Varrezat e makinave, PS: Akti normativ antikushtetues, PD: Mbron mjedisin
Pozita dhe opozita do të përballen sërish sot në sallën e kuvendit për disa nisma të rëndësishme ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar. Në rendin e ditës të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit është futur sërish pr/ligji për Gjykatën Administrative, i cili kërkon 84 vota si dhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, miratimi i të cilave kërkon gjithashtu 84 vota. Mosarritja e kësaj shumice të cilësuar votash detyroi mazhorancën të shtyjë disa herë votimin e pr/ligjit për Gjykatën Administrative. Sot dhe interpelanca e kryeministrit Berisha dhe ministrin e Financave, Ridvan Bode e kërkuar nga opozita.
VARREZAT E MAKINAVE, PS: AKTI NORMATIV ANTIKUSHTETUES, NUK ZGJIDH PROBLEMIN
Ora 12: 10 Kuvendi vazhdon diskutimin e aktit normativ "Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare".
Sipas opozitës ky akt normativ është në kundërshtim me Kushtetutën pasi nuk i përgjigjet tre elementeve nevoja, urgjenca dhe marrja e masave të domosdoshme. Deputeti socialist Armand Subashi thotë se akti “bie ndesh me Kushtetutën” si dhe me konfiskimin e këtyre mjeteve nga ministria, sic është parashikuar në akt, cënohet e drejta pronësisë. “Nuk mund të konfiskohet pa iu nënshtruar një procesi gjyqësor”.- tha Subashi.
Sipas deputetit socialist akti “Nuk do zgjidhë problemet mjedisore pasi nuk do mbyllen varrezat por do zhvendosen më tej, më afër zonave të banuara”, gjithashtu “nxjerr në pah korrupsionin e radhës, dhe nuk zgjidh problemin përfundimisht”. Nga ana e deputetit të maxhorancës Tritan Shehu, akti normativ është mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit.
DISKUTOHET AKTI NORMATIV I VARREZAVE TE MAKINAVE
Ora 11: 45 Deputetët e opozitës kërkojnë sqarime mbi aktet e këtij pr/ligji. Sipas maxhorancës këto makina që kanë dalë jashtë përdorimit janë bërë dhe shkak për disa aksidente. Ndërkohë që deputetët socialistë, si Gazmir Bizhga kërkoi të dinte nëse kishin ndonjë relacion se sa është numri i aksidenteve. “Varrezat përbëjnë rrezik për qarkullimin. Ka afron 18 % e aksidenteve që rrjedhin nga prania e varrezave të automjeteve.”- deklaroi zv ministri i Mjedisit, Taulant Bino.
“Me largimin 1 km nga akset kryesore të këtyre varrezave, në bazë të aktit normativ 290 aktivitete të palicencuara do detyrohen të largohen dhe do detyrohen të marrin leje mjedisore”- deklaroi ministri i Transporteve Olldashi
KUVENDI NIS PUNIMET
Ora 11: 15 Kuvendi nis punimet me diskutimin e aktit normativ "Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare".
Akti i propozuar nga Ministria e Mjedisit synon marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga gjendja e rënduar dhe problematike e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike, të dala jashtë përdorimit, pranë rrugëve kombëtare, të cilat kanë ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e sigurisë rrugore në të gjithë territorin.
INTERPELANCA E KRYEMINISTRIT E BODES
Ndërkaq në seancën e sotme është parashikuar edhe interpelancë e kryeministrit Berisha kërkuar nga deputeti socialist Erjon Brace. Interpelanca është përfshirë në pikën e 9-të të rendit të ditës së punimeve të sotme plenare.
Një tjetër interpelancë është ajo e minsitrit të Financave, Ridvan Bode kërkuar nga deputetja e PS Mimi Kodheli. Interpelanca me Boden vjen menjëherë pas nismës ligjore të paraqitur nga opozita për heqjen e tvsh-së së bukës dhe disa ushqimeve bazë.
Edhe në seancën e kaluar kuvendi u detyrua të shtyjë votimin e 6 projektligjeve, pasi opozita deklaroi se nuk do ti votonte pa i kaluar më parë për rishqyrtim në komisione.
Marrë nga balkanweb.com
Add new comment