Optipesimizëm
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3213_u1_edmond-tupja_0.jpg?itok=ojUv_Iz0)
Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj se nisma e qeverisë shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës për të reformuar në thellësi Arsimin e Lartë, është e lavdërueshme; rezultatet e para janë premtuese: një numër universitetesh shtetërore e private janë kaluar në sitë dhe janë bërë objekt i një sërë masash serioze (këshillim, pezullim i përkohshëm apo heqje licence) dhe pritet që një strukturë e huaj (pra, kompetente dhe e pandikueshme nga faktorë politikë, socialë apo kulturorë vendas) të vijë për të realizuar renditjen e tyre sipas aftësive administruese, cilësive të mësimdhënies, të punës kërkimore etj., etj. Kjo ndërmarrje me rëndësi të madhe kombëtare është vetëm në fillimet e saj dhe, me sa kam kuptuar, mëton të ndreqë gjithë anashkalimet, shtrembërimet dhe gabimet e të tëra qeverive pararendëse në këtë fushë problematike. Sigurisht, ajo nuk është e para e këtij lloji; para shtatë a tetë vjetësh u debatua shumë për ligjin e arsimit të lartë, u hodhën shumë ide interesante, por megjithatë, diçka ngeci, që, më pas, çoi në gjendjen e sotme. Gjithsesi, kur mendoj se arsimi i lartë është vetëm hallka e fundit e një zinxhiri arsimor e social-kulturor kompleks të quajtur “edukim”, më lejohet të shpreh disa rezerva në këtë drejtim edhe në cilësinë time si pedagog në Universitetin e Tiranës: Së pari, arsimi i lartë lidhet ngushtë me arsimin e mesëm sepse kontingjenti i studentëve vjen, në shumicën e tij dërrmuese, nga arsimi i mesëm, i cili furnizohet me nxënës nga arsimi nëntëvjeçar, i cili, nga ana e tij, i merr në ngarkim nxënësit nga arsimi parashkollor. Rrjedhimisht, duhen reformuar thellë gjithë strukturat parauniversitare e sapopërmendura, madje edhe prindërit duhen trajnuar se si t’ua japin fëmijëve të vegjël elementet e para të edukimit. E tërë kjo ndërmarrje më duket se kërkon shumë, shumë punë dhe për këtë do të duhen jo disa vjet, por disa dekada. Këtej rrjedh edhe optipesimizmi im. Së dyti, nuk duhet harruar se kjo ndërmarrje do të pengohet nga mendësia e krijuar te ne se të gjithë mund e duhet të shkojnë në universitet, mund e duhet të pajisen me diploma të larta, mund e duhet të marrin mastera, doktorata e tituj shkencorë (rroftë interneti dhe, oburra, “kopjo e ngjit”) aq sa mund të flitet fare mirë për “diplomani”; kjo mendësi më duket fatale për krijimin e elitave që, normalisht, drejtojnë shtetin, ekonominë, shkencën, artin dhe kulturën e çdo vendi; do të duhen vite, në mos dekada për ta çrrënjosur atë, sepse ajo është kthyer në një refleks kombëtar gati të pakushtëzuar. Këtej rrjedh edhe optipesimizmi im. Së treti, realiteti ynë në fushën e arsimit të lartë tregon se kemi inflacion universitetesh, po të shtosh edhe sistemin universitar me kohë të pjesshme (part time). Në shumë vende të zhvilluara, me sa di, ka mesatarisht një ose dy universitete publike për një milion banorë dhe shumë më pak universitete private. Lind pyetja: Sa universitete publike e private ka në Shqipëri për një milion banorë? Me dhjetëra, aq sa të huajt po vijnë e po bëjnë studime te ne edhe pa ditur shqip që të mos ketë pushime nga puna në universitetet tona private, ku na qenkan diplomuar shtatë apo tetëqind syresh! Këtej rrjedh edhe optipesimizmi im. Së katërti, në universitetet private nuk ka më studentë, por klientë, çka do të thotë se kush regjistrohet atje, meqë paguan mirë, duhet patjetër të pajiset me diplomë dhe të dalë madje me rezultatet të mira, edhe nëse nuk e meriton; kjo mendësi e njëherazi praktikë ka bërë që shumë pedagogë të aftë të universiteteve publike të dalin në pension, pasi kanë dhënë mësim në këtë apo atë universitet privat, nuk kanë vonuar të largohen përballë presioneve të dekanateve që të kalojnë në provime studentë të cilët nuk e meritojnë. Kurse në disa universitete publike ende ka korrupsion në forma të nëndheshme si trafik ndikimesh, presione, favoritizëm, nepotizëm e klientelizëm. Edhe këto dukuri kërkojnë shumë kohë, durim e këmbëngulje për t’u eliminuar. Këtej rrjedh edhe optipesimizmi im. Së pesti, në të gjitha universitetet, publike e private bashkë, sidomos me vënien në zbatim të sistemit të Bolonjës, çdo student mund t’i vazhdojë studimet pa fund, të ngelë ose t’i mbartë provimet pa afat, derisa vjen një moment që edhe pedagogët më kërkues lodhen, stërlodhen dhe tregohen më zemërgjerë sesa duhet, duke harruar që supervjeshtukët një ditë të bukur, me anë ndërhyrjesh të pamoralshme dhe duke ofruar shuma të majme parash, do t’u zënë atyre vendin në universitet për të formuar jo më elita apo gjysmelita, por kuadro mjerane që do ta katandisin Shqipërinë më keq se ç’është. Këtej rrjedh edhe optipesimizmi im. Së gjashti, rrjedhja e trurit po vazhdon në Shqipëri: ka jo pak maturantë, nga më të mirët, që ikin e bëjnë studime universitare, mastera, madje edhe doktorata jashtë shtetit jo rrallëherë me mendimin që të vendosen atje përfundimisht. Por edhe ata studentë që diplomohen në universitetet tona, shpesh ankohen se diploma s’u pi ujë për të gjetur punë. Përgjegjësinë për këtë e kanë universitetet, te të cilët ka fakultete që duhen zhbërë për t’u ribërë në funksion të tregut të punës. A do të merret reforma e re edhe me këtë problem? A do të merret ajo me nivelin e leksioneve e të punës kërkimore në universitetet tona jo vetëm duke këqyrur elektronikisht përmbajtjen e leksioneve dhe rezultatet e punës kërkimore në çdo universitet, por edhe duke dërguar atje ekipe serioze kontrolli për të vëzhguar si zhvillohen leksionet në auditorë dhe puna kërkimore në laboratorë? Pas këtij kontrolli, a do të merren masa që pedagogët e korruptuar, e paaftë ose mediokër të largohen njëherë e mirë nga universitetet tona për t’ua lënë vendin atyre që e meritojnë plotësisht? Këtej rrjedh edhe optipesimizmi ose pesimizmi im optimal.
"Panorama"
Add new comment