REZOLUTA ÇAME DHE TEATRI POLITIK
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Paraqitja e një projektrezolute nga PDIU në Kuvendin e Shqipërisë ka krijuar një situatë të paqartë në rangjet politike. Është i dyti demarsh që vjen nga komuniteti çam, pas atij të vitit 2004, ku kërkohet që Parlamenti shqiptar të marrë një pozicion të qartë në lidhje me problemin çam.
Nisma parlamentare e PDIU vjen në një moment kur në tregun politik shqiptar ndërthuren, mbivendosen apo përplasen një mori interesash diametralisht të kundërta. Fryma “kombëtariste” që solli me vete Pavarësia, gjeti një terren të shkelur nga forca të reja politike si Aleanca Kuqezi, e cila prej muajsh përpiqet të krijojë një hapësirë patriotike në spektrin politik shqiptar. Paralelisht me këtë, reagimi i ndërkombëtarëve, përfshirë grekët, amerikanët dhe europianët (rekomandimet e fundit të Këshillit kishin, për herë të parë, një paragraf për tonet nacionaliste të politikës sonë), e kanë shtuar presionin jo vetëm ndaj linjës së Kryeministrit Berisha, por edhe ndaj kësaj lëvizjeje të fundit të PDIU. Më tej akoma, rezultatet e censusit dhe zgjedhjet e ardhshme, e bëjnë edhe më komplekse atmosferën, duke përfshirë në këtë valle patriotësh të vjetër dhe të rinj, pakicat etnike, vendet fqinje ose edhe interesat elektorale.
Kjo amulli interesash, bërrylash e qëndrimesh që vërtiten rreth nacionalizmit “të beftë” të mazhorancës, por njëkohësisht edhe rreth tekstit të rezolutës në fjalë, e kanë bërë thuajse të padeshifrueshme pozicionimin që do të marrë në ditët e ardhshme Kuvendi i Shqipërisë ndaj iniciativës së Shpëtim Idrizit. Në përgjigje të mesazhit të djeshëm të ambasadorit amerikan Arvizu, për të ndalur pasionet nacionaliste që janë shfaqur në Tiranë, kreu i opozitës Rama reagoi pozitivisht, ndërkohë që Kryeministri Berisha nuk mori pjesë në aktivitetin ku foli diplomati i lartë amerikan.
Duke e ndarë për një moment temën e përgjithshme të “nacionalizmit” nga nisma parlamentare e PDIU, mund të thuhet se mbetet e turbullt nëse teksti në fjalë do të gjejë një përkrahje të gjerë parlamentare. Me të drejtë, kreu i PDIU i ka bërë thirrje deputetëve ta shohin rezolutën jo me syze partiake, por me vetëdijen e tyre qytetare e kombëtare.
Përtej teatrit politik e diplomatik që luhet në sfond, vetë nisma e PDIU përfaqëson një qasje serioze e parimisht të drejtë, për një dramë historike, ndaj së cilës ka pasur përpjekje sistematike që ta fshijnë nga axhendat politike e qeveritare në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore. Si e tillë, rezoluta përbën një tentativë politike serioze të një komuniteti që kërkon normalisht mbrojtjen e interesave të tij të patjetërsueshme.
Por, mbi këtë të drejtë historike, ne e dimë se shpesh vendosen interesa dhe trysni të momentit. E këto nuk mungojnë, kur në mes është Çamëria, me dosjen e saj përvëluese.
Për nga impakti potencial që pritet të ketë në marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë, nuk është e tepërt të thuhet se një rezolutë eventuale për Çamërinë nga Parlamenti shqiptar, do të linte një jehonë të ngjashme me ligjin e Luftës i shpallur nga Greqia në nëntor 1940 ndaj nesh. Nga efektet në marrëdhëniet dypalëshe, kuptohet, e jo nga pikëpamja e së drejtës historike që mbron vetë rezoluta. Sa i përket akullit që ajo do të sillte eventualisht mes Tiranës dhe Athinës, ndoshta krahasimi i mësipërm nuk është i tepruar.
Janë të gjitha gjasat që shteti grek ta përjetojë në mënyrë agresive një hap të tillë nga pala shqiptare. E këtu vështirë se bëhet fjalë për ratifikime, modifikime apo zbutje të paragrafëve të projektit të propozuar nga PDIU. Duke parë sinjalet që vijnë nga politika dhe mediat greke, problemi i palës helene në këtë rast, është se ajo nuk dëshiron vetë rezolutën, pa i hyrë farë përmbajtjes së saj. Deklarata e fundit e kreut të europarlamentarëve grekë të Demokracisë së Re Melania Janaku, e cila u shpreh se në Greqi “s’ka pasur kurrë pakica shqiptare”, e jep të plotë idenë se pala greke nuk është aspak e përgatitur të pranojë zyrtarisht ekzistencën e problemit çam, e aq më pak nisjen e bisedimeve për një zgjidhje të tij perspektive. Qoftë edhe në termat e një dëmshpërblimi pronësor, apo të një dhënieje kolektive të shtetësisë greke për çamët e përzënë me forcë nga pronat e tyre. Fqinji ynë jugor e ka mbajtur të ndrydhur përgjatë shumë vitesh çdo tentativë të ndrojtur shqiptare, për të pasur një reflektim historik, institucional e juridik mbi përzënien kolektive të popullsisë çame. Ia ka dalë ta bëjë këtë, me forcën dhe arrogancën që karakterizon politikën greke, sa herë që në mes hyjnë ndjenjat nacionaliste dhe elementet etno-historikë.
Sa herë që flitet për Greqinë dhe për marrëdhëniet e vështira me të, sidomos në njëzet vjetët e fundit, shqiptarëve u kujtohen qartë valët e refugjatëve të përzënë nga toka greke. Operacionet Fshesa kanë pushuar prej vitesh së praktikuari si të tillë. Tashmë ka një normalitet minimal, i cili prishet kohë pas kohe nga akte dhune ndaj shqiptarëve në pjesë të ndryshme të Greqisë, nga moslejimi i hyrjes atje të shqiptarëve që kanë të shënuar në pasaportë vendlindjen e tyre: Çamërinë. Është ky obstruksion i fqinjëve tanë të Jugut, që përbën sot faktorin kryesor frenues ndaj aprovimit të rezolutës në Kuvend. Dhe që në fund të fundit, mund të kthehet në rrethanën kryesore (pasi ka edhe faktorë të tjerë), që do të çonte në një rrëzim të dytë të saj. Me gjithë pasojat e pritshme që kjo do të prodhonte në skenën politike, duke nisur nga qëndrimi imediat i dy partive që kanë deklaruar votën pro: PDIU e LSI.
Add new comment