Shans i humbur dhe vizion i realizuar
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5189_franz-josef_strauss.jpg?itok=Sy8XotEU)
Më 21 gusht 1984, politikani legjendar gjerman Franz Joseph Straus bëri vizitën e tij të parë të bujshme në Shqipëri, e cila u pasua dhe nga dy të tjera, përpara se ai të ndërronte jetë në tetor të vitit 1988. Ende janë të shumta mendimet dhe analizat lidhur me "misterin" e këtyre vizitave të pazakonta të ish-Kryeministrit legjendar të Bavarisë në vendin tonë në mesin e viteve '80. Kjo edhe falë unikalitetit të figurës historike të Shtrausit, që bashkë me Brandtin, Schmidtin dhe Kohlin janë personalitetet më në zë të kohës në Gjermani; por dhe të momenteve të veçanta në të cilat ai bëri 3 vizitat e tij, gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në vendin tonë, dhe sfondin e saj të izolimit ndërkombëtar. Meqenëse për shkak të kokëfortësisë absurde të drejtuesve të asaj kohe këto vizita nuk dhanë rezultatet e pritura për momentin, ato janë konsideruar më së shumti si "Shansi i humbur" për vendin tonë. Por, pas një analize më të plotë dhe për arsyet kryesore të cilat i kam përmendur dhe në librin "Berlini pa Mure", demarshet e Shtrausit ishin më tepër një "mision i pamundur". Në nxjerrjen e këtij përfundimi jam mbështetur në fakte dhe të dhëna historike, në shkrime dhe analiza të autorëve shqiptarë e të huaj, të cilat u kushtohen posaçërisht këtyre vizitave. Por edhe në përvojën time gjatë viteve '80, si specialist në ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe kontaktet e shumta gjatë kohës që punova si diplomat në Ambasadën tonë në Berlin.
Si dhe pse Shtrausi?
Përpara se të kalojmë në "psenë" dhe specifikat e vizitave të Shtrausit në Shqipëri, le të ndalemi shkurt në disa pohime lidhur me to. Pasi ka pasur e ka ende pikëpyetje e hamendësi lidhur me synimet e vërteta dhe rezultatet e tyre të pritshme, duke filluar nga karakteri i tyre privat, pra jozyrtar. Në fakt, vizita të kësaj natyre janë normale të jenë private, aq më tepër kur ndërmjet dy vendeve tona nuk kishte pothuajse asnjë lloj kontakti në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Kështu që do të gjendej një ndërmjetësues, një politikan i njohur e me ndikim që të kryente këtë rol. Lind pyetja: "Po ç'ne kryeministri i një landi, nga 12 që kishte në atë kohë RFGJ-ja?" Por dhe kjo pyetje e ka përgjigjen e saj; ndryshe nga të tjerët, landi i Bavarisë, me kryeqytet Münihun, ka pasur dhe mban ende statusin e një landi të privilegjuar, për t'u marrë edhe me politikë të jashtme. Kjo për vetë peshën dhe rolin e tij historik, falë faktit se është landi më i zhvilluar dhe më i fuqishëm gjerman, me 12 milionë banorë. Veç kësaj, Bavaria dhe Münihu janë konsideruar vazhdimisht si "ura që lidhin Gjermaninë me Ballkanin". Pse ishte Shtrausi personi i duhur për këtë mision? Për këtë mjafton t'i hedhësh qoftë dhe një shikim kalimthi CV-së së tij politike. Shtrausi ishte dhe mbeti deri në fund për dekada Kryeministri i Landit të Bavarisë, ku Partia Social- Kristiane që ai krijoi dhe udhëhoqi ka mbi 50 vjet që "bën ligjin" në atë land. Por Shtrausi ishte i njohur dhe i famshëm edhe në rang federal. Ai kishte qenë ministër Federal i Mbrojtjes, i Financave, ishte deputet i Bundestagut, në vitin 1980 kishte konkurruar për postin e Kancelarit Federal. Mbi të gjitha, Partia e tij ishte në koalicionin qeveritar me CDU-në e drejtuar në ato vite nga Shtrausi, ishte shquar edhe për ndërmarrjen e misioneve të tilla të guximshme, si vizita në vendet e tjera ish-komuniste dhe të gjitha, pavarësisht nga zhurma në media, pranoheshin dhe mbështeteshin nga publiku i gjerë. Të mos harrojmë gjithashtu se vizita zyrtare prej personalitetesh të tilla nga Gjermania ishte e pamundur të bëheshin në vendin tonë, ndërsa kur visheshin me petkun "privat" ato mund të pranoheshin, madje dhe nga "Njëshi" i shtetit të atëhershëm shqiptar, sidomos në kushtet nëpër të cilat po kalonte Shqipëria asaj kohe. Vizitat historike të Shtrausit në Shqipëri patën jehonë shumë të madhe brenda dhe jashtë vendit, me gjithë kushtet e atëhershme të mbylljes hermetike të informacionit. Shtrausin e pritën, natyrisht me porosi të E. Hoxhës, fillimisht zv.kryeministri, Manush Myftiu e më vonë edhe kryeministri Adil Çarçani. Rëndësi gjithashtu kishte fakti se Shtrausi u dashurua "në shikim të parë" me Shqipërinë, me popullin, me kushtet e tij të izolimit dhe mendoi e punoi për të bërë çmos për ndryshimin e gjendjes. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe zhvillimi i biznesit dypalësh ishin pikënisja e interesimit, solidaritetit dhe mbështetjes së Shtrausit.
Realiteti vetizolues
Në vijim të pohimeve të mëparshme, realiteti i regjimit shqiptar në vitet '80 ishte bërë më i zymtë e më i errët dhe sa vinte acarohej. Politikisht, ai jepte fare pak shanse edhe për dashamirësit më të mëdhenj të popullit dhe vendit tonë, siç ishte dhe mbeti edhe Shtrausi. Kështu, në vitin 1976 Shqipëria kishte miratuar Kushtetutën socialiste. Një nen i saj e cilësonte tradhti të lartë marrjen apo dhënien e kredive dhe ndihmave financiare nga vendet kapitaliste e revizioniste. Armiqësor konsiderohej edhe bashkëpunimi ekonomik apo krijimi i ndërmarrjeve të përbashkëta, me përjashtim të eksport-importit. Por edhe ky i fundit, pas goditjes së grupeve armiqësore në ekonomi dhe tregtinë e jashtme, linte shumë pak hapësirë për veprim. Importet vërtet lejoheshin, por vetëm në masën e eksporteve, të cilat vinin në rënie. Ato nuk mund të kalonin kurrë shumën 350-400 milionë dollarë amerikanë, aq sa ishin dhe eksportet. E ç'mund të blije, sidomos në tregjet perëndimore, me këtë shumë, kur nevojat minimale ishin të paktën 10 herë më të mëdha? Për më tepër që, në ato vite, ishin ndërprerë edhe marrëdhëniet dhe ndihmat e konsiderueshme kineze, që në fakt mbanin frymën e ekonomisë sonë. Ja përse, misioni i Shtrausit, në kuptimin politik që kërkojnë t'i japin disa, ishte pa kurrfarë shansi qysh në fillimet e veta. Lind pyetja: Po Shtrausi, që kishte pasur jo pak sukses në demarshe të kësaj natyre në vende të tjera lindore dhe sidomos në ish-RDGJ, nuk e dinte një gjë të tillë? Natyrisht që e dinte dhe as që mendohej të bëhej eksperiment demokratik me Shqipërinë e asaj kohe, pasi kishte vende të tjera lindore më të mëdha e më të rëndësishme që u kishin hyrë rrugës së reformave. Shtrausi kishte pasur sukses vërtet në Rumani, Bullgari, madje dhe në ish-RDGJ, sepse atje lejoheshin ndihmat dhe kreditë, ato kishin marrëdhënie me SHBA-të, BE-në, FMN-në dhe institucionet e tjera financiare. Pra, nuk kishte askund një vend me një sistem politik më të mbyllur se tek ne. Mirëpo Shtrausi nuk mund të imagjinonte kokëfortësinë idioteske të drejtuesve të atëhershëm, që "bar do të hanin, por parimet nuk do t'i tradhtonin". Për më tepër përballë skamjes dhe urisë që po i kanosej vendit tonë. Vërtet, siç u përmend më lart, ndërprerja e ndihmave kineze i krijoi shumë telashe regjimit të atëhershëm. Pati tentativa për një minihapje, por sërish parimi i mbështetjes tërësisht në forcat tona i rrinte vendit mbi kokë si "Shpata e Demokleut". Ishin këto kushte që e detyruan regjimin të tentonte për një hapje të vogël të detyruar por tejet të kontrolluar ndaj perëndimit, për të siguruar eksportet dhe me to sigurimin e lëndëve më të domosdoshme për fabrikat dhe uzinat jorentabile. Për hir të së vërtetës, do thënë se interesi i Perëndimit dhe vendeve të tjera ndaj asaj minihapjeje ishte i madh. Mirëpo entuziazmi i tyre shuhej pa u ngjizur mirë dhe siç vinin, largoheshin, pasi nuk u ofrohej asgjë, veç një liste klasike mallrash e objektesh demode, shumica dërmuese të panjohura nga tregu ndërkombëtar dhe parimet e dogmat marksiste. Atëherë sundimtarët e vendit u kujtuan nga halli se Gjermania, ndryshe nga vendet e tjera, paraqiste një mundësi të madhe, reparacionet e Luftës II Botërore. Por sërish edhe këtu regjimi ishte jashtë realitetit. Ai kishte harruar se kjo çështje ishte hequr nga axhenda ndërkombëtare dhe gjermane, për shkaqe të forta politike, ekonomike dhe ligjore dekada më parë. Sepse, nisur nga përvoja negative e së kaluarës, ishte hequr dorë nga praktika e reparacioneve sipas stilit të Versajës. Veç kësaj, në vitin 1971 Brandt kishte shpallur e vënë në zbatim "Ostpolitikën" e tij të famshme, e cila u solli mjaft përfitime vendeve lindore. Por, Shqipëria e kishte refuzuar atë. Për pasojë, ajo nuk mund të përfitonte kurrsesi nga asnjë projekt tjetër gjerman, edhe kur bartës të tij ishin personalitete të tilla si Shtrausi.
Vizion i realizuar
Pavarësisht nga sa më sipër, roli i Shtrausit ishte tejet i madh, pasi lehtësoi përpjekjet e mëvonshme, deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike nga legjenda tjetër gjermane, Hans Dietrich Genscher në tetor 1987. Ndërsa përpara se të mbyllte sytë më 1988, Shtrausi pa të konkretizuar edhe idenë e tij të bashkëpunimit në fushën e biznesit, Gjithsesi, bashkëpunimi i vërtetë në këto e të tjera fusha me Gjermaninë e ribashkuar rifilloi dhe ka ecur me ritme të kënaqshme e me plot arritje pas ardhjes së demokracisë. Ndaj, qoftë si "shans i humbur", qoftë si "mision i pamundur", vizioni dhe përpjekjet e Shtrausit të madh dhanë kontributin e tyre në çimentimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy popujve tanë në të gjitha fushat. Ndaj Shtrausi ka vendin e vet të merituar në plejadën e pionierëve dhe miqve të mëdhenj të miqësisë me popullin shqiptar. Sheshi që mban emrin e tij në Tiranë, është një ndër dëshmitë domethënëse e mirënjohjes së shtetit dhe popullit tonë ndaj këtij miku të madh dhe të shquar.
"Gazeta Shqiptare"
Add new comment