Këtu flitet rusisht
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1560_vladimir-nabokov.jpg?itok=NumygSNf)
Do t’ju sugjeroja që ta çonit deri në fund këtë tregim të Vladimir Nabokovit, të përkthyer nga Atena Bishka. Ka një fillim të shtruar që ndoshta nuk të ngroh shumë e nuk të krijon pritmëri kushedi se çfarë, por më pas autori i jep fabulës një kthesë shumë interesante. M. Nano.
Dyqani i cigareve i Martin Martiniçit ndodhet në një ndërtesë qosheje. S’është për t’u çuditur që dyqanet e cigareve sikur i heq ana drejt qosheve, sepse biznesi i Martinit atje ecën mbroth. Vitrina e dyqanit ka madhësi modeste, por është e rregulluar mirë. Pasqyrat e vogla i japin jetë. Për fundi, te lugjet ndërmjet kodrinave prej kadifeje të kaltër, rrinë si në fole një larushi kutish cigaresh me emra të sajuar në po atë dialekt ndërkombëtar që shërben edhe për të emërtuar hotelet; më lart, rrinë me shend radhët e purove në kuti peshëlehta.
Në të ritë e vet, Martini ishte pronar i kamur tokash. Në kujtimet e mia të fëmijërisë ai është me nam për shkak të atij traktori të mrekullueshëm (kohë kur të birin, Petjan, dhe mua na përpinte njëherazi edhe Meyn Ried edhe skarlatina), aq saqë edhe pas pesëmbëdhjetë motesh mbushur dëng me gjithëfarësoj sendesh, ende më pëlqente të ndaloja te duhantorja në atë qoshk të gëzueshëm ku Martini shiste mallin.
Veç kësaj, që prej vitit të kaluar, s’janë thjesht veç reminishencat që na puqen. Martini e ka një sekret, dhe unë jam bërë pjesë e atij sekreti. “Pra, gjithçka si zakonisht?” pyes unë duke pëshpëritur, dhe ai, duke më vështruar prej supit, ma kthen butësisht, “Po, lavdi zotit, gjithçka duket e qetë.” Sekreti është përnjimend i jashtëzakonshëm. Më kujtohet kur po nisesha për Paris dhe ndenja te Martini gjer në mbrëmje një ditë përpara. Shpirtin e njeriut mund ta krahasosh me dyqanin dhe sytë e tij me vitrina binjake. Po të niseshe nga sytë e Martinit, nuancat e ngrohta e të kafenjta ishin në modë. Gjykuar prej atyre syve, malli brenda shpirtit të tij ish i cilësisë sipërore. Dhe çfarë mjekre luksoze, që ndriste paq me alamet thinjash ruse! Dhe supet e tij, qëndrimi, paraqitja… Dikur thonin se ai mund ta ndante një shami tej e tej me shpatë – një nga bëmat e Richard Coeur de Lion[1]. Kurse tani një bashkë-mërgimtar do të thosh me zili, “Ai burrë nuk u mposht!”
E shoqja ish një grua me moshë të shtyrë, e kolme dhe e ëmbël me një nishan te vrima e majtë e hundës. Që prej kohës së peripecive të revolucionit në fytyrë i kish mbetur një tik prekës: asaj i shpëtonin vështrime të shpejta anash me kah nga qielli. Kurse Petja kish të njejtin fizik imponues si i ati. Më pëlqente zymtia e tij e lehtë dhe humori i beftë. Kish një fytyrë të madhe e të squllët (për të cilën i ati thosh, “Çfarë surrati – tri ditë s’do të mjaftonin për t’i rënë përqark!”) dhe flokë të kuqërremtë në kafe, përjetësisht të shpupurisur. Petja kish një kinema në një zonë pak të populluar të qytetit, që i sillte të ardhura fare modeste. Dhe, ja, kjo është e gjithë familja.
E kalova ditën përpara nisjes duke ndenjur te banaku dhe duke vështruar se si Martini priste myshterinjtë – në fillim mëshonte lehtazi me dy gishta mbi banak, pastaj çapiste për nga raftet, nxirrte gjithë madhështi një kuti, dhe duke e hapur me thoin e gishtit të parë pyeste, “Einen Rauchen[2]?” – E kujtoj atë ditë për një arsye të veçantë: Petja, papritur erdhi nga rruga, i çakërdisur dhe bërë tym prej zemërimi. Mbesa e Martinit kish vendosur të kthehej tek e ëma në Moskë, dhe Petja sapo kish shkuar të takonte përfaqësuesit diplomatikë. Ndërsa njeri prej tyre po i jepte informacion, një tjetër, i cili qe padyshim i lidhur me drejtuesit politikë të qeverisë, pëshpëriti nën zë, “Turli lloj llumi i Gardës së Bardhë s’rresht së sjelluri rrotull.”
“Do t’ia kisha bërë mishin copë-copë,” tha Petja, duke përplasur grushtin pas pëllëmbe, “por për fat të keq s’kam si harroj që kam time emtë në Moskë.”
“Ty edhe kështu edhe të rëndojnë nja dy mëkate në ndërgjegje,” ia krisi Martini pa të keq. E kish fjalën për një incident fort të lezetshëm. Jo shumë kohë më parë, në ditën e emrit, Petja kish vizituar librarinë sovietike, prania e së cilës ndot një nga rrugët më tërheqëse të Berlinit. Atje nuk shiten vetëm libra, por edhe lloj-lloj çikërrimash. Petja zgjodhi nje çekiç të zbukuruar me lulëkuqe, ku ish gdhendur një mbishkrim tipik për një çekiç bolshevik. Shitësi e pyeti nëse do të dëshironte diçka tjetër. Petja tha, “Po, do të doja,” duke bërë me kokë drejt një busti të vockël prej allçie të Zotit Uljanov[3]. Pagoi pesëmbëdhjetë marka për bustin dhe çekiçin, dhe po në atë çast, pa thënë asnjë fjalë, mu atje mbi banak, veç kur ia këputi bustit me çekiç, dhe me aq forcë saqë Zoti Uljanov u shkërmoq krejt.
Më kënaqte kjo histori, po aq sa, bie fjala, marrinat e ëmbla të fëmijërisë që të ngrohin skutat e zemrës. Fjalët e Martinit më bënë ta vështroja Petjan duke qeshur. Por, Petja, shkundi supat zymtazi dhe u vrenjt. Martini diç rrëmoi në sirtar dhe i ofroi më të kushtueshmmen cigare që kish dyqani.
U ktheva në Berlin pas gjysëm viti. Një mëngjes të diele seç ndjeva një shtysë për të vizituar Martinin. Gjatë ditëve të javës mund të kaloje drejt e nëpër dyqan, meqë apartamenti i tij – tri dhoma dhe një kuzhinë – ndodhej menjëherë pas tij. Por, natyrisht, të dielën në mëngjes dyqani ishte i mbyllur, dhe vitrina e kish të mbyllur qepenin. Hodha një sy shpejt përmes grilës te kutitë e kuqe dhe të arta, tek purot e errta, te pllaka modeste në qoshe: “Këtu flitet rusisht”, që sikur donte të vinte në pah se kësisoj malli i ekspozuar bëhej ca edhe më i hareshëm, edhe eca nëpër kopësht për te shtëpia e Martinit. Për çudi – Martini vetë m’u duk më në qejf, më i gjallë dhe më rrezëllitës se më parë. Ndërsa Petja qe bërë përnjimend i panjohshëm: cullufet e yndyrta e të kokolepsura i kish dystuar prapa. Një buzëqeshje e gjerë pothuaj e ndrojtur nuk ia linte buzët. Mbante një farë heshtjeje që të paqtonte. Edhe një si hall i çuditshëm e gazmor, a thua se ndrynte një kargo të çmuar në vete, zbuste çdo lëvizje të tij. Vetëm mamaja ish e zbehtë si gjithnjë, dhe i njëjti tik prekës i përshkëndiste fytyrës si një shkreptimë e dobët vere. U ulëm në sallonin e pastër, edhe e merrja me mend se edhe dy dhomat e tjera – dhoma e gjumit e Petjas dhe ajo e prindëve të tij – ishin po aq të ujdisura dhe të pastra, për të kënaqur sytë. Ndërsa rrufisja çaj me limon e dëgjoja muhabetin e shtruar të Martinit, s’ia shqisja dot vetes përshtypjen se kish diçka të re në apartamentin e tyre, diçka të hareshme, një si pulsim misterioz, siç ndihet, bie fjala, në një shtëpi ku një grua e re pret të bëhet nënë. Nja dy herë Martini vështroi me pamje të preokupuar nga i biri, ndërsa ky brofte sakaq, linte dhomën, dhe me t’u kthyer bënte me kokë lehtë nga i jati, si për t’i thënë se gjithçka shkonte mrekullisht.
Se ç’kishte gjithashtu diçka tjetër soj dhe sipas meje enigmatike te muhabeti me plakun. Ishim duke folur për Parisin dhe frëngjishten, kur ai papritur desh të dinte, “Më thuaj, miku im, cili është burgu më i madh në Paris?” Iu përgjigja se nuk e dija dhe nisa t’i rrëfeja për një revue[4] frënge ku shfaqeshin gra të ngjyera në bojë qielli.
“A thua të ketë diçka këtu?” më ndërpreu Martini. “Thonë, për shembull, që gratë kruajnë suvanë e mureve në burg dhe e përdorin si pudër për fytyrën, qafën, a ku di unë ç’tjetër.” Për të konfirmuar fjalët e veta, vajti në dhomën e gjumit për të marrë një alamet volumi prej një kriminologjisti gjerman dhe gjeti aty një kapitull për rutinën e jetës së të burgosurve. U rreka të ndryshoja subjekt, por pavarësisht temës që zgjidhja, Martini ia dilte ta ndryshonte muhabetin gjithë marifet e në atë mënyrë që veç e kur përfundonim befas duke diskutuar për humanitetin e burgimit të përjetshëm krahasuar me ekzekutimin, ose për metodat e rafinuara që sajonin kriminelët për t’u arratisur në botën e lirë.
Ndihesha i pështjelluar. Petja, që marrosej pas çdo gjëje mekanike, cyste me një mprehëse lapsash sustat e orës së vet edhe skërmitej. E ëma punonte mbi qëndismën e vet, duke shtyrë herë pas here drejt meje bukë të thekur me reçel. Martini, duke rrokur mjekrën e shpupurisur me të pesë gishtat, më hodhi një vështrim anazi prej syve të murrtë, dhe befas diç brenda tij u shkapërderdh. Përplasi pëllëmbën pas tryeze dhe u kthye nga i biri. “Nuk duroj dot më, Petja – do t’ia rrëfej të gjitha ndryshe do të bëj bam!” Petja miratoi me kokë heshturazi. E shoqja e Martinit u ngrit për të shkuar në kuzhinë. “Ç’fjalaman që je dhe ti,” tha duke tundur kryet përulësisht. Martini më vuri dorën në sup, edhe më shkundi aq fort, saqë po të kisha qenë pemë me mollë kopshti, ato do të ishin rrokullisur sakaq prej meje, duke më parë shtangur drejt e në sy.
“Ja ku po të paralajmëroj,” më tha. “Do të të tregoj një të tillë të fshehtë, po një të tillë të fshehtë… që as vetë s’e di. Ki kujdes – asnjë pipëtimë! U kuptuam?”
Dhe duke m’u afruar e më larë kështu në aromë duhani dhe erë kutërbuese plaku, Martini më rrëfeu një histori të pazakontë.
“Kjo ndodhi,” ia nisi Martini, “pak pas largimit tënd. Hyn brenda një myshteri. Siç duket s’e kish vënë re shënimin te vitrina, sepse m’u drejtua në gjermanisht. Më lër të theksoj: po ta kish vënë re shënimin, s’kish për të hyrë në një dyqan modest mërgimtari. Unë e pikasa menjëherë që ishte rus, për shkak të shqiptimit. Edhe surratin e kish prej rusi. Unë, natyrisht, ia nisa në rusisht. E pyeta çfarë çmimesh afërsisht i interesonin e çfarë lloj malli dëshironte. Ai më pa me habi që shprehte bezdi: “Ç’të bëri të mendoje se isha rus?” I dhashë një përgjigje krejt miqësore, me ç’më kujtohet, edhe nisa të numëroj cigaret. Në atë çast ia beh Petja. Kur pa myshteriun tim, tha me qetësi të plotë: “Ah, ja ky është takim i lezetshëm!” Mbasandej Petja im ecën pranë tij dhe ia këput me grusht në faqe. Tjetri ngriu. Siç më sqaroi Petja më vonë, çfarë ndodhi nuk ish thjesht një shpartallim i viktimës që plandosej për tokë, por një shpartallim i një lloji të veçantë: rezultoi që Petja i kish dhënë një goditje me veprim-të-vonuar dhe atij njeriu sikur i ngrinë këmbët. Edhe u duk sikur flinte në këmbë. Sakaq filloi ta merrte ana mbrapsht si të ish kullë. Në këtë çast Petja i doli nga prapa dhe e përfshiu për sqetullash. Qe një gjë krejtësisht e papritur. Petja më tha, ‘Jepmë një dorë, o ba.’ Unë e pyeta se ç’kish ndër mend të bënte. Por, Petja, vetëm përsëriti, ‘Jepmë një dorë.’ E njoh mirë Petjan tim – s’ka pse ngërdheshesh, Petja – edhe e di që është me këmbë në tokë, ai mendon përpara se të veprojë, dhe nuk ia fut tjetrit aq sa të humbasë ndjenjat, ashtu kot për qejf! E tërhoqëm zvarrë burrin e vilanosur nëpër korridor drejt dhomës së Petjas. Pikërisht atëhere u dëgjua zilja – dikush kish hyrë në dyqan. Gjë e mirë, natyrisht, që kjo s’na ndodhi më herët. U ktheva në dyqan, mbarova me shitjen, dhe pastaj për fat të mirë, ime shoqe u kthye prej pazari, dhe unë menjëherë e vura të punojë në banak, ndërsa vetë pa u ndjerë ia mbatha te dhoma e Petjas. Burri rrinte shtrirë në dysheme me sytë mbyllur, ndërsa Petja qe ulur te tryeza e tij, duke këqyrur mendueshëm ca palo objekte: një farë kutie e madhe purosh prej lëkure, nja një si gjysëm dyzine kartolinash me pamje të fëlliqura, një kuletë, një pasaportë, një revolver i vjetër por ende në gjendje të mirë. Petja më shpjegoi sakaq: sikurse me siguri po e imagjinon, këto sende vijnë prej xhepit të këtij tipit. Dhe ky tipi s’ish tjetër veçse përfaqësuesi – të kujtohet historia e Petjas? – që i dha gojës për Llumin e Bardhë. Po, po, qe pikërisht ai vetë. Dhe, po të gjykoje, prej ca shkresurinave të tij, ai qe njeri i GPU-së[5] - se mos unë kam parë ndonjë të tillë! ‘Bukur fare,’ i them Petjas, ‘kështu pra, ia kërcite një të mirë surratit. Nëse e ka merituar apo jo, kjo është punë tjetër, por të lutem shpjegomë, ç’ke ndër mend të bësh tani? Me ç’duket ti paske harruar krejt për tët emtë në Moskë.’ ‘Po, harrova,’ tha Petja. ‘Duhet të mendojmë diçka.’
“Dhe ashtu bëmë. Në fillim morëm një litar të trashë, dhe ia zumë gojën me peshqir. E ndërsa ishim të zënë duke u marrë me të, tipi erdhi në vete dhe hapi njërin sy. Duke e ekzaminuar më nga afër, ja ku po të them se ai surrat doli të ish jo vetëm i pështirë, por edhe prej budalli – kish një si lloj zgjebeje në ballë, në mustaqe dhe në hundën si zhardhok. Pasi e plasëm në dysheme, Petja dhe unë u shtruam paq aty pranë, dhe ia nisëm inspektimit juridik. Debatuam një copë herë të mirë. S’donim t’ia dinim aq fort për fyerjen në vetëvete – ajo natyrisht që s’ish hiç gjë – sesa për profesionin e tij, ta kam fjalën, dhe për bëmat që pati kryer në Rusi. I akuzuari u lejua të thosh fjalën e fundit. Sapo ia liruam gojën prej peshqirit, ai lëshoi një si rënkim, u kollit, por s’tha asgjë me përjashtim të: ‘Prisni, vetëm prisni…’ Peshqiri u rilidh, dhe sesioni ri-filloi. Votat qenë të ndarsa si fillim. Petja kërkoi dënim me vdekje. Unë isha i mendjes se e meritonte të vdiste, por propozova të këmbeja ekzekutimin me burgim të përjetshëm. Petja u mendua dhe ra dakord. Shtova se megjithëse ai patjetër kish kryer krime, ne s’kishim si ta vërtetonim këtë; se puna e tij në vetvete s’ish veçse krim; se detyra jonë kufizohej në shndërrimin e tij në diçka të padëmshme, asgjë më tepër. Tani dëgjo se ç’vjen më tutje.
“Ne kemi një banjë në fund të korridorit. Është një dhomëz e errët, po vërtet e errët, me një vaskë të emaluar. Uji mehet goxha shpesh. Ndonjëherë dalin buburreca. Dhomëza është shumë e errët, ngaqë dritarja është krejt e ngushtë dhe ndodhet bash nën tavan, e përveç kësaj, mu përballë dritares, nja një metër ose më pak prej saj, gjendet një goxha mur solid me tulla. Dhe pikërisht këtu në këtë zgëq vendosëm ta mbanim të burgosurin. Ishte ideja e Petjas – po, po, e Petjas, jepi Çezarit të vetën! Pikësëpari, natyrisht që qelia duhej të sistemohej. Ia nisëm duke e tërhequr të burgosurin nëpër korridor që ta kishim pranë kur të punonim. Dhe ja këtu në këtë çast, na pa ime shoqe, e cila sapo kish mbyllur dyqanin atë mbrëmje dhe po ia mbante për në kuzhinë. Ajo u shastis, madje u indinjua, por pastaj e kuptoi arsyetimin tonë. Vajzë e urtë. Petja nisi të çmontojë tryezën kaba që mbanim në kuzhinë – ia hoqi këmbët dhe pjesën e mbetur e përdori si rrafsh për të zënë dritaren e banjës. Më pas çvidhosi rubinetat, hoqi ngrohësen cilindrike të ujit dhe shtroi mbi dyshemenë e banjës një dyshek. Të nesërmen, natyrisht, bëmë edhe ca përmirësime të tjera: ndërruam bravën, instaluam një lloz, përforcuam rrafshin që izolonte dritataren me metal – dhe e gjithë kjo s’do mend pa bërë shumë zhurmë. Siç e di, ne s’kemi fqinj, por sidoqoftë e mira ishte të vepronim me kujdes. Doli një qeli burgu për së mbari, dhe atje e kallëm të ziun e GPU-së. Hoqëm litarin, zgjidhëm peshqirin, dhe e paralajmëruam se po t’ia zinte ulërimës do ta lidhnim sërish, edhe për një kohë të gjatë; pastaj, të kënaqur që ai e kuptoi se për cilin qe shtruar dysheku në banjë, kyçëm derën, edhe duke e bërë me radhë, bëmë roje tërë natën.
“Ai çast shënoi një fillim të ri jete për ne. Unë s’isha më veç Martin Martiniç, por Martin Martiniç krye-gardiani. Në fillim i burgosuri ish aq i pataksur me çka kish ndodhur, saqë sjellja e tij qe e tulatur. Megjithatë, shpejt, u kthye në gjendje normale, dhe kur i sollëm darkën, ia nisi një furtune me fjalë të ndyra. S’mund t’i përsëris fëlliqësirat që i nxorri goja atij burri; po mjaftohem të them se ai e vendosi të shtrenjtën nënën time të ndjerë në situata tepër të çuditshme. E bitisëm që t’ia bënim të qartë një herë e mirë natyrën e statusit të tij legal. I shpjegova se do të mbetej i burgosur deri në fund të ditëve të veta; se nëse unë do të vdisja i pari, do t’ia përcillja Petjas si trashëgimi; se im bir nga ana e vet do t’ia përcillte nipit tim të ardhshëm e kështu me radhë, duke e shndërruar atë kësisoj në një farë tradite familjare. Bizhuteri familjeje. I përmenda si kalimthi se, në rast eventualiteti të pagjasë që ne të zhvendoseshim në një tjetër apartament në Berlin, ai do të lidhej paq, plasur në një baule të posaçme, dhe do ta bënte mbartjen me ne po aq kollaj si të ishte byrek furre. Vijova t’i shpjegoj se vetëm në një rast mund t’i dhurohej amnistia, gjë që do të thoshte se ai do të lirohej ditën kur flluska bolshevike të pëlciste. Së fundmi, i premtova se do të ushqehej mirë – shumë më mirë sesa unë, në kohën time, kur u plasa brenda prej Çekës[6] – dhe se si privilegj të posaçëm, do t’i jepnim libra. Dhe në fakt, deri më sot s’besoj se është ankuar ndonjëherë për ushqimin. Është e vërtetë se në fillim Petja propozoi që ta ushqenim me buburreca të thara, por sadoqë kërkoi ai farë malli sovjetik s’gjindej dot në Berlin. Jemi të detyruar t’i japim ushqim borgjez. Ekzaktësisht në tetë të mëngjesit Petja dhe unë hyjmë brenda dhe i vendosim pranë vaskës një tas me supë të ngrohtë dhe një çyrek buke të hirtë. Po në atë kohë, heqim oturakun - një aparat ky krejt për së mbari, që e siguruam enkas për të. Në orën tre pi një filxhan me çaj, në shtatë i shpiem edhe ca më shumë supë. Ky sistem ushqimor modelohet sipas atij që përdoret në burgjet më të mira të Evropës.
“Librat qenë më shumë problem. Si fillim mblodhëm këshillin e familjes, dhe ndalëm te tri tituj: Princ Serebryanïy, Fabulat e Krilovit dhe Rreth Botës për Tetëdhjetë Ditë. Ai deklaroi se s’kish për të lexuar kësi palo ‘Pamfletesh të Gardës së Bardhë’, por ne ia lamë librat aty, edhe kemi çdo arsye të besojmë se i ka lexuar gjithë qejf.
“Humori i tij ish i ndryshueshëm. U bë i heshtur. Dukej qartë se diç po i sajonte mendja. Ndoshta shpresonte se policia do të niste kërkimin për të. Ne i kontrolluam gazetat, por s’gjetëm asnjë fjalë për zhdukjen e agjentit të Çekës. Pas gjase përfaqësuesit e tjerë kishin kuturisur që ai njeri kish dezertuar, dhe i patën dhënë dum ta mbyllnin çështjen. Kësaj periudhe melankolike i takon edhe orvajtja për të rrëshqitur, ose së paku për të çuar fjalë në botën jashtë. Bariste nëpër qeli, mbase donte të avitej nga dritarja, u mundua të lironte mbërtheckat, edhe deshi të godiste me potere, por në një mënyrë a një tjetër e kërcënuam edhe kështu goditjet u fashitën. Bile njëherë, kur Petja hyri atje vetëm, ky njeri desh iu vërsul. Petja e mbërtheu në një përqafim të ngrohtë prej ariu dhe e uli sërish mu në vaskë. Pas kësaj ngjarjeje ai pësoi një tjetër ndryshim, u bë tepër i butë, madje zuri të bëjë edhe shaka me raste, dhe në fund u rrek të na korruptonte. Na ofroi një shumë gjigante, duke premtuar se do ta merrte prej dikujt. Kur edhe kjo s’piu ujë, nisi të qaravitej, e më pas iu kthye nëmave edhe më keq se më parë. Në këtë çast është në fazë tulatjeje të pakthyeshme, gjë që druaj se s’ndjell mirë.
“Ne e marrim për shëtitje të përditshme në korridor, dhe dy herë në javë e ajrisim pranë një dritareje të hapur. Natyrisht që marrim të gjitha masat që t’ia parandalojmë britmën. Të shtunave bën banjë. Neve për vete na duhet të lahemi në kuzhinë. Të dielave i jap leksione të shkurtra dhe e lë të tymosë tri cigare – në praninë time, sigurisht. Por, ç’janë këto leksione do të thuash ti? Për gjithëfarë lloj gjërash. Pushkini, për shembull, ose Greqia antike. Vetëm një subjekt shmanget – politika. Është krejt i deprivuar nga politika. Njësoj sikur një gjë e tillë të mos ekzistonte mbi faqe të botës. Dhe a e di çfarë? Qëkurse kam ndryrë një agjent sovietik, qëkurse i kam shërbyer Atdheut, thjesht jam bërë tjetër njeri. I gëzuar dhe i lumtur. Edhe biznesi më ka ecur mirë, kështuqë s’është problem i madh për ta mbajtur. Më kushton njëzet marka në muaj ose diçka aty rrotull, duke përfshirë edhe faturën elektrike: është krejt terr atje, prej orës tetë të mëngjesit deri në tetë të darkës veç një llampë e dobët mbahet ndezur.
“Ti më pyet, prej nga vjen ai? Epo, si të them… Është njëzetekatër vjeç, katundar, s’ka gjasë të ketë kryer as edhe shkollën e katundit. Ai është çka kemi pasë quajtur ‘komunist i ndershëm’. Ka studiuar vetëm literaturë politike, e cila me librin tonë do të thotë të kërkosh të kthesh një gomar në hajvan – kaq di të them unë! Oh, po të duash, ta tregoj, vetëm se ki kujdes, as edhe një fjalë!
Martini bëri nga korridori. Petja dhe unë e ndoqëm. Në atë xhaketë shtëpie të rehatshme plaku përnjimend që dukej si roje burgu. Nxorri çelësin teksa ecte edhe kish diçka thuajse profesionale në mënyrën se si e futi në bravë. Brava kërkëlliti dy herë dhe Martini e hapi derën tej e tej. Aspak si një vrimë e pandriçuar, ajo ishte një banjë e mrekullueshme dhe e gjerë, si ato që i gjen në banesat e komode gjermane. Një dritë elektrike, rrezëllitëse por prap e butë për syun, ndriçonte prapa një tende gazmore e të zbukuruar. Një pasqyrë vezullinte në murin e majtë. Në komodinën pranë vaskës kish libra, një portokall të qëruar mbi pjatë, dhe një shishe të paprekur birre. Në vaskën e bardhë, mbi një dyshek të mbuluar me çarçafë të pastër, me një jastëk të madh nën krye, shtrihej një person i mirë-ushqyer e sy-xixë që kish lënë mjekër të gjatë, futur në një rrobë banjoje (plaçkë e përdorur nga të padronit) me shapka të ngrohta e të buta.
“Hë, ç’thua?” më pyeti Martini.
Mua m’u duk skena komike dhe s’dija si të përgjigjesha. “Këtu ka pasë qenë dritarja,” tha Martini duke treguar me gisht. Vërtet, dritarja ishte zënë në mënyrë të përkryer.
I burgosuri gogësiu dhe u kthye nga muri. Ne dolëm jashtë. Martini perkëdheli llozin duke buzëqeshur. “Do t’i duhej goxha fat që të arratiset,” tha, dhe pastaj shtoi mendueshëm, “Do të isha kureshtar të dija, gjithësesi, vallë, edhe sa vjet ka për të kaluar aty…?”
Shqipëroi Atena Bishka
Marrë prej librit “Tregimet e Vladimir Nabokov”, Vintage International, 2006, Dmitry Nabokov
[1] Rikard Zemër Luani (fr.) – A. B.
2 Do ta ndezësh një? (gjerm.) – A. B.
3 Emri i vërtetë i Leninit – D. Nabokov
4 Shfaqje teatrale në formë varieteti – A. B.
*Në narrativë, të gjitha tiparet dhe shenjat e dallueshme që mund të shpien te identiteti i Martinit të vërtetë janë sigurisht të ndryshuara me qëllim. E përmend këtë në mënyrë që rendësit mbas kureshtjes të mos kërkojnë më kot për “dyqanin e cigareve të ndërtesës në qoshe.” – V. N.
5 GPU – Shkurtimi për “Drejtoria ose Administrata Politike e Shtetit” që shënon shërbimin e zbulimit dhe policinë sekrete të Bashkimit të Republikave Socialiste Ruse (BRSS) – A. B.
6 Çeka – Policia e parë sekrete ruse krijuar me një dekret të Leninit më 20 dhjetor 2017. Çeka është gjithashtu shkurtimi i termit Vçeka, i cili në vetvete është akronim për “Komiteti i Jashtëzakonshëm Mbarë-rus për të Luftuar Kundër-revolucionin dhe Sabotazhin” – A. B.
Comments
une i dua te gjitha rruget te
<p>une i dua te gjitha rruget te lira per te bere cdo gje qe dua ne jete.</p><p>per kete mua me duhet mbeshtetje e garanti me anen e te cilit nuk me cenon kush</p><p>ata qe une i vleresoj qe nuk jane si mua une i shpall armik.</p><p>cilat jane kriteret qe une nuk jam si ty dhe shpallem armiku yt</p><p>perse te duhet mbeshtetja e te fortit per kauzen e te fortit apo per kauzen e familjes tende.</p><p>kjo vjen era shtrengim shtrengim i cili do ta tejkaloje shtrengimin e pamerituar qe shumica kaloi ne te kaluaren.udheheqesit aktuale te ekzaltuar nga keto ndihma bujare edhe nga ana e perkthyesve.deri kur do te vazhdojne abuzimet me anen e mbeshtetjes se huaj sepse duket hapur qe krereve u bene mjaft pune perkrahja e huaj per kauzen e familjes se tyre duke perveluar bashke me armiqte e te huajve edhe miqte e tyre..........................................</p><p>kete e dime qe jo vetem aty ku jeti flitet rusisht por shume shpejt gjithe globi do te flase rusisht.....</p><p>po pastaj ke ve ne siklet ky fakt ke gezon e ke tmerron??????????????????</p><p>bravo perkthyesi shko tek qendra e re e studimeve per majmunet e shqiperise (qendra albanologjike) se pa dyshim do te zgjedhin drejtoreshe te kesaj qendre.por kryesisht merru me studimet per majmunet brenda shqiperise jo per ata jashte shqiperie.ndihma asnjehere nuk ju ka munguar.rihapni kopshtin zoologjik dhe rifutni brenda majmunet e shqiperise...........minimumi i ndihmes ju eshte dashur per ta thyer kushtetuten qe vete keni miratuar sa here qe keni dashur.</p><p>prandaj ju duhet ndihma e huaj per abuzime.mos harroni qe 50 vjecarin e kaluar komunizmin e keni tradhetuar</p>
Add new comment