Presidenti bën një deklaratë dhe kalon...Rubikonin

Postuar në 14 Shkurt, 2015 06:06
Mustafa Nano

Në pikën 1 të nenit 86 të Kushtetutës së Republikës sonë, thuhet se “Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Ka disa përcaktime në ligjin themeltar të shtetit, që e bëjnë të prekshëm e të kuptueshëm funksionin e kryetarit të shtetit (i drejton mesazhe Kuvendit, ushtron të drejtën e faljes, është komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, është kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dekreton qeveri, shpall zgjedhje të parakohshme etj., etj.), por nuk ka asnjë përcaktim që na ndihmon neve të kuptojmë se ç’do të thotë “të përfaqësosh unitetin e popullit”. Thuhet në Kushtetutë se “duhen 3/5 e votave të anëtarëve të Kuvendit në tri raundet e para të votimit presidencial”, dhe merret vesh se ky përcaktim shpreh një dëshirë, a një nevojë, për të pasur një president që të përfaqësojë jo vetëm palët e politikës, por edhe unitetin e popullit, mirëpo ky përcaktim nuk na ndihmon ta përkufizojmë funksionin e presidentit si përfaqësues të këtij uniteti. Një president mund të zgjidhet me votat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, por kjo nuk e bën automatikisht një simbol të unitetit të popullit. Madje, nuk është e thënë ta bëjë as përfaqësues të palëve që e kanë zgjedhur. Anasjelltas, një president mund të zgjidhet edhe me votat e një pale (Kushtetuta e lejon këtë në raundin e katërt e të pestë të votimit), e ai mund të shndërrohet fare mirë, nëse e ka vullnetin e disponimin, në një president të të gjitha palëve, madje edhe në një përfaqësues të unitetit të popullit.

Bujar Nishani u zgjodh në postin e Presidentit me votat e mazhorancës, së cilës ai i përkiste dhe kjo ka bërë që ai, qysh në krye të herës, të ishte i paragjykuar jo vetëm nga opozita e asaj kohe, që është mazhorancë në këto kohët e sotme, por edhe nga vëzhgues të ftohtë të zhvillimeve politike. Kushdo që do të zgjidhej ashtu si u zgjodh Nishani, do të paragjykohej se s’bën. E në këtë kuptim, Nishani nuk ka pasur faj për mënyrën se si u zgjodh. Personalisht, ndonëse gjatë “fushatës presidenciale” jam bashkuar me të gjithë ata që do të donin një president konsensual, e ndonëse u shqetësova që kjo punë u zgjidh me një “colpo di maggioranza”, nuk mund të mos nënvizoja faktin se Bujar Nishani ishte gjithë ditën e ditës një President legjitim e nuk mund të mos shpresoja se, përveçse legjitim, do të bëhej dhe president i të gjitha palëve, ndoshta dhe simbol i unitetit të popullit. Frika e madhe në këtë mes ishte fakti që ai ishte berishian i të gjitha stinëve, ndërsa garancia e vetme ishte fakti që ai ishte i shtruar e i qetë.

Qysh prej asaj kohe, sidomos pas 23 qershorit 2013, duke pikasur e marrë me mend ca ngasje antipresidenciale brenda mazhorancës së re, jam përpjekur të gjej arsye në qëndrimet e Presidentit. Madje, në karfosjen mes tij e mazhorancës, që ka qenë jo vetëm e dukshme, por edhe e bezdisshme, për opinionin publik, e kam gjetur veten më së shumti tek apeli, që i është bërë mazhorancës për të gjetur gjuhën e përbashkët me Presidentin. Në një rast, ia kam thënë edhe Kryeministrit Rama këtë opinion timin: “Nuk keni rrugë tjetër, veçse të merreni vesh me Presidentin”.

Para tri ditësh isha në studion e Ilva Tares, ku do të flitej për ngjarjen “Zhiti”, dhe aty sërish, edhe pse kam disa pikëpyetje serioze lidhur me qëndrimin e Presidentit, nuk u lëshova në spekulime. Përkundrazi, nënvizova nevojën “kushtetuese” të Kryeministrit e të qeverisë për t’u konsultuar me Presidentin për emërimet në krye të përfaqësive tona diplomatike jashtë vendit. Kushtetuta në këtë mes është e paqartë, por në paqartësinë e vet (thuhet vetëm se në rrethana të tilla, qeveria propozon e presidenti dekreton; kaq) lë të nënkuptohet se ka nevojë për një konsultim mes institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

Por me deklaratën e fundit, atë të pardjeshmen, Presidenti ka dalë në një pozicion të dukshëm off-side. Nuk është më as i kuptueshëm, as i mbrojtshëm pas kësaj deklarate të nxituar, të pakujdesshme, aspak presidenciale, madje antipresidenciale. Nuk e di nëse është penduar, por do të duhet të jetë penduar edhe për gjërat e gabuara që ka thënë, edhe për gjuhën e tonet, të cilat jemi mësuar t’i ndeshim ose në mesazhet që lëshon ajo kandrra e njohur në profilin e vet në Facebook, ose në deklaratat që dalin nga zëdhënësit e opozitës në konferencat e përditshme për shtypin. Të krijohet përshtypja se pardje Presidenti ka marrë një vendim të pakthyeshëm, ka marrë vendimin që të mos e bëjë më Presidentin.

“Më është shantazhuar familja, gruaja, fëmijët; janë bërë shpifje, fyerje, kërcënime e dhunë në adresën time, dhe këto janë gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë më parë e nuk mund të imagjinohet të ndodhin në një vend normal; kjo është hakmarrje ndaj Presidentit për qëndrimet në respekt të Kushtetutës e të institucionit që ai përfaqëson; dhe të gjitha këto, d.m.th. dhuna, shpifjet, fyerjet, kërcënimet janë të drejtuara, të organizuara e të frymëzuara nga Kryeministri i vendit”, thuhej në thelb në atë deklaratë. Kush e ka lexuar me vëmendje, e ka pasur të lehtë të vërë re se autori i saj nuk i referohet ndonjë akti kryeministror. Madje, në të nuk kuptohet se ç’kuptohet me dhunë, pasi nuk është raportuar në media asnjë hamendje, jo më fakt, mbi ndonjë dhunë ndaj Presidentit e familjes së tij.

Nuk është e fshehtë për askënd që Kryeministrit Rama nuk ia ka qejfi të bashkëpunojë me Presidentin, që Kryeministri, po ta kish në dorë, do ta largonte Nishanin sa hap e mbyll sytë nga zyra e Presidencës, por nuk dihet që ai ta ketë bërë shpifje a kërcënime në adresë të Presidentit. Aq më pak dhunë. E në këtë kuptim, ne jemi ballafaquar në mënyrë fatlume këto kohë me distancimin prej precedentit, praktikave e kohëve, kur Kryeministri e quante Presidentin horr bulevardi e kur i njëjti dinjitar i lartë shtetëror e quante prokuroren ashtu si e quante. E nëse Presidenti shkruan e zeza mbi të bardhë se sulmet ndaj tij janë të organizuara e të drejtuara nga Kryeministri, këtë duhet të na e provojë. Nëse nuk është në gjendje të na e provojë, atëherë duhet të mendohet mirë para se të flasë kështu. Një Presidenti nuk i ka hije të flasë me gjuhën e skifterëve të njërës prej palëve politike.

Me këtë deklaratë, Presidenti ka bërë një gabim fatal. Është aq fatal sa nuk të besohet se deklarata është e tij.
"shqip"

Comments

Submitted by Vazhdimesia si ... (not verified) on

Ne parim, ke te drejte Mustafa,

ashtu sic kane te drejte ca religjioze qe shohin dhe mendojne sepse ashtui besojne: Po t'i degjosh ata,

ve buzen ne gaz dhe qofte edhe pa ze, pyet: Ore, vertete i besojne keta keto gjera? Psh qe Santa Klaus vjen

permes oxhakut, kur femijet jane ne gjume, le dhuratat tek koka e shtratit dhe iken serish, permes vrimes se celsit te deres!

Nishani eshte i zgjedhuri i Sali Berishes (dhe, pa te keq e shtoj: edhe i zgjedhur i Ilir Metes). Sepse ashtu ishte rregulli.

Ngaqe ashtu ishte rregulli, Edi rama nuk paraqiti asnje kandidature. Ishte false, nese do paraqiste, po.

Por tashme Presidenti eshte ai. Edhe gjykatat jane ato qe jane. Sic kryeministri eshte ai qe doli prej 23 qershorit, dhe...

dhe...Aleanca eshte ajo qe eshte: Rama dhe (dhe Ilir Meta, pa te keq po e shtoj serish kete emer mbiemer, me beso- qe nuk se

erdhi pas formules "Qelbesira te vogla, bashkohuni, kudo qe jeni, perballe Qelbesires se madhe", por rastisi te dekretohej pas saj)

Pra: ky eshte shteti, kjo eshte shoqeria me tere elementet e saj.

Nje kryeminister i Ri, jo si ai i meparshmi ( qe shyqyr zotit qe iku, dmth ishallah ta kete pasur seriozisht ikjen qe deklaroi),

do duhej te ishte sadopak me ndryshe:

Por a me thua dot: sa ligje a VKM-ra i jane kthyer prej Gjykates Kushtetuese? Nese kujtohemi qe po, ka ndodhur keshtu, a nuk eshte forme dhune kjo kundervenie?  Sa here ky kryeminister eshte terhequr prej  vendimeve te tij?

Sa here ti, gazetar i prononcuar relativisht qarte, je prononcuar kunder nxitimeve apo teprimeve te tij?

Mire qe tani presidenti eshte i Te Tjereve, por si i behet kur te jete i Ketyre, dhe kryeministri te nderrohet?!

I bje qe Shteti te mos jete askurre i njerezve te thjesht, qe shpresohet se flasin permes gazetareve serioze.

A nuk do prisje, psh qe Rama te kerkonte ndjese per Marreveshjen e Madhe me Sali berishen, per te diktuar

zgjedhjen e Parlamentit? Apo qe ai siguroi se do te vazhdonte te zbatonte Ligjin 7501, ligjin per Token, per te cilin

Sali Berisha (pas doreheqjes!) kerkoi ndjese formale?

Nishani eshte thjesht pasoje, zoti Nano. Njelloj sikur neser pasneser Rama te diktoj caktimin president te Mimi Kodhelit!

Po te vazhdojme keshtu, keshtu ka per te ndodhur, dhe ne shkrimet e gazetareve do nderrohen vetem emrat!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.