Të vrasësh protestues se të provokoi Rama?!

Postuar në 06 Dhjetor, 2014 04:46
Andrea Stefani

Lulzim Basha ka dhënë një përgjigje të habitshme, më saktë skandaloze, në emisionin “Top Story” lidhur me vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar. Më mirë të reagosh ndaj protestave sesa të vrasësh protestues ka polemizuar drejtuesi i emisionit, Sokol Balla. Dhe Basha ka dhënë një përgjigje ku arroganca konkurron me mendjelehtësinë: “Ajo është një ngjarje tragjike e provokuar nga Edi Rama”. Një përgjigje që u thotë shqiptarëve: Po, i vramë protestuesit më 21 janar, por kjo ndodh se na provokoi Edi Rama. Vështirë se mund të gjendet në ndonjë vend të  botës, sado të prapambetur, një politikan që pretendon të jetë kryetari i partisë më të madhe në opozitë, që të japë një përgjigje kaq komike për një nga ngjarjet më tragjike të tranzicionit shqiptar siç është dhe masakra e 21 janarit.

***

Basha është nga të rrallët politikanë që tenton të arrijë majat e politikës duke pasur mbi shpinë disa skandale. Përveç masakrës së 21 janarit mbi të rëndojnë edhe megakorrupsioni me paratë publike në investimin e rrugës Durrës-Kukës, si dhe grabitja (i ndihmuar edhe nga Arben Ristani asokohe kryetar i KQZ dhe sot sekretar i PD) i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Nuk do të kishte asnjë problem sikur Basha të ishte i interesuar t’u shkonte këtyre çështjeve deri në fund. Por e keqja është se ai nuk ka shfaqur asnjë interes për të vërtetën. Basha u duk shumë i lumtur në publik kur dosja për korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës u mbyll nga një vendim gjykate tepër i dyshimtë bazuar në kleçka procedurale. Një politikan që është i interesuar për të vërtetën duhet të këmbëngulte që çështja të gjykohej, që e drejta dhe pafajësia e tij të dilte në shesh. Por Basha nuk është nga ata politikanë që janë të interesuar që e vërteta të dalë. Ai është i interesuar që e vërteta të mos dalë. Prandaj u kënaq që çështja u mbyll se prokuroria nuk kishte respektuar disa afate.

***

E njëjta mungesë devocioni ndaj të vërtetës u shfaq nga Basha edhe lidhur me vrasjen e protestuesve më 21 janar. Duke demonstruar mungesë të plotë empatie për të vrarët dhe familjarët e tyre, dhe aq më pak për opozitën politike, Basha edhe pse ishte ministër i Brendshëm dhe ishin ushtarët e tij ata që vranë ndërsa ai vetë ndiqte operacionin nga dritaret e Kryeministrisë, nuk denjoi të jepte as dorëheqjen nga posti, një akt që homologë të tij në vende demokratike e kanë bërë edhe për deri aksidente e jo më për vrasje protestuesish. Basha, i udhëzuar nga ati i tij shpirtëror dhe politik mori pozicionin enveristo-komunist (në komunizëm quhej e drejtë vrasja e armikut të klasës) që t’u tregojë shqiptarëve se qeveria “Berisha” dhe ai vetë, patën të drejtë që i vranë protestuesit më 21 janar. Pse? Sepse i paska provokuar Edi Rama! Pyetja më e thjeshtë që të vjen në mend është kjo: Po Rama apo kushdo tjetër, mund t’i provokojnë përsëri, atëherë prapë do vrasin këta?! Pashmangshëm të vjen në mend një episod nga një film shqiptar: Përse e vratë kaporal Pelegrinin? E vrava se më fyeu rëndë! Mungesa e drejtësisë, kapja e prokurorisë prej një politike kriminale, po e kthen tragjedinë në komedi. Një komedi tragjike për shtetin, sepse luhet nga krimi vetë.

 

***

I vramë se na provokoi Rama! Le ta pranojmë për një moment se paska qenë kështu. Por një politikan, një ministër i Brendshëm ka barrën e provës t’i dëshmojë publikut, me fakte dhe jo me “fjalë kazani” berishiste, se ka qenë vërtet kështu pra, se vrasja e protestuesve ishte një domosdoshmëri e keqe për të mirën publike pra, një pashmangësi. Por ç’ndodhi? Të gjitha akuzat e gatuara në kuzhinë e Bashës dhe Berishës ranë njëra pas tjetrës. Të gjitha dolën gënjeshtra, që nuk u shndërruan dot në mashtrim publik, për shkak të medias që filmoi gjithçka. Ra gënjeshtra (e sajuar me doktorin e “Doktorit”) se protestuesit u vranë nga afër me pistoleta prej vetë opozitës. Media tregoi me figurë se të gjithë ishin vrarë nga larg prej armëve të Gardës. Ra gënjeshtra se protestuesit qenë pajisur me çadra pistoletë dhe thika me helm. Ra gënjeshtra se vetura që ishte përplasur mbi portën e Kryeministrisë kishte ngarkesë eksplozivi. Ra gënjeshtra se pranë protestës kishin mbërritur kamionë të ngarkuar me kallashë për të armatosur protestuesit.

***

I vramë se na provokoi Rama?! Që të ketë të drejtë të bëjë një deklarim të tillë, Basha duhet të kish provuar se më 21 janar u bë një grusht shteti. Vetëm një puç i armatosur (si për shembull ai i 14 shtatorit 1998) mund të quhej një provokim që përligjte vrasjen e njerëzve që në atë rast, nuk do ishin protestues, por puçistë. Por preokupimi i parë i çiftit Basha-Berisha në ato ditë tragjike ishte si të shantazhonte shtetin, institucionin e Presidentit të Republikës, si të pengonin prokurorinë që mos merrte në pyetje drejtuesit e Gardës. Interesi i Bashës për të mos dalë e vërteta shpjegon edhe fshirjen e informacionit të kamerave të Kryeministrisë. Këtë nuk e bëjnë njerëz që duan të provojnë puçin e opozitës, por që duan të fshijnë faktet që provojnë se nuk ka pasur asnjë puç. Që të fshihej e vërteta nuk u mor parasysh as ekspertiza amerikane e FBI-së, por u shpik “ekspertiza” e rikoshetës e ideuar nga Berisha. Dhe në fund fare, të paktën Basha, Berisha dhe PD duhet të kishin qullosur diçka me komisionin hetimor parlamentar. Përse e lanë në mes të rrugës atë hetim? Përse Basha, në vend se të përrallisë, sipas modelit të Berishës, fjalë kazani e përralla mbi provokimin e Ramës, nuk këmbëngul që të ringrihet komisioni hetimor për 21 janarin. Normalisht duhet ta bënte një politikan që dyshohet si një ndër urdhëruesit e masakrës, por që në të vërtetë nuk është i tillë. Por Basha duket nuk e ka të vërtetën në anën e tij. Prandaj nuk këmbëngul për të. Ai është i kënaqur të bëjë karrierë duke pasur aleat hyqmin e Saliut, por jo të vërtetën. Beson edhe të mbështetja e verbër e fanatikëve. Beson edhe te mungesa e drejtësisë. Prandaj beson se mund t’ia hedhë edhe lehtë për masakrën e 21 janarit, duke deklaruar mendjelehtësisht: Na provokoi Rama! Në fakt, Rama apo etja për pushtet?

 

“SHQIP”

Comments

Submitted by Korcari (not verified) on

<p>&nbsp;Andrea! Po Z.Rama a mendon keshtu?Ketej nga anet tona per te tilla raste te haruara ,ka nje shprehje: Mjer mushka ime ,po asaj si lojti as nje qime.</p>

Submitted by Astrit (not verified) on

<p>Rama, Nishani, Merkeli apo federata e futbollit te mendojne cfare te duan. Z. Andrea ka te drejte plotesisht kur komenton se sa poshte ka rene cmimi i jetes se qytetarit ne Shqiperi. Dhe kjo nuk eshte gje per te cilen mund te tallemi apo ta kalojme me ironi. Z. Andrea ka shume te drejte kur specifikon inkompetencen e denueshme te z. Basha: si minister transporti ne SHqiperi u zhvillua tenderi me i perfolur i historise, si Ministe i Brendshem ne Shqiperi u vrane kater veta nje kilometer larg institucioneve dhe me bicikleta per dore, dhe si Minister i jashtem z. Basha supervizoi transaksionin e kufijeve detare me Greqine qe zyrtarisht u cilesua si antikushtetes nga pushteti gjyqesor. Per fat te keq kudo qe ka vene doren z. Basha eshte bee nami. Mund te jete fat i keq, por doren nuk e ka patur hic te mbare. Por as sikur nuk po tregon se ka ndonje keqardhje per cilindo nga keto episode...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.