Biznesi, propozime per hipotekimin e apartamenteve
Komuniteti i biznesit përshëndeti sot memorandumin për hipotekimin e apartamenteve të nënshkruar pak ditë më parë në bashkinë e Tiranës. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka deklaroi se përfitues të këtij memorandumi do të jenë qytetarët dhe sektori i ndërtimit.
“Kemi një heqje ankthi për të gjithë ata qytetarë që posedonin de fakto, por jo de juro një pronë të blerë. Do doja të përmendja mundesinë që i jepet ketij target grupi qytetarësh për të implementuar me sukses nisma apo sipërmarrje të vogla apo të mesme në sektorin privat duke i konsideruar tashmë pronat e tyre si një potencial kolaterali në marrëdhenie me sistemin bankar të kredidhënies. Gjithahtu është mundësia që u jep ligji për faljen fiskale dhe legalizimin e kapitalit të gjithe qytetarëve që përfitojnë nga ky vullnet i mirë i kryebashkiakut të Tiranës.” – deklaroi sot Nikolin Jaka.
Sipas tij, tashmë industria e ndërtimit mbyll kalvarin e gjatë të pritjes për procesin e hipotekimit të objekteve të ndërtuara duke finalizuar edhe mbledhjen e këstit të fundit si dhe pagimin e detyrimeve shtetërore.
Ne funksion të këtij memorandumi së shpejti Dhoma e Tregtisë dhe Shoqata e Ndërtuesve Tiranë do paraqesin pranë Bashkisë Tiranë propozimet konkrete të specifikuara për implementimin me sukses të këtij memorandumi.
Marrë nga balkanweb.com
Add new comment