Një papë kinez!

Shpirti i gjithësisë qëndron veçse në ripërtëritje! Ndërsa krijimi mbetet i pandryshuar, besimtarët e devotshëm në çdo ritual e nënshtrojnë shpirtin e tyre për ta ripërtërirë. Dukshëm, edhe pagëzimi në Krishterim synon pikërisht ripërtëritjen e Jezusit në trup, në mendje dhe në sjellje…
Kuraja dhe vullneti mbinjerëzor i dorëheqjes se Papa Benediktit XVI nga drejtimi i shtetit të Vatikanit dhe vendimi për ta liruar fronin si udhëheqës shpirtëror i botës katolike, më tepër se vetë Vatikanin, ka vënë në provë fetë e tjera abrahamite. Papa Benedikti XVI, mbrojtësi më i zellshëm i doktrinave konservatore dha mesazhin e nevojës së ndryshimit rrënjësor të kushteve të njerëzimit. Ai iu përmbajt zotimit të tij deri në pikën e fundit, madje duke vetëmëkatuar u hapi udhë realiteteve të reja. Çoroditja, heshtja, moskokëçarja e klerikëve të besimeve të tjera, ndaj aktit të Papa Benediktit XVI, s’është veçse paralajmërim i trazirave të frikshme që i pret së shpejti ata, si rrjedhim edhe ndjekësit e tyre.
Ndërsa Papa Gjon Pali II, ia doli të zgjojë nga përgjumja e socializmit utopik Bllokun e Lindjes dhe u dha lirinë e vetadministrimit dhjetëra shteteve, vendimi i Papa Benediktit XVI prek drejtpërsëdrejti çdo gjallesë mbi tokë. Ky vendim është pranimi i fitores së globalizmit ndaj demokracisë. Nuk është gjë tjetër veçse fitore e globalizmit kinez ndaj demokracive të vendeve monoteiste; i së prekshmes ndaj të paprekshmes, i së dukshmes ndaj të padukshmes, i së vërtetës ndaj gënjeshtrës.
Kjo që po ndodh sot është parashikuar që në shekullin VI nga shenjtori Benedikti I, “Shenjtori i sotëm i BE”, i cili i bindur në ripërtëritjen e gjithësisë nuk i neglizhoi mësimet globaliste të Konfucit. Ai u thellua edhe tek arsyet e ndikimeve të budizmit Mahayana te filozofët grekë, te kristianizmi fillestar, pra te të gjithë mendjendriturit e asaj kohe, duke hedhur kësisoj idenë e parë të Bashkimit të Europës. Në udhëzimet e tij, bie në sy sidomos, përkujdesja ndaj lirisë së besimeve të Lindjes së Largët dhe largpamësia e frenimit të çdo trysnie për t’i shndërruar ata në të krishterë.
Zgjedhja e një Pape me kombësi kineze nga Kolegji i Kardinalëve, është sot shansi që Katolicizmi të mund të hyjë në simbiozë me globalizmin karmik kinez. Duke krijuar mundësinë e ndërtimit të tempujve për çdo bashkësi kineze të shpërndarë në vendet katolike, duke rivlerësuar dijen e urtësinë e mendimtarëve të tyre, atyre që i kuptuan fjalët e Zotit shumë para se profetët të mbërrinin në tokë, Jezu Krishti mund të ripërtëritet më së miri edhe në trupin, në mendjen dhe në sjelljen te popujt e Azisë.
Në rast se Papa i ardhshëm do të jetë me kombësi kineze, ç’do të ndodhë me besimet e tjera monotoiste?! Ndër ta, lufta e brendshme mes radikalëve dhe përparimtarëve nuk do t’u lërë kohë të merren as edhe me ritualet e tyre. Hebrenjtë e së vjetrës do të synojnë të përhapin fuqinë e Zotit akoma më shumë nëpërmjet shkopit të Moisiut; përparimtarët atë shkop do ta mbrojnë si fuqia e revolucionit ndaj çdo diktatori edhe në ditët e sotme. Ortodoksët e së vjetrës do të merren me majanë e bukës, përparimtarët do të mbrojnë tokën ku mbillet gruri. Myslimanët e së vjetrës do të merren me perçen e grave, përparimtarët gruan do ta mbrojnë si ripërtëritjen e mendjes së njeriut të lirë. Protestantët e së vjetrës do të vazhdojnë të zbulojnë dëshmi për inkuizicionin, ndërsa përparimtarët do të synojnë t’i jepet fund inkuizicionit kapitalist të ditëve të sotme.
Katolicizmi do të dalë i fituar me një Papë kinez, pasi do të plotësojë kështu në mendjen e njerëzve atë mungesë, atë vend vakant në parajsë, duke përtërirë shpirtin e gjithësisë në këtë shekull edhe me ngjyrën e verdhë.
SHQIP
Comments
Do ta kisha sharë po mos të
<p>Do ta kisha sharë po mos të ishte gjerman.</p>
Add new comment