Çmimet e rëna, gjysmë e vërtetë propagandistike
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/7502_picmonkey-collage-edi.jpg?itok=rYLOwMrg)
Kryeministri Edi Rama publikoi një poster propagandistik në faqen e tij në Facebook duke argumentuar se sipas të dhënave të disponuara prej tij, gjatë qeverisjes së tij është shënuar rënie çmimi në disa produkte bazë. Sipas kryeministrit, ka rënë çmimi i orizit, makaronave, miellit, mishit, qumështit, sheqerit, vajit, zarzavateve, veshjeve, ilaçeve si dhe karburanteve.
Statistikisht, këto të dhëna duket se janë marrë copy/paste nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, të publikuar nga Instituti i Statistikave. Në përgjithësi, edhe pse statistikisht të sakta, këto të dhëna janë thjeshtë një gënjeshtër; një përzgjedhje e të dhënave sipas interesit të personit që i përzgjedh. Logjika e përdorur është ekonomikisht e pakuptimtë. Psh, rënia drastike e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar si pasojë e luftës së OPEK ndaj prodhimit të naftës argjilore në SHBA, mund të ketë sjellë rënie të papërfillshme në çmimin e naftës në Shqipëri, por nuk duket asgjëkundi që në këtë zinxhir ngjarjesh të ketë patur ndonjë rol kryeministri i Shqipërisë. Sipas të gjitha gjasave, çmimi do të kishte rënë në tregun ndërkombëtar edhe sikur Shqipëria të kishte ndonjë qeveri tjetër, madje, do të kishte rënë edhe sikur Shqipëria të mos kishte fare qeveri.
Krahasimi, nga qershori 2013 deri në tetor 2014 është statistikisht i pavlefshëm. Në historinë e statistikës inflacioni krahasohet me bazë vjetore apo mesatare vjetore. Por krahasimi me “vitin zero” është një propagandë qeverisëse e njohur në historinë e Shqipërisë. Propaganduesit e Ahmet Zogut psh, kishin qejf të thoshin se në vitin 1912, Shqipëria kishte katër ura, ndërsa gjatë qeverisjes së Zogut, u ndërtuan, fjala vjen 6 ura, pra me një rritje 150 për qind. Ose, qeveria komuniste shqiptare parapëlqente krahasimin me vitin 1938, njëkohësisht për të fshehur bumin ekonomik të kohës së Italisë Fashiste dhe për të llogaritur si arritje të vetën bumin ekonomik të krijuar nga Italia fashiste në Shqipëri.
BIRN analizoi të njëjtat të dhëna të publikuara nga Instituti i Statistikave. Rezultati është që inflacioni në Shqipëri tashmë prej vitesh është në nivele të ulëta.
Në tetor të këtij viti, në krahasim me qershorin 2013 Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 1.4 për qind. Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, për të cilat kryeministri flet në detaje, janë rritur në tërësi me 1.1 për qind. Nëngrupi Bukë dhe drithra ka pësuar rënie 1.3 për qind, Vajra dhe Yndyrna, ka rënë me 8 për qind. Tani, kryeministri thotë se nënproduktet e qumështit kanë rënë nga 0.56 në 8 për qind. Por INSTAT thotë se nëngrupi Qumësht, Djathë the Vezë është rritur me 2.2 për qind. Zarzavatet, disa prej të cilave kryeministri i ka gjetur në rënie, në fakt janë rritur si grup me 1 për qind.
Tani, kryeministri përmendi disa zarzavate si produkte me çmime të rëna, opozita mund të përmendë disa fruta si produkte me çmime të shtrenjtuara. Fakti është që në krahasim me qershorin 2013, frutat janë shtrenjtuar me 14 për qind.
Ah, ka edhe një tregues tjetër. Shërbimi arsimor është shtrenjtuar me 11 për qind sipas matjes së INSTAT, Lavatriçet kanë rënë me 4 për qind ndërsa pajisjet e gatimit kanë rënë me 5.6 për qind. Çmimet e medikamenteve kanë rënë me 6.4 për qind. Por qeveria ka hequr Tatimin mbi Vlerën e Shtuar me 10 për qind këtë vit dhe rrjedhimisht, çmimet duhej të kishin rënë me 10 për qind. Fakti që nuk kanë rënë me 10 por me 6.4, sugjeron se sërish ilaçet janë shtrenjtuar për buxhetin e shtetit, i cili paguan 90 për qind të ilaçeve të konsumuara në vend me 3.6 për qind.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit është një tregues statistikor kompleks. Për ta matur atë, monitorohen dhjetëramijëra çmime në të gjithë Shqipërinë. Kur vjen puna për të futur në indeks çmimin e kastravecit, INSTAT merr parasysh se sa është pesha e konsumit të kastravecit në shportën e konsumit të shqiptarëve. Nëse kryeministri gjen që çmimi i specave jeshil ka rënë me tri herë, kjo ka shumë gjasa që nuk përbën as ndonjë lajm shumë të mirë dhe as ndonjë lajm shumë të keq. E njëjta gjë ndodh nëse çmimi i specave djegës është rritur me tri herë. Nuk ka ndonjë vend për alarm. Ajo që vlen është treguesi i përgjithshëm. Çmimi i ushqimeve është rritur me 1.1 për qind në tetor të këtij viti në krahasim me qershorin 2013. Por në krahasim me tetorin 2013, dhe ky është krahasimi i vetëm i vlefshëm, çmimet e ushqimeve janë rritur me 1.6 për qind.
Nga ana tjetër, fakti është që Banka e Shqipërisë është shumë e mërzitur me këtë situatë. Sipas saj, inflacioni është tepër i ulët. Ajo po lufton vazhdimisht prej vitesh për ta ngritur inflacionin në mbi 2 për qind në vit. Normalisht rënia e çmimeve, ose rritja tepër e ngadaltë e tyre, siç po ndodh aktualisht, konsiderohet si sinjal alarmi i një krize të thellë ekonomike, ku çmimet bien për shkak se konsumi është i ulët.
Në tërësi, është shqetësuese tendenca e qeverisë aktuale për përdorimin e metodave të propagandës totalitare, ato të krahasimit me vitin zero, që konsiderohet si çasti kur një qeveri vjen në pushtet. Këto janë shenja të këqija për një vend, më të këqija se sa thjeshtë rënia apo rritja e çmimeve.
"Reporter.al"
Comments
Po pse mendon ti zoti Gjergji
<p>Po pse mendon ti zoti Gjergji Erebara se nje mesues vizatimi edhe pse mund te jete rastesisht kryeminister kupton ndonje gje nga argumentet dhe treguesit qe ke shkruar ti? Une them se jo. Shtoji paditurise te mesuesit te vizatimit dhe besimin e teperuar apo delirin e madheshtise qe ke kryeministri dhe perfundimi del se komentet apo ndihma qe i jepet kryeministrit eshte e kote.</p><p> </p>
Add new comment