Berisha si Mugabe?

Në çdo shtet të Europës që ka ekzistuar para 1990-ës, janë regjistruar të paktën dy rotacione paqësore pushteti me zgjedhje normale demokratike të njëpasnjëshme. Dhe në shumicën e shteteve europiane janë regjistruar me dhjetëra.
Shqipëria e ka shansin këtë vit për të regjistruar dy rotacione paqësore pushteti me zgjedhje normale demokratike të ndodhura njëra pas tjetrës. Pra, vetëm në 101-vjetorin e Pavarësisë së tij, vendi ynë mund t’i bashkohet klubit të vendeve europiane që përdorin rregullisht këtë mekanizëm për rotacionin e pushtetit.
Por, në qoftë se zgjedhjet e 23 qershorit të 2013-ës nuk do të jenë të lira e të ndershme, ose në qoftë se ato nuk rezultojnë me një rotacion pushteti, Shqipëria ka gjasa të ecë në gjurmët e shembullit afrikan të Mugabes e jo të atij që ekziston me dekada, për të mos thënë me shekuj, në kontinentin tonë (Mugabe, pas 33 vjetësh në pushtet, po kandidon përsëri për president të Zimbabves, në moshën 89-vjeçare...).
Duke evokuar shembullin e Zimbabves, si vend që nuk realizon rotacion pushteti me zgjedhje demokratike, në fakt, i bëhet një padrejtësi vendeve si Singapori, i cili, gjithashtu, nuk e ka bërë këtë gjë për dekada e dekada të tëra. Zimbabveja ofron ndoshta rastin më të keq të efektit të mosrotacionit të pushtetit në zhvillimin ekonomik, por Singapori, nga ana tjetër, ofron shembullin e një zhvillimi meteorik ekonomik disadekadësh, në kushtet e mungesës së rotacionit të pushtetit me zgjedhje demokratike.
Në fakt, në literaturën e zhvillimit ekonomik, rasti i Singaporit konsiderohet si përjashtim nga rregullsia e vënë re në ndërvarësinë pozitive afatgjatë mes demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Partizanët e tezës së kësaj ndërvarësie theksojnë se, në afate të gjata, vende që nuk realizojnë rotacion pushteti me zgjedhje demokratike ose janë të destinuara që të dështojnë eventualisht në zhvillimin ekonomik, ose janë të detyruara të adoptojnë demokracinë si mekanizëm të ndërrimit të pushtetit, për të vazhduar zhvillimin ekonomik. Shembujt që ata sjellin në mbështetje të kësaj teze janë vendet e Europës Lindore, Tajvani, Korea e Jugut etj.
(Profesorët Doucouliagos dhe Ulubasoglu të Universitetit Deakin në Australi, nëpërmjet një metaanalize ekonometrike të 470 të dhënave nga 81 studime ekonomike, kanë provuar statistikisht se ndërvarësia mes demokracisë dhe zhvillimit ekonomik është me shenjë pozitive, por magnituda e ndërvarësisë ndryshon sipas kontinenteve).
Pas kësaj paranteze teorike, le të kthehemi te 101-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, aty ku e nisëm këtë analizë. Nëntori i 2013-ës me një Berishë të rimandatuar në krye të qeverisë, me apo pa zgjedhje të lira e të ndershme, do të shtronte rrugën për një mandat të katërt, të pestë, e të n-të të tij. (N-ja do të ishte në varësi të vendimit që do të bëjë i Gjithëfuqishmi Atje Lart mbi qëndrimin e Berishës në këtë botë).
Gjasat qe ky skenari te materializohet, ne qofte se Berisha vazhdon të rrijë në pushtet, janë të mëdha, sepse një fitore e tij (me apo pa manipulime) do të krijonte në partinë më të madhe të opozitës, në rastin më të mirë, një dobësim të ndjeshëm të saj dhe, në rastin më të keq, një frakturë të fortë. Ndërkohë, klani politiko-ekonomiko-mediatik i udhëhequr nga Berisha do të fuqizohej së tepërmi, duke tërhequr drejt vetes edhe politikanë, biznese e media që ende nuk janë të përfshirë në të. Kjo do të krijonte kushtet për një rimandatim tjetër të Berishës në 2017-ën, e kështu me radhë...
Pyetja më e rëndësishme në këtë rast hipotetik është nëse Berisha do të ndjekë shembullin e Mugabes apo të Li Kuan Jesë (kryeministri i parë i Singaporit të pavarur – biri i tij është aktualisht kryeministër). Mugabe, pas ardhjes në pushtet, promovoi politika ekonomike që stimuluan rritjen e ekonomisë zimbabviane, por më vonë, për hir të ndenjjes në pushtet, përçau popullsinë e zezë me atë të bardhë në lidhje me pronësinë e tokës, gjë që e futi vendin në një krizë të thellë ekonomike.
Ndërsa Li Kuan Je promovoi një shtet të fortë që i jepte përparësi mirëqenies kolektive (pavarësisht nga përbërja heterogjene etniko-racore e popullsisë) mbi të drejtat individuale të shtetasve. Si rezultat, Singapori, me një popullsi të krahasueshme me Shqipërinë dhe Zimbabven, renditet sot nga Transparency International si vendi i dytë në botë me më pak korrupsion (pas Finlandës) dhe nga FMN-ja si vendi i tretë për të ardhurat më të mëdha për frymë sipas fuqisë blerëse (pas Katarit dhe Luksemburgut). Por, nga ana tjetër, revista The Economist e rendit Singaporin si një vend me demokraci hibride në Indeksin e Demokracisë (njësoj si Shqipërinë dhe Zimbabven).
Duke gjykuar nga mënyra e qeverisjes së Berishës para dhe pas vitit 2000, të krijohet bindja se stili i tij qeverisës është shumë më i afërt me atë të Mugabes se sa me të Li Kuan Jesë. Përçarjet krahinore dhe politike (instrumeta mugabianë) kanë qenë për Berishën më të parapëlqyera se kohezioni dhe mirëqenia kolektive e popullsisë (instrumenta likuanjeane). Dhe kur një njeri nuk ka ndryshuar deri në 69 vjeç, nuk duhet patur shpresë se mund të ndryshojë pas kësaj moshe...
Po një rotacion pushteti në 2013-ën, a do t’i krijonte Shqipërisë shansin për të ndjekur rrugën e Singaporit? Gjasat janë të vogla. Por, sidoqoftë, mund të shpresohet se do të ndjekim shembullin e vendeve të Europës Lindore, ku rotacionet demokratike të pushtetit, diku më shumë e diku më pak, janë shoqëruar me një zhvillim gradual ekonomik dhe të shtetit të së drejtës.
Comments
z. Zaloshnja, Ti shqetesohesh

z. Zaloshnja,

Ti shqetesohesh ne se Berisha qendron ne pushtet (me ose pa manipulim zgjedhjesh). Une do te shqetesohesha ne se Berisha qendron ne pushtet me manipulime zgjedhjesh. Ne rast se ai fiton "fair and square" nuk ka pse te fajsojme Berishen. Duhet te fajesojme opoziten qe ka treguar e po tregon se nuk eshte shume e ndryshme nga Berisha dhe qe kerkon t'i fitoje sgjedhjet me koalicione ngjalash. Ajo qe paraqisni ne artikull eshte shume e sakte. Rotacioni sjell progress. Por ne te gjithe ato vende ku ky progress ka qene i dukshem, cdo opozite e ardhur rishtas ne pushtet,ka bere nje hap cilesor perpara. Ne rast se nuk ka rritje cilesore pas cdo rotacioni, ose kjo rritje eshte shume e vogel (sic ndodhi ne roracionin Nano - Berisha), rotacioni kthehet ne nje formalitet. Ne rast se ndodh kjo a do te kerkome qe mbas kater apo tete vitesh te vije seish Berisha ne pushtet vetem per hir te roracionit?

Per sa i perket percarjes

Per sa i perket percarjes krahinore kam pershtupjen se per kete meriten kryesore e ka Rama me te tijte se ata thone ata maloket etj

z.Zaloshnja qofte per pamje

z.Zaloshnja qofte per pamje fizike qofte per mufkat qe keput ti ngjan me sorollopin e Mugabes sh me teper se Berisha

Add new comment