Ç’po ndodh me investimet private?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2591_dfhdfldf.jpg?itok=byyKtSs_)
Në 10 muajt e parë të këtij viti, shpenzimet e buxhetit të shtetit për investime kapitale ishin rreth 180 milion dollarë më të ulta se ato të së njëjtës periudhe të një viti më parë. Por a e kanë mbushur këtë boshllëk shpenzimet private për investime? Kjo pyetje bëhet sidomos e rëndësishme prej faktit se, nga Thesari i Shtetit, u janë dhënë bizneseve rreth 260 milionë dollarë, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që qeveria e mëparshme kishte ndaj tyre.
Ndërkohë që shoqatat e bizneseve nuk japin të dhëna të përmbledhura që do të tregonin drejtpërdrejt nëse investimet private janë rritur, krahasuar me një vit më parë, të dhënat e INSTAT-it mbi importet japin një mundësi të tërthortë për këtë krahasim.
Kështu, vlera e importeve në 10 muajt e parë të këtij viti u rrit 9%, krahasuar me një vit më parë. Ndër grupet e mallrave që kontribuan më shumë në këtë rritje, ishin “Makineri, pajisje e pjesë këmbimi” (rritja 13%) dhe “Materiale ndërtimi e metale” (rritja 10%). Së bashku, këto dy grupe sollën mbi 1/3 e rritjes së përgjithshme prej 9% të importeve. Në vlerë, rritja e tyre ishte rreth 150 milion dollarë.
Duke presupozuar se raporti i komponentit të brendshëm me të jashtmin (nga importi) në shpenzimet për investime është 25%-75%, mund të abstragohet se janë shpenzuar për investime private të paktën 200 milionë dollarë më shumë se një vit më parë. Gjë që tregon se rritja e investimeve private e ka balancuar uljen e investimeve publike prej 180 milion dollarësh. Gjithashtu, kjo rritje e investimeve private shpiegon në një farë mënyre faktin pse 260 milionët që Thesari i Shtetit u dha bizneseve për borxhet që u kishte qeveria e mëparshme, nuk shkuan për të shlyer kreditë e tyre bankare.
Add new comment