afërt tek studentët dhe të zotët në profesionet e tyre. Lehtësisht të dallueshëm dhe me këtë edhe identifikueshëm.
Me një fjalë: krejt ata që punën dhe titujt e tyre i kanë me meritë nuk do të duhej të dyshojnë kurrën e kurrës në atë që bëjnë. E di që është konstatim më shumë etik sesa që provon të japë një zgjidhje... por ja që s’ka tjetër rrugë për këtë problem, përmasat e tij janë thjesht vullkanike. Dhe që është edhe më e rëndësishme: të gjithë ata që këta tituj i kanë fituar dhe fitojnë me hajni e mblesi, jo veç që shihen dhe ndjehen, por njeriu e di menjëherë që s’e kanë atë nivel. Që janë të (vetë)mashtruarit dhe (vetë)mashtruesit.
Kthim prapa nuk do të ketë. Këtë e dimë të gjithë. Por ajo që do të ngjajë është edhe më e rëndë: do ketë stagnim. Siç e kemi tashti. Dhe siç ky do të dijë të jetë edhe më i rëndë. Sepse, shoqëritë shqiptare, nëse duan të shkojnë atje ku kanë synimin- në Europë dhe në mentalitet e civilizim në të cilin bien koka ministrash e ministresh për vjedhje që kanë bërë para dekadash e lëre më sot kur një software i thjeshtë mund të identifikojë edhe hajninë më të vogël në një punim... të shkohet atje pra... me këtë degradim të madh nuk do mundet askush. Prandaj të zgjedhim: o kështu siç jemi, o të ndryshojmë diçka. Është frikësuese. Sepse do duhen edhe gjenerata të tëra!
ZËRI
Add new comment