Çelësat e Shqipërisë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/7536_keys.jpg?itok=y04eoL3Q)
Pak ditë më parë Shumaker doli nga koma. Sekretësia me të cilën familjarët e kanë ruajtur nga shqetësimi i mediave ka funksionuar më së miri. Në të vërtetë, publikut nuk ka pse t'i interesojë më shumë informacion se kaq: Ai doli nga koma. Po atë ditë, një nga TV-të më mëdha gjermane, ORT i kushtonte një speciale 30 minutëshe. Lajmi ishte një fjali e vetme, “Shumaker doli nga koma” por rrjeti ia doli që të mbushte 30 minuta të plota, dolën edhe kolegë të tij që flisnin se sa të lumtur ishin nga ky lajm, gjithçka për të mbushur mungesën e informacionit.
Deri këtu asgjë nuk na gudulis. Neve jo, por gjermanët po. Ky emision shkaktoi një tërmet mediatik.
Tourniquet
Të nesërmen ky emision ishte bërë copash nga një editorial në një nga gazetat më të mëdha gjermane, Frankfurter Allgemaine Zeitung. Arsyeja ishte tërësisht profesionale. Sipas Frankfurter Allgemaine, një televizion nuk mund të abuzojë kaq shumë me kohën e publikut dhe të tentojë të të mbajë për gjysmë ore kur lajmi është një fjali të vetme. Kur s’ke asgjë për të shtuar - pra, kur s’ke informacion - nuk mundet të gënjesh publikun sikur po i jep një program të rëndësishëm.
Artikulli nuk analizonte thjesht përmbajtjen e emisionit, por përmendte me emër e me mbiemër të gjithë përgjegjësit duke nisur nga producentja e emisionit. Tërmeti qendron në faktin që pasi publiku ndërgjegjësohet për atë që i kanë bërë, shikueshmëria e kanalit bie dhe reputacioni i tij vuan.
Kjo është mënyra sesi sistemi mediatik gjerman mbron standardet e veta. Mënyra e vetme për të mbrojtur standardin e gazetarisë nuk është të bësh ligje (që nuk zbatohen) për etikën, por që gazetarët vetë dhe mediumet e tyre të luftojnë për ta mbajtur lart atë standard. Këtu kemi ardhur tek Albanien Zeitung - media e drobitur shqiptare.
Coma White
Kjo gjë që ka ndodhur mes Frankfurter Allgemaine dhe kanalit ORT nuk mund të ndodhë kurrë në një media shqiptare. Kush do ta pezullonte një drejtues emisioni apo një kryeredaktor lajmesh për abuzim me principet e gazetarisë apo pse e kanë kritikuar në një gazetë? Kush do ta pushonte nga puna një kryeredaktor që shpik tituj “shokues” për ballinën e gazetës?
Televizionet shqiptare ulërasin abuzim. Thuajse gjithçka është vjedhje kohe e publikut e jo rrallë edhe deformim informacioni apo dhe dhunë informative. Thuajse asnjëherë nuk mbaj mend një analizë të standardit të një programi, të një edicioni apo të një gazetari bërë nga një media tjetër. Arsyet janë shumë. Ti mund të kritikosh standardin e një mediumi tjetër nëse ti vetë ke një standard të pacënueshëm. Kjo nuk ndodh te ne. Secili mbyll gojën për pisllëqet e tjetrit sepse e di që nesër tjetri do mbyllë gojë e veshë për të. Nga ana tjetër pronarët e drejtuesit e mediave nuk kanë asnjë arsye për të promovuar këtë lloj standardi. Nuk ka lidhje me ta. Gazetaria është një mjet për të siguruar favore e për ta tundur si kërbaç, nuk është kërkim i së vërtetës. Flas shpesh për të vërtetën, sepse më duket malli më skarco këtu te ne. Duket sikur ka një pakt mes të gjithë palëve, pushtetit, medias dhe publikut për të ndërtuar gjysmë të vërteta, që shërbejnë si të vërteta të përkohshme e të gënjeshtërta sa për ta mpirë ndjeshmërinë e publikut.
Sigurisht këto janë gjëra që janë thënë, por vetëm përsëritja mund t’i mbajë akoma gjallë. Kjo lloj dashurie për të vërtetën do duhej t’u ishte injektuar që në shkollë gazetarëve të ardhshëm. Por, në shkollë nuk ka heronj.
The Nobodies
Çfarë dëgjon një student i gazetarisë në korridoret e shkollës? Dëgjon sa lekë ka bërë filani, me kë e ka mirë filani, si ka ardhur deri këtu filani, kush e ka vënë në atë post filanin dhe kujt i lëpin b*** filani. “Filanët” janë pedagogët. Asnjë prej tyre nuk dëgjon heroizma profesionalë të pedagogëve. Fjalën “heroizma” në fjalinë më sipër nuk e kam vënë në thonjëza, sepse heroizmi në gazetari sot është vërtet heroizëm, nuk është hiperbolë. Sikurse puna e makinës edhe profesioni, sidomos gazetaria ka rëndësi se kush e si ta mësojnë. Mungesa e mentorëve të panjollosur është kriza e parë profesionale e gazetarëve të rinj. Më tej ata vështirë se do të hasin heronj të tjerë, as mes kolegëve të punës e as mes subjekteve të profesionit. Duket sikur ky vendi ynë i ha heronjtë. Një nga anti-konformistët par excellence, Fatos Lubonja, vetëm sulmohet nga të tëra anët. Madje, duket sikur ka njerëz që rrinë në pritje që të thotë a të shkruajë a të deklarojë diçka, për t’iu hedhur në fyt me komente nga më të tmerrshmet. Duket sikur, antikonformizmi i tij e ka lodhur publikun. Boll ma! Kënaqu dhe ti njëherë si gjithë të tjerët me këtë që na rrethon! Përfundoj te Lubonja për krahasim, sepse nuk para ka pika të tjera reference. Ka gazetarë shumë të mirë, por, janë njëkohësisht dhe shërbëtorë shumë të mirë. Jam akoma duke u përpjekur të flas për mjerimin e shtypit tonë dhe pse nuk zotëron instrumentat anglo-saksone (siç përpiqen ta përmbledhin kompetentët e zhanrit) të vetëkontrollit e të vetëshërimit. Duket sikur jemi kapur në qark.
Coma Black
Nëse publiku nuk ka interes për të vërtetën, nëse gazetarët nuk kanë kuriozitet e as dëshirë të gërmojnë poshtë sipërfaqes, nëse pronarët e zotërojnë median njësoj siç zotërojnë qentë e gjahut, dhe që po nuk u vlejtën për dhelpra, e çojnë në pension, atëherë çfarë halli kam unë? kjo është një situatë pa zgjidhje dhe secili merr atë që meriton. Dhe publiku, dhe gazetarët dhe padronët.
Halli im është që nuk e bëj gjumin e qetë. Dhe nuk mund të jem i qetë duke ulur grilat në rehatinë time kur e di çfarë ka jashtë. Tjetra, sado e pashpresë të duket gjendja - ka raste që më ngjan se jetojmë në një botë të deformuar si në këngët e Marilyn Mansonit - ka prapë një çelës. Paraja.
Autopsy
Paraja. Duket se shoqëria jonë komuniste nuk arriti të futej me një strukturë solide vlerash në botën e parasë. Një botë vlerash ra, një tjetër duhej ngritur me shpejtësi. Dhe, paraja është zëvendësues ligjor i çdo malli. Sikurse dhe zëvendësoi gjithçka, çdo vlerë. Ankesa kryesore në shoqërinë tonë është që kush ka para, zgjidh gjithçka. Zgjidh problemet me drejtësinë, me pushtetin, me arsimin, me “lajmet”… Pikërisht ngaqë paraja është leva që lëviz shoqërinë tonë, çelësi është shumë i thjeshtë: Vetë paraja.
Duhet kontrolluar paraja. Ka mënyra shumë të mira për të matur saktësisht audiencën. Ka mënyra për të matur shitjet e gazetave. Ka mënyra për të kontrolluar shpërndarjen e reklamave dhe të ardhurave në mediume, sikurse ka mekanizma për të parandaluar investimet e dyshimta në media apo dhe konfliktet e interesit. Ka mënyra për t’i mbrojtur gazetarët nga presioni në vendin e punës por dhe për t’i ndëshkuar nga trafikimi i influencës përmes bakshisheve dhe abuzimit me të vërtetën. Mjafton t’i japësh publikut mundësinë që ta shprehë pakënaqësinë përmes auditimit të shikueshmërisë e lexueshmërisë.
Matja e audiencës e përkthyer në rënie fitimesh, është fillimi i një procesi të gjatë stabilizimi të standardeve të gazetarisë në favor të publikut dhe së vërtetës. Pra, ka mënyra për të lëvizur atë çelës që u dhemb pronarëve. Kjo do ta bëjë sistemin të ndjeshëm. Kjo do të transmetojë një dridhje në të gjitha hallkat e sistemit. Sigurisht, jo çdo gjë do rregullohet nesër. Nuk e kam idenë sesi e sa do vazhdojë tarimi i tij. Por, jam i bindur që duhet të fillojë gjithçka me atë çelës. Tani vijmë te meraku më i madh i të gjithëve, kush e ka çelësin. Këtu më vjen ndër mend një titull i një kënge të vjetër.
I don’t like drugs, but the drugs like me
Çelësin e ka në dorë ai që fiton zgjedhjet. Nuk po flas thjesht për reforma ligjore apo për instrumente kontrolli nga ana e ekzekutivit. Po flas për vullnet politik të atij që fiton zgjedhjet që të reformojë sistemin mediatik. Në këtë pikë, secili është i lirë ta përfytyrojë vetë se ç’ndodh pas dyerve të pushtetit politik të dalë përmes votës së vet.
Në këtë pikë, kur përmblidhen shpesh të tëra hallet e Shqipërisë që njohim (me përjashtim të shiut që nuk e ka qeveria në dorë) jemi të lirë të ngremë duart përpjetë e të themi, çfarë t’i bëjmë? Nuk duan “këta”. “Kanë interesa në mediat”. “Janë të lidhur mes tyre”. Por kjo është një pyetje që nuk mund t’i përgjigjem unë. Sidomos jo pas eksitimit të protestave kundër armëve kimike. Ai çelës u lëviz me shpejtësi, dhe funksionoi. Pra, paska çelës edhe për qeverinë. Por nëse atë çelës e lëviz dikush tjetër? Ja ku vjen puna që edhe qarku i çelësave bëhet në qark i mbyllur. Veçse, këtu jemi në pikën që shtyjmë kohën me biseda. Edhe unë që shkruaj, edhe ju që lexoni, e dini në të vërtetë se cili është çelësi. Përveçse, nëse nuk keni ndonjë pasion dhe aq të veçantë për të vërtetën.
Revista Klan nr.876
Comments
Dëshpëruese sesi autori bën

Dëshpëruese sesi autori bën miks shprehjesh shqipe nga gjermanishtja në një tekst që është i kënaqshëm. Me dy tre hulumtime do të mund ta bënte. Më konfuzja është kjo ORT që në fakt duhet të jetë ARD (TV i Parë Gjerman- publik). Plus i thotë Shumaker (e shkruan shqip) por e shqipton keq me "k". Se edhe po ta shkruante shqip do të duhej të ishte Shumaher e jo Shumaker. Paradoksalisht ai mëpas nuk përton të gabojë dhe shkruajë gjermanisht ORT apo Allgemaine që janë ARD dhe Allgemeine..

Ja saktësimet:

Shumaker- Schumacher

ORT- ARD

Frankfurter Allgemaine- Frankfurter Allgemeine

Jeni kapur kryesidht me

Jeni kapur kryesidht me fjalet (qe sigurisht jane te rendesishme), por keni anashkaluar mesazhin me te rendesishem qe me duket se percjell ky artikull: mungesen absolute te vlerave ne shoqerine tone. E vetmja vlere eshte paraja. E shoh kete per fat te keq, sa here kthehem ne Tirane. Deri pak vite me pare, kjo edhe falej sepse mund te justifikohej me luften per egzistence te secilit nga ne. Por tani nuk falet me sepse njerezit kane dale, jane shkolluar ne universitetet me te mira te botes e boten e shohin cdo dite. Mgjt. kjo s'po sjell asnje vlere, asnje reflektim, asnje standard. Tek-tuk ndonjeri si puna e autorit shqeteshet.... por eshte shuuuume pak

Urime autorit. Si gjithmone i shkelqyer

nuk eshte i vertete pohimi qe

nuk eshte i vertete pohimi qe "njerezit duken sikur presin te shkruaje lubonja qe t'i hidhen ne gryke". shume njerez, SHUME NJEREZ mezi presin te shkruaje lubonja per te gjetur pak shprese, shprese se dikujt ne kete vend i intereson publikja, halli i qytetarit, halli i lexuesit. nje veshtrim i shkurter ne perhapjen e madhe te artikujve te lubonjes qe botohen tek gazeta panorama online (Lubonja shet Panoramen!) te bind per kete qe po shkruaj: asnje, absolutisht asnje koleg i lubonjes nuk arrin te kete popullaritetin e artikujve te tij edhe pse keta kolege jane futur nen sqetullat e politikes dhe ashtu si peshqit parazite qe perpiqen te perfitojne nga peshkaqenet duke i ndenjur afer e perfituar ndonje therrime nga llokmat e tij, e marrin cmime, ofiqe e vemendje publike nga dora e tyre - ashtu si Kadareja dikur, qe nuhati se te notoje afer peshkaqenit Enver te hap dyert e oqeaneve te fames dhe te pavdekesise.

Pa dashur te mohoj qe ka edhe nga ata qe i hidhen ne gryke lubonjes, dhe keta jane trollsat e paguar nga te dy anet e politikes, militantet e deshperuar bluroze, nacionaliste te kastruar nga njerezorja dhe europianiste rilindas snobiste e narciste, artikujt e Lubonjes terheqin nje numer te madh komentuesish, shumica e te cileve jane serioze.

Add new comment