Studimi i ISHP: Ndotja në Tiranë në nivele alarmante

Postuar në 04 Tetor, 2011 05:20

Ndotja e ajrit në Tiranë konsiderohet një kërcënim për jetën e banorëve nga specialistët e Shëndetit Publik. Shkaktari kryesor i këtij niveli ndotjeje veç çlirimit të gazrave nga automjetet janë edhe punimet që po bëhen në qendër në sheshin "Skënderbej".

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë matur këtë të hënë në qendër të kryeqytetit një ndotje dy herë më të lartë sesa normat e lejuara. Sipas specialistit për cilësinë e ajrit, Agron Deliu, të gjithë elementët ndotës, si grimcat e imta apo dhe ato të forta të pluhurit janë në nivele mjaft shqetësuese, aq sa konsiderohen si kërcënim për jetën e njeriut.Për këtë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka renditur Shqipërinë ndër vendet me nivel më të lartë ndotjeje.

Në kushtet e ndërtimeve, firmat zbatuese duhet të ndjekin një sërë procedurash, për të shmangur ndotjen e mjedisit. Bëhet fjalë për lagien sistematike të rrugës, mbulimin dhe larjen e kamionëve që transportojnë inertet. Po ashtu, firma duhet të hedhë mbeturinat që nuk u hyjnë në punë. Por këto masa jo shpeshherë merren parasysh. Pasi qendra e Tiranës prej gati dy vitesh është e tejmbushur me grumbuj dherash.

Ndërsa, gazrat të cilët çlirohen në ajër janë një nga shkaktarët kryesorë, të cilët ndikojnë në uljen e jetëgjatësisë së shqiptarëve. Grimcat e çliruara nga gazrat janë disa herë më të rrezikshme se ato të pluhurit. Ndotja e lartë ndikon direkt në uljen e jetëgjatësisë së kryeqytetasve nga 1,5 deri në 2 vjet jetë. "Mesatarisht vlerat e cilësisë së ajrit në Tiranë, në pikën e qendrës janë rreth 2-2.5 herë mbi normat e lejuara.

Në një shkallë klasifikimi ndërkombëtare me 10 njësi, ku 4 është mirë, 7 është e rrezikshme dhe 10 është shumë e rrezikshme, Tirana si 9-mujor është 7.5", - ka thënë Agron Deliu, Specialisti i Ajrit në ISHP, në një prononcim të publikuar sot në "Gazeta Shqiptare".

E njëjta situatë paraqitet edhe në rrethet kryesore të vendit. Niveli i ndotjes edhe pse nuk është në ato përmasa sa në Tiranë, sërish i tejkalon normat e caktuara nga OBSH-ja. "Në rrethe situata në parim, në pikat që ne matim, është diçka më mirë se në Tiranë, po për sa i përket përmbajtjes së grimcave të imta, në të gjithë rrethet janë mbi normat e BE-së. Dhe atje kjo lidhet me shkarkimet e rrugëve, sepse një pjesë e madhe e grimcave krijohet nga risuspendimi i tyre nga lëvizjet e trafikut", - vijon Deliu. Këto ditë pritet të mbahet dhe një takim urgjent nga përfaqësuesit e OBSH-së në vendin tonë me krerët e institucioneve publike, ku do të lihen dhe detyra për zbutjen e nivelit të ndotjes.
(Ermelinda Hoxhaj/s.g/Balkanweb)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.