Rasti Qipro, kur bankat fundosin shtetin
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Në shkurt të vitit të kaluar, Greqia deklaroi pamundësinë për të paguar 53,5% të borxhit të vet publik. Shteti helen zyrtarizoi pra një falimentim të pjesshmëm duke ngritur sytë nga qielli dhe duke lënë me gisht në gojë kredidhënësit që trokisnin me grushta pas derës.
Që prej 2010-tës, sa më shumë rritej rreziku i borxhit grek, aq më shumë shkëlqenin sytë e bankierëve qipriot që prisnin me ëndje përfitimet nga kredidhënia me përqindje interesi dyshifror. Makutëria arriti në atë masë saqë investimi total drejt arkave publike helene kapi shifrën 28,8 miliardë euro, gjysma e të cilave humbën në vrimën e zezë të bilancit grek vitin e kaluar. Por nga i gjetën kaq para bankat e një shteti që prodhimin e brendshëm bruto e ka vetëm 18 miliardë euro? Përgjigja është e thjeshtë: nga oligarkët rusë të cilët kanë spostuar pasuritë e veta duke filluar nga vitet ’90 në një vend i cili garanton taksim 10% dhe sekret bankar që as Zvicra nuk ia lejon dot më vetes. E rrethuar nga një mjegull misteri të pashoq, Qiproja u shndërrua ngadalë në koloni Ruse ku karshi lumenjve me të holla që rridhnin nëpër bankat e vendit, siguronte pa të keq edhe pastrim të vazhdueshëm parash. Nuk është e habitshme nëse depozitat bankare llogariten në 68 miliardë euro, pothuajse trefishin e ekonomisë reale.
Bankat qipriote luajtën bixhoz (me paratë e rusëve) mbi Greqinë simotër duke qënë të bindura që një shtet nuk mund të falimentojë. Rrjedhja e ngjarjeve faktoi që e kishin gabim duke humbur në kazinonë e tregjeve ndërkombëtare më shumë se 14 miliardë euro.
Kriza e ishullit të vogël mesdhetar lind nga makutëria e bankave të veta të cilat humbën një bast të rrezikshëm dhe tanimë janë në prag të falimentimit. Meqënëse Banka Qëndrore Europiane ndërpreu pak ditë më parë kredidhënien emergjenciale, nëse brenda të martës Qipro-ja nuk gjen 17 miliardë euro, atëhere nuk do ketë më likuiditet, duke u detyruar të dali nga monedha e përbashkët dhe të stampojë (dhe zhvlerësojë menjëherë) monedhën e vet.
Për të shmangur katastrofën, kryeministri Nicos Anastasiades kishte dy plane: një parësor dhe një rezervë. Plani A parashikonte një ndihmë nga Troika e famshme (Banka Qëndrore Europiane, Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) për të kaluar urën. Troika ishte gati të jepte 10 miliardë euro, por me kusht që 5,8 miliardë euro të gjendeshin duke taksuar una tantum (d.m.th. vetëm njëherë) të gjitha llogaritë bankare (6% për llogaritë poshtë 100 mijë euro, 10% për të tjerat). Llogjika ishte e thjeshtë, të paktën një pjesë të barrës për shpëtimin e ishullit, të paguhej nga ata që ishullin e kanë shndërruar në një parajsë fiskale: pra nga rusët. Kuptohen lehtasi gërthitjet e Putin-it (“plan i padrejtë, jo profesional dhe i rrezikshëm”) dhe të Medvedev-it (“të gjitha gabimet që Troika mund të bënte, i bëri”). Kritika të shumta u ngritën edhe nga ekonomistë të ndryshëm: nëse sistemi bankar bazohet mbi besimin, atëhere “futja e duarve” nga ana e shtetit në llogaritë bankare tremb kursimtarët të cilët karakterizohen botërisht nga një zemër lepuri, një memorie elefanti dhe këmbë dhelpre. Edhe sikur bankat qipriote të shpëtoheshin nga kredia e Troikës, ato do fundoseshin nga tërheqja masive e parave nga ana e qytetarëve dhe investitorëve (rusë) të terrorizuar nga taksime të tjera. Më mirë me paratë poshtë dyshekut sesa në mëshirë të shtetit. Sidoqoftë, Parlamenti qipriot votoi pardje kundër planit A, duke shkaktuar dështimin e negociatave me Troikën. Atëhere ministri i financave Michalis Sarris, u prezantua dje me kapele në dorë në Moskë duke kërkuar kredidhënie urgjente. Si shkëmbim mësohet të ketë premtuar kontrata gazi fitimprurëse për shtetëroren Gazprom, portin e qytetit të Limassol-it (si për tregëti ashtu edhe për bazë ushtarake), gjithashtu edhe ruajtjen e sekretit bankar për miliarderët rusë. Por nga ana e Rusisë u dëgjua një “niet” i zhurmshëm (ministri i financave Siluanov tha që “investitorët tanë nuk janë të interesuar”).
Tani që të dyja planet dështuan, cila është rrugëdalja? Nëse ministri i financave gjerman Schauble u shpreh se “Qiproja nuk mund të shkarkojë mbi të tjerët përgjegjësitë e veta…nëse falimentimi shfaqet në horizont, atëhere edhe investitorët e bankave duhet të japin një kontribut për shpëtimin”, atëhere sa hapsirë ka ishulli për të negociuar me Troikën? Së fundmi, përse taksapaguesit e Bashkimit Europian duhet të paguajnë për shpëtimin e bankave qipriote të cilat dyshohen për riciklimin e parave të pista të miliarderëve rus?
Pa të holla, pa punë dhe pa të ardhme. Iluzioni vdekjeprurës i basteve financiare dhe makutëria kriminale e bankierëve të pa skrupuj, sapo lanë pas viktimën e radhës.
Add new comment